Roli i partive politike shqiptare në Mal të Zi

July 5, 2017   | Rajoni / Region

Nga Venera Llunji*

Mali i Zi është një prej shteteve më të reja në Ballkanin Perëndimor, i cili u pavarësua nga Serbia në vitin 2006, e me të cilën ishte në bashkim shtetëror pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Sipas rezultateve të regjistrimit të vitit 2011, Mali i Zi përbëhej nga rreth 630,000 banorë dhe struktura etnike e tij përbëhej nga malazezët: 43 %, serbët 32%, boshnjakët 8%, myslimanët 9%, shqiptarët 5% dhe komunitetet e tjera etnike, si: kroatë, romë, jugosllavë, maqedonas, sllovenë, hungarezë, që përbëjnë secili nga më pak se 1% të popullsisë së përgjithshme. Në Kushtetutën e Malit të Zi shqiptarët përmenden krahas serbëve, boshnjakëve e kroatëve, por aty nuk saktësohet se çfarë statusi kanë shqiptarët në këtë shtet: a janë popull pakicë apo pakicë kombëtare?

Sidoqoftë, shqiptarët në Mal të Zi i shohim të trajtohen si pakicë etnike, të cilët kryesisht jetojnë në juglindje dhe lindje të Malit të Zi, në Ulqin, Tivar, Plavë, Rozhajë dhe Tuz. Qyteti më i madh i shqiptarëve në Mal të Zi është Ulqini. Në Ulqin, shqiptarët formojnë shumicën e popullsisë (70.66% në bazë të censusit të 2011-s). Institucioni më i lartë i vetëqeverisjes së shqiptarëve në këtë vend është Këshilli Nacional i Shqiptarëve.

Shqiptarët në Mal të Zi duket se kanë një ndarje politike. “Partia e parë politike e krijuar nga shqiptarët e këtij vendi është Lidhja Demokratike në Mal të Zi e krijuar nga Mehmet Bardhi, e cila në zgjedhjet parlamentare të vitit 1992 edhe pse ka pasur 3.85% të votave nuk ka fituar asnjë mandat në Parlamentin e Mali të Zi. (Pragu për të fituar mandat në Parlament është 3 %).

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1996 partitë shqiptare kanë fituar 4 mandate në Parlament: Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Unioni Demokratik Shqiptar kanë fituar dy mandate. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1998 këto dy parti kanë fituar 2 mandate. Edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 përsëri këto dy parti shqiptare fituan 2 mandate. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002 shqiptarët dolën të bashkuar në një koalicion të quajtur “Koalicioni demokratik – shqiptarët bashkë” dhe fituan 2 mandate.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006 partitë shqiptare fituan 3 mandate dhe LD në MZ fitoi 1 mandat, Unioni Demokratik Shqiptar 1 mandat dhe ASH 1 mandat, kurse “Koalicioni për Malin e Zi Europian” e përbërë nga DPS (Partia Demokratike e Socialistëve) dhe SDP (Partia Social-Demokrate e Malit të Zi, e që janë parti joshqiptare, fitoi 41 mandate, por në radhët e veta kishte 2 shqiptarë, gjë që e ngriti numrin e shqiptarëve deputetë në 5.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 partitë shqiptare fituan 4 mandate (Lista Shqiptare (Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Alternative Shqiptare): 1, Unioni Demokratik i Shqiptarëve: 1, Koalicioni Shqiptar – Perspektiva: 1, FORCA e Re Demokratike; 1) dhe 1 mandat si pjesë e “Koalicioni për Malin e Zi Europian”; përsëri ishin gjithsej 5 deputetë shqiptarë.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012 partitë shqiptare fituan 2 mandate (Koalicioni Shqiptar (Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Alternativa Shqiptare dhe Partia Demokratike): 1, FORCA; 1, dhe 1 mandat pjesëtari i “Koalicionit për Malin e Zi Europian” dhe 1 mandat pjesëtari i Malit të Zi Pozitiv (gjithsej 4 deputetë shqiptarë)”.

