Zbulimi i Ruzhdi Ushakut: “Kali i Trojës” nuk ishte kalë, ishte anije?

May 21, 2017   | Intervista / Intervju

Profesor doktor Ruzhdi Ushaku në një intervistë ekskluzive dhënë televizionit Teuta hedh poshtë tezën për Kalin e Trojës,duke thënë se në fakt Kali i Trojës ka qenë një anije me krye kali, transmeton portali TV Teuta.

Para disa muajve dolën disa artikuj se kinse më në fund u zgjidh ky mister. Në këta artikuj të cilët u publikuan në media të ndryshme thuhet se Kali i Trojës nuk ishte një kalë prej druri, siç është cekur në “Iliadën” e Homerit.  Sipas një studiuesi italian, Francesco Tiboni, profesor i Universitetit të Marsejës, makineria që përdorën grekët për të nënshtruar Trojën nuk ishte kali prej druri, por një anije fenikase me kokë kali, që quhej “hipos”.

Me këtë tezë professor Ushaku ka dalur para 32 viteve

“Për herë të parë është botuar artikulli me titull ‘A ka ekzistuar kali i Trojës’, në Rilindje në vitin 1985. Pastaj në të dytën herë ka qenë një punim tjetër i përforcuar në librin ‘Ulqini në gjurmët e shekujve’, si dhe dy punime tjera me tituj ‘Misteret e Bunës legjendare’, ku thuhet se kali i Trojës mund të jetë anije. Si dhe artikulli ‘Kur anija me rrema ishte një kalë me fletë”, tha ai duke shtuar se me këtë çështje ishte marrë shumë kohë më parë.

“Kanë kaluar mbi 30 vite e më shumë që jam marr me këtë çështje dhe kam shkruar edhe këto libra ku kam sqaruar mjaft mirë domethënien e Kalit të Trojës, por tani po shoh që po dalin njerëz të tjerë me pretendimin se po e zgjidhin këtë lloj misteri”, theksoi ai.

“Nga kjo gjurmë e lashtë artistike pata bërë kërkime më të plota e më të thella filologjike-gjuhësore të cilat dëshmojnë se Kali i Drunjtë duhet të ketë qenë historikisht anije me krye kali dhe, analogjikisht, anija, në mënyrë metaforike do të jetë quajtur Kalë i drunjtë, që në kohët e pas luftës së vërtetë të Trojës do të jetë kuptuar fjalë për fjalë  si Kalë prej druri duke marrë ngjyrë imagjinatave-legjendare ashtu siç përshkruhet në veprën e Homerit”,  u shpreh Ushaku