Mali i Zi, kërkohet heqja e imunitetit për dy krerët e opozitës

February 13, 2017   | Shtypi / Mediji

Andrija Mandiq -Milan KnezeviqProkurori special në Malin e Zi i ka kërkuar Asamblesë Kombëtare t’u heqë imunitetin dy udhëheqësve të lartë të opozitës, të cilët akuzohen se janë përfshirë në një komplot prorus për të rrëzuar qeverinë.

Prokurori Milivoje Katniq kërkon heqjen e imunitetit për Andrija Mandiq dhe Milan Knezeviq, të cilët priten të arrestohen dhe të dalin para gjyqit.

Një komision i Asamblesë pritet ta shqyrtojë këtë çështje gjatë kësaj të hëne, përpara se të vendoset nga një votim parlamentar heqja ose jo e imunitetit të tyre.

Rreth 20 persona, përfshi këtu dy shtetas rusë, akuzohen për pjesëmarrje në një komplot që pretendohet se kishte për synim vrasjen e kryeministrit dhe marrjen e pushtetit, në mënyrë që të parandalohej anëtarësimi i Malit të Zi në NATO.

Mandiq dhe Knezeviq janë udhëheqësit kryesorë të koalicionit prorus që kundërshton anëtarësimin në NATO. Ata kanë kërkuar një referendum mbi këtë çështje.

Telegrafi