Formimi i partive politike shqiptare brenda shtetit malazez

Sipas një definicioni të përgjithshëm, “partia politike është një lloj organizate politike e cila kërkon të ndikojë, drejtojë ose të udhëheqë politikat qeverisëse kryesisht duke emëruar kandidatët e vet dhe duke u përpjekur t’i vendosë në zyrat politike. Partitë shpesh shfaqin një ideologji ose vizion të dhënë në programet e tyre partiake përmes platformës së partisë me qëllime specifike”.

Sot, partitë politike luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e demokracisë, luajnë rol në demokratizimin e shoqërisë të cilën e përfaqësojnë dhe bëjnë lidhjen ndërmjet shoqërisë dhe politikës. Prandaj, konsiderohet se partitë politike kanë disa funksione:

“Funksioni i parë është të nxjerrin programin dhe vizionin e tyre politik duke u përpjekur të ofrojnë programe kreative dhe kandidatë, të cilët do të pranohen nga votuesit. Funksioni i dytë duhet të marrë parasysh kërkesat politike, ekonomike dhe sociale të shoqërisë të cilën këto parti e përfaqësojnë e që nënkupton se kërkesat e qytetarëve do të jenë të ndryshme prandaj edhe qasja e programit politik të një partie ndonjëherë edhe bie ndesh me ato kërkesa prandaj duhet bërë përpjekje që kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të transformohen në politika alternative të partisë në fjalë. Funksioni i tretë i partive politike është që ato të paraqesin shtytësin kryesor për rekrutimin e individëve në pozita të ndryshme dhe funksione të ndryshme si në nivel lokal, ekzekutiv apo legjislativ. Dhe funksioni i katërt i partive politike është të kontrollojnë dhe mbikëqyrin qeverinë varësisht nga pozita politike në të cilën janë, qoftë nëse janë në pozitë ose në opozitë”.

Por çfarë do të thotë parti politike në një hapësirë siç është Mali i Zi, veçanërisht çfarë do të thotë një parti politike për politikanët shqiptarë atje?

Krijimi i një rendi të ri pluralist në Mal të Zi nuk nënkuptonte një shkëputje të plotë nga socializmi sepse në partitë e asaj periudhe, në përgjithësi nuk vërehej ndonjë ndryshim i mirëfilltë i ndarjes nga socializmi. Pas zgjedhjeve të mbajtura në dhjetor të vitit 1990, qeveria e re e pranoi demokracinë, sistemin shumëpartiak, liritë dhe të drejtat e njeriut, por edhe në qeverinë e re të themeluar në janar të vitit 1991 akoma dominonin elementet autoritare karshi elementeve demokratike, pasi Mali i Zi ishte në federatë me Serbinë. Pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, në Mal të Zi u formuan edhe parti të tjera shqiptare, të gjitha me qëllim të mbrojtjes së interesave të popullatës shqiptare në trevat ku shqiptarët janë shumicë.

Në Mal të Zi, partitë politike shqiptare të cilat u formuan pas sistemit monist dhe shpërbërjes së ish-Jugosllavisë ishin: Lidhja Demokratike në Mal të Zi, e cila u themelua në vitin 1990 dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve i formuar në vitin 1993. Të dyja këto parti politike u formuan në Tuz dhe Ulqin, si qytete me shumicë shqiptare.

Lidhur me formimin e partive politike shqiptare në Mal të Zi, në shkrimin e titulluar “Pluralizmi dhe shqiptarët në Mal të Zi”, dr. Nail Draga thotë: “Përvoja e periudhës pluraliste nga viti 1990, është e mjaftueshme për secilin individ apo subjekt politik e jo politik, për të nxjerrë konkluzionet e nevojshme, në lidhje mbi rezultatet e arritura. Kjo periudhë edhe pse ka qenë eksperimentale për të gjithë, në veçanti për shqiptarët ka vlerë të veçantë për dy arsye: e para, sepse janë krijuar subjektet e ndryshme, me ç’rast nuk ekziston më monizmi as te vetë shqiptarët, dhe e dyta, individët e ndryshëm janë dëshmuar me aftësitë e tyre profesionale dhe organizative. Duke marrë parasysh se shqiptarët nuk kanë përvojën e duhur në aspektin politik, është e nevojshme që të bëhen ndryshime cilësore. Ndryshimet, gjegjësisht ripërtërirja kadrovike, paraqet vlerë te veçantë për çdo subjekt përkatës, sepse angazhimi profesional duhet te jetë strategjia e secilit subjekt politik. Në të kundërtën subjektet politike gjithnjë do të humbin imazhin, duke bërë që kjo të jetë fatale për faktorin shqiptar në të ardhmen”.

Në Mal të Zi, parti shqiptare të regjistruara që nga viti 1990 e deri tani janë: Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Unioni Demokratik Shqiptar, Forca e Re Demokratike, Lëvizja Perspektiva, Partia Iniciativa Qytetare, Partia Demokratike, Alternativa Shqiptare, Unioni Demokratik Shqiptar, Partia e Prosperiteti Demokratik dhe Aleanca Rinore Shqiptare.

 

Funksionimi i Partive Politike Shqiptare

 

Para pavarësisë së Malit të Zi nga federata me Serbinë, përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Mal të Zi dolën me një platformë politike për të mbrojtur të drejtat e tyre. Platforma iu përcoll Kongresit Amerikan në vitin 2004. Në Preambulën e saj thuhej:

“ Një shtet bashkëkohor demokratik, në rrjedhën e vet natyrore të zhvillimit dhe krijimit te vet, duhet vazhdimisht të sigurojë kushtet që tërësisht të plotësojë nevojat e gjithë qytetarëve të saj e në veçanti të pakicave kombëtare që janë pjesë përbërëse e tij, në pajtim me standardet e larta ndërkombëtare. Nisur nga ky parim, shqiptarët në Mal të Zi, duke u angazhuar në ruajtjen e identitetit kombëtar, do të ndihmojnë në proceset e demokratizimit me ç’rast do të dëshmohen si element i ruajtjes së paqes e stabilitetit në Europën Juglindore, duke u paraprirë proceseve integruese europiane”.

Në Platformë kërkohej definimi i statusit të shqiptarëve në Mal të Zi:

“Pikëmbështetje e kësaj Platforme për përgatitjen e koncepteve të përgjithshme të vetëqeverisjes lokale, e cila ka qëllim të përmbushë premisën themelore demokratike, për t’u siguruar pjesëmarrja aktive e shqiptarëve në pushtet, është Karta Europiane mbi Vetëqeverisjen Lokale. Si parime bazë të këtij dokumenti janë demokratizimi i brendshëm, decentralizimi i pushtetit dhe shkarkimi i kompetencave të pushtetit qendror në hapësirën e ndërmjetme në mes komunës dhe pushtetit qendror, e që në praktikën politike definohet si rajon, të cilës duhet t’i nënshtrohet çdo instrument juridik mbi vetëqeverisjen rajonale e që paraqet bazën mbi të cilat është ndërtuar instrumenti juridik për vetëqeverisje rajonale në Bashkësinë Evropiane. Nisur nga ky fakt, shqiptarët në këtë platformë për definimin e statusit të tyre politik i shtrojnë po ato kërkesa legjitime pushtetit qendror të Malit të Zi, të cilat bashkësia ndërkombëtare iu vë parakusht shteteve në tranzicion, të cilat dëshirojnë të bëhen pjesë e familjes europiane. Për realizimin e këtyre kërkesave legjitime politike shqiptare kërkojmë garancë palën ndërkombëtare”.

Por pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, partitë politike shqiptare mund të definohen si “një grup i organizuar që dëshiron ta fitojë pushtetin përmes mjeteve politike”.

Kriteret tjera mbi të cilat funksionojnë partitë dhe të cilat do të karakterizonin një parti politike shqiptare në Mal të Zi, siç janë: programet, ideologjia politike, anëtarësia, qëllimi socio-politik, mënyra