Reagim i fuqishëm nga I. Berjashi, për rritjen e çmimit të ujit

February 27, 2017   | Shtypi / Mediji

Ibrahim-Berjashi(Reagim mbi paralajmërimin e ngritjes  së çmimit të ujit)

Një lajm, që këto ditë erdh nga NP „Ujësjellësi dhe kanalizimi Ulqin“, me shumë arsye ka befasuar, zhgënjyer dhe habitur banorët e  Komunës së Ulqinit, sidomos ata që kanë kushte të vështira ekonomike, duke përfshirë edhe mbipopullimin e të punësuarve në këtë ndërmarrje publike, raporton portali Ul.info.

Kërkesa për të rritur çmimin e ujit dhe të shërbimeve për shfrytëzimin e kanalizimit, se … është kërkesë e „këshilluesve  të huaj“ të cilët punojnë në realizimin e projektit të përmirësimit të ujësjellësit dhe kanalizimit  në komunën e Ulqnit “, shihet si hap i pa menduar mirë.

Në këtë rast shtrohet një pyetje e thjeshtë logjike për ata që kanë përgatitur këtë kërkesë që të miratohet nga Kuvendi i Ulqinit në seancën e ardhshme, a janë në dijeni „këshilluesit e  huaj“ me kartën sociale të banorëve vendorë të Ulqinit, pjesës urbane edhe asaj rurale, a janë në dijeni me mbipopullimin e të punësuarve partiakë në këtë NP, i kanë shlyer borxhet ndaj Ujësjellësit „mbi 4 mijë investuesit  ilegalë“, janë në dijeni „këshilluesit  e huaj“ se në Ulqin me dekada nuk hapet asnjë vend pune me konkurs dhe punësim ligjor, dhe se me qindra të rinj me përgatitje edhe pasuniversitare, madje, në Zyrën e punësimit më kot  presin ndonjë punë,jetojnë në krah të familjeve pa të ardhura, edhe 24 orë dëgjohet refreni i tyre „Më jep shansin të punoj, e mos na dëboni nga vendlindja“?

Të nderuar propozues të korrigjimit të këtyre çmimeve, cili është funksioni i tarifës që për çdo faturë gllabëroni nga 1,00 euro? Mos më thoni se „shërben për mirëmbajtjen e sistemit të ujësjellësit“? Janë në dijeni „këshilluesit e huaj“ se në terren bashkërisht  dalin nga 2- 3 inkasantë?

Qytetarët  janë të bindur se përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Ulqinit në mbledhjen e ardhshme kërkesën e ardhur nga Ujësjellësi pa asnjë hamendje do ta refuzojnë edhe do të punojnë për të sjellë atë në gjendje normale dhe efikase, pa nepotizëm, militantë të partive politike, por me vizion të qartë e racional !?

Para disa viteve, Kuvendi vendor i Ulqinit, me një eufori politike vendosi të inkuadrojë Ulqinin në Ujësjellësin rajonal të bregdetit të Malit të Zi, pa i studiuar dhe analizuar mirë interesat e qytetarëve të kësaj komune, në vend se të zgjeronin kapacitetet dhe hulumtuar burimet e reja që të të sigurojë ujë të pishëm mjaftueshëm edhe për stinën turistike.

(Ibrahim Berjashi, gazetar në pension, Ulqin)