Ulqini, destinacioni më i preferuar për turizëm

June 12, 2017   | Turizmi / Turizam

Organizatat turistike të qyteteve në Mal të Zi konsiderojnë se ka një rritje të numrit të turistëve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deri më tani më së shumti vizitorë janë regjistruar në Budva me 8500  dhe Herceg Novi me 4400, të ndjekur nga Ulqini me 3000, dhe qytetet e tjera bregdetare me një numër më të vogël.

Nga Organizata turistike nacionale thonë se këtë vit presin rritje të konsiderueshme të turistëve nga Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca, por edhe nga Kina, Izraeli apo Japonia.

Në anën tjetër drejtuesi i “Rivierës së Ulqinit” Isat Dragovoja i ka thënë televizionit Teuta në Ulqin se në hotelet e kësaj kompanie aktualisht janë duke pushuar rreth 400 mysafir, që është rreth 20% më shumë se vitin e kaluar në të njëjtën periudhë kohore.

“Këtë vit kemi një vizitueshmëri më të madhe se vitin e kaluar, andaj mund të konkludoi se sezoni turistik ka nisur i mbarë, shpresoi që kështu të jetë deri në mbarim të sezonit”, tha Dragovoja, transmeton Gazeta e Re.

Drejtori i Albatros, Xhemal Bushati në Ulqin e prezanton si shqetësim rritjen e taksës së banimit për 40% e cila mund të ndikojë tek çmimet për turistët.

“Ajo çfarë më brengos është rritja e taksës së banimit për 40%. Kjo nuk është dashur të ndodhë, sepse nuk ofrojmë diçka më mire se viteve tjera, andaj mendoj se kjo rritje do të ndikojë negativisht tek mysafirët”- mes tjerash ka thënë Bushati.

Kujtojmë se edhe për turistët nga Kosova, Ulqini ngelet destinacion i preferuar për turizëm.

Gazeta e re