Intervistë/ Kryetari i Ulqinit Cungu: Shqiptarët e Maqedonisë na bëjnë krenar, sjellja e maqedonasëve kujton retorikën shoviniste

April 1, 2017   | Intervista / Intervju, Lajmet / Vijesti

Nazif-Cungu-UlqinIntervistoi Rami Mislimi

“Shqiptarët e Maqedonisë na bëjnë krenar për faktin se janë mbështetësit kryesorë të integrimit euroatlantik të Maqedonisë “ shprehet  Nazif Cungu kryetarë i Forcës së re Demokratike në Mal të Zi dhe  kryetarë i komunës së Uqinit në një intervistë ekskluzive për portalin TetovaSot.

Sipas tij sjellja e partive maqedonase ndaj shqiptarëve kujton retorikën shoviniste të viteve të errëta të shekullit të kaluar.  Një qëndrim kaq flagrant e të egër anti shqiptar nuk e kanë as serbët e Malit të Zi.

Cungu shprehet se kjo situatë dëshmon për një mentalitet të prapambetur dominues në shoqërinë maqedonase çka tregon edhe nevojën për të evropianizuar sa më shpejt këtë shtet.

Sa i përket faktorit politik shqiptarë në Maqedoni dhe “Deklaratës Shqiptare”, kryetari i i Forcës së re Demokratike në Mal të Zi Nazif Cungu thotë se meritë të veçantë për uljen në një tryezë të faktorëve politikë ka padyshim BDI dhe lideri Ahmeti që edhe pse kishte mjaftueshëm vota për ta bërë vetëm koalicionin me VMRO-në ai ulet me të gjitha partitë politike shqiptare.

Lexoni intervistën e plotë të kryetarit të  Forcës së re Demokratike në Mal të Zi Nazif Cungu dhe kryetarë i komunës së Ulqinit.

TetovaSot:  Gjuha shqipe u bë zyrtare edhe në disa qytete në Mal të Zi, çka do të thotë kjo për ju si kryetar partie shqiptare dhe si kryetarë i Ulqinit?

Nazif Cungu:  Kjo është një arritje e madhe për shqiptarët e Malit të zi sepse përmbush një nga kërkesat tona kryesore tona. Faktikisht si lideri i subjektit politik shqiptar më të madh në Malin e Zi dhe si pjesë e koalicionit qeverisës jam krenar që të them se brenda një kohe të shkurtër pas zgjedhjeve kemi realizuar disa prej kërkesave për të cilat kemi vite që luftojmë siç është formimi i komunës së Tuzit, miratimi i Planit Hapësinor të Komunës së Ulqinit sipas kërkesave tona, mbrojtja e Ullishtës dhe Kripores etj. Këto janë zhvillime të cilat iu mundësojnë shqiptarëve që të jetojnë krenar me gjuhën, simbolet dhe traditat e veta në trojet e tyre që gjenden në Republikën e Malit të Zi. Njëherazi mundësojnë edhe zhvillimin ekonomik duke ndalur emigracionin masiv që kemi patur.

TetovaSot:  Si e shikoni nga Ulqini shqiptarët e Maqedonisë ku gjithë partitë maqedonase janë çuar në këmbë kundër gjuhës shqipe dhe avancimit të shqiptarëve edhe pse siç thuhet shqiptarët janë mbi 25 % në Maqedoni?

Nazif Cungu:  Kjo është një situatë absurde e paimagjinueshme dhe primitive duke patur parasysh epokën kur po jetojmë dhe faktin që jemi në zemër të Evropës. Kjo sjellje e këtyre partive të kujton retorikën shoviniste të viteve të errëta të shekullit të kaluar.  Një qëndrim kaq flagrant e të egër anti shqiptar nuk e kanë as serbët e Malit të Zi. E gjithë kjo situatë dëshmon për një mentalitet të prapambetur dominues në shoqërinë maqedonase çka tregon edhe nevojën për të evropianizuar sa më shpejt këtë shtet. Shqiptarët e Maqedonisë na bëjnë krenar për faktin se janë mbështetësit kryesorë të integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

TetovaSot:  Ne zgjedhjet e fundit në Mal të Zi  shqiptarët garuan të ndarë dhe humbën mandatet e  deputetëve, gjithashtu edhe në Maqedoni ndodhi e njeta gjë ku humbën 10 mandate duke garuar të ndarë, mendoni se punon dikush për të ndarë shqiptarët dhe të jenë të pafuqishëm në institucionet e shtetit si në Maqedoni dhe Mal të Zi?

Nazif Cungu:  Keni të drejtë, sikurse në Maqedoni, përçarja partiake dhe dalja në zgjedhje me disa lista të ndryshme elektorale e ka dëmtuar rëndë përfaqësimin tonë parlamentar. Ne kemi veç një deputet ndërkohë që jemi 7% e popullsisë. U bënë disa zgjedhje parlamentare në Mal të Zi që pak para zgjedhjeve tek ne të shfaqen lista të reja garuese dhe prandaj është e arsyeshme që të krijohen dyshime për ndërhyrje përçarëse nga jashtë. Nuk ia asnjë pikëpyetje që Bashkimi bën fuqinë prandaj mendoj së duhet bërë më shumë punë bindëse me votuesit tanë për ti vetëdijesuar për dëmin që sjell tek ne copëzimi në mënyrë që të vënë para përgjegjësisë shkaktarët e përçarjes. Nga ana tjetër është edhe përgjegjësi e jona, e liderëve të partive kryesore që të garantojmë maksimumin e demokracisë së brendshme në mënyrë që sa më shumë qytetarë ra gjejnë veten të mirëpritur tek ne e mos të ndiejnë nevojën që të kërkojnë karrierën politike në subjekte të reja politike.

TetovaSot:  Si e komentoni “Deklaratën Shqiptare” të nënshkruar nga liderët shqiptarë , ku tani kemi një parti si VMRO e Gruevskit  që ka gjetur pretekst se kjo Deklaratë është nën-shkruar në Tiranë duke protestuar në rrugë,  ndërsa BDI e Ahmetit e mohon këtë duke theksuar se kjo është Deklaratë autoktone e cila buron nga Marrëveshja e Ohrit?

Nazif Cungu:  Unë e vlerësoj lartë deklaratën e cila përmban kërkesat politike dhe ekonomike legjitime e të kamotshme të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Bashkimi i partive për hir të interesit kombëtar ishte një lajm frymëzues për të gjithë sepse në këtë mënyrë treguan përgjegjësi të lartë. Meritë të veçantë për uljen në një tryezë të faktorëve politikë ka padyshim BDI dhe lideri Ahmeti që edhe pse kishte mjaftueshëm vota për ta bërë vetëm koalicionin me VMRO-në.

Kërkesat e bëra aty janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Maqedonisë dhe janë pjesë përbërëse e programeve politike të partive shqiptare ne Maqedoni kështu që të gjitha këto protesta e kundërshtime që i bëhen deklarate më duken qesharake.  Gjithashtu VMRO nuk e kundërshtoi deklaratën kur doli por vetëm atëherë kur partitë shqiptare hynë në negociata për të formuar qeverinë me LSDM. Kjo demonstron qartë që nuk i pengon deklarata por humbja e pushtetit.

Tetova Sot