Flet gazetari Simon Shkreli për statusin në Facebook, që i kushtoi vendin e punës

May 1, 2017   | Intervista / Intervju

Simon Shkreli nuk është emër i panjohur për median shqiptare. Ai jeton dhe punon në Shkodër, me një karrierë të gjatë në median lokale  Tv1Channel dhe është prej vitesh korrespondent i mediave kryesore në vend.

Simoni, gjithnjë ka spikatur për mprehtësinë e mendimit dhe lirisë së fjalës, duke gëzuar respektin absolut të qytetareve shkodranë dhe kolegëve të tij.
Sipas dritare.net, një status Facebook-u, një mendim personal në hapësirën e tij personale virtuale, ka sjelle, befas largimin e tij nga puna , pa asnjë paralajmërim. Por jo vetëm, por bashku me gruan e tij, Eliona Kodra gazetare e njohur dhe tepër e dashur për shikuesit e publikun shkodran, qe prej vitesh është bërë pjesë e familjeve shkodrane nepermjet ekranit.
Një muaj më parë, çifti i dashur i gazetarëve shkodranë, u bënë prindër për herë të dytë. Kane nje djalë dhë një vajzë dge befas, gjenden pa punë.  Në një intervistë për dritare.net,  Simoni ka ndarë me ne të vërtetën e këtij lajmi që në fakt është kthyer në kryefjalën e informacionit online, sot./dritare.net

Dritare.net– Simon, keni rreth 7 vite që punoni në këtë media, së bashku me bashkëshorten tuaj. Si e quani këtë vendim?

Vendimi është shumë i padrejtë, përderisa jemi nën monitorim, edhe nëse shfaqim një mendim në publik edhe nëse nuk mendojmë njëjtë. Njerëzit janë të ndryshem dhe prandaj kjo botë është e bukur. Diversiteti është i lakmueshëm nga të gjithë. Imagjinoni një vend ku do kishte vetëm meshkuj ose ku do kishte vetëm femra, si do ishte ai vend? Kufizimi I lirisë së mendimit është gjëja më absurde që mund të ndodhë. Të shprehësh mendimin tënd ashtu si të vjen , I gabuar qoftë , duhet respektuar. Këto janë parimet bazë me të cilat unë udhëhiqem. Prandaj unë shpreha një mendim timin , me rastin e zgjidhjes së Presidentit të ri të vendit, këtë mendim unë e postova edhe në faqen time private në facebook. Në asnjë moment gjatë gjithë punës time si gazetar nuk kam dalë jashtë kornizave të politikave redaksionale. Jam munduar edhe do mundohem të qëndroj korrekt me punën dhe vendin e punës. Por të monitorohet edhe jeta private dhe mendimet e tua personale kjo është e papranueshme për mua. Liria ime është gjëja më e shenjtë që kam. Këtë do vazhdoj ta ruaj.

Dritare.net/ Si gazetar profesionist dhe me një karrierë të gjatë në media, sot më shumë se kurrë si do e cilësoje ‘lirinë e fjalës’? 

“Liria e fjalës” është e shtrejtë. Unë e pagova një çmim packa se është television lokal dhe për nga rëndësia nuk ka ndonjë peshë në informimin e opinionit publik kombëtar. Unë si gazetar kam vite që punoj edhe me mediat Kombëtare si Klan edhe ABC Neës dhe në asnjë moment nuk kam qenë I privuar nga këta dy media për mendimet e mia politike apo angazhimin tim politik.
Thjesht bëjë punën që më takonte. Krishti thotë “ E vërteta të bënë të lirë”. Unë them që kjo e vërtetë duhet të ruhet, dhe liria e fjalës është gjëja më e shënjtë që duhet të kemi, ta ruajmë dhe ta kultivojmë.

Dritare.net– Shkaku i largimit tuaj ishte politik? 
Nuk ka asgje profesionale ose mos korrektësie të punës. Vetëm statusi im në facebook. Si mund të jetë tjeter, veçse politike?
Dritare.net– Kush ua komunikoi  largimin?
Drejtori I televizionit, vendim I cili i është komunikuar atij nga drejtuesit e Televizionit. Pra një vendim i marrë nga drejtuesit e televizionit thjesht është përcjell tek unë edhe Eliona.

 Dritare.net.-Ishte vetëm një komunikim nga ana e telefonit, pati ndonjë sqarim zyrtar?

Kishim  edicionin e lajmeve të orës 20:00 së bashku me Elionen dhe nga transmetimi më njoftojnë që të ulemi në zyren e drejtorit. Ai me shumë mirësjellje dhe keqardhje na e shpreh vendimin e marrë nga drejtuesit.

Dritare.net Keni  marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga kolegë gazetarë e emra të njohur të medias shqiptare. Ju bën të ndiheni mirë, kjo?

Po patjetër, kolegët nuk më kanë lënë vetëm në asnjë moment dhe është një kënaqësi e madhe. Kur gazetarët solidarizohen me ty, ndjehesh edhe keq, pasi mendon se cili prej tyre mund të ketë fatin tënd në ndonjë media tjetër. Jetojmë në Shqipëri ku çdo gjë është e kufizuar dhe asgje  s’kemi të garantuar.

Dritare.net– Statusi’ në Facebook është hedhur në faqen tënde, pse duhej të largohej dhe bashkëshortja?

“All inclusive”, si paketat turistike, apo ato ofertat nëpë dyqane “ Bli një e merr dy”. Absurditeti s’ka kufij.

Dritare.net– Ke menduar çfare do bëni tani? Jeni të dy pa punë.
Për fat të mirë ka ende ishuj të lirë edhe në Shkodër, por nuk mungojnë as miqtë e shokët. Pasi gazetarët  këtu janë një skuadër e cila punon fort, punon bashkë edhe është kompakte. Kam pasur disa biseda telefonike por ende s’jemi ulur të bisedojmë. Unë në fakt nuk jam pa punë, punoj edhe për Klan e ABC NEËS, por një punë me një media lokale është e mirë për shkak të afërsisë me komunitetin dhe me lajmin.

Dritare.net– Cili është një mesazh yti pas gjithë kësaj ?

Jo çdo e keqe vjen për keq, ka edhe një të mirë më të madhe, pas, kur zbulon se liria nuk ka cmim./ dritare.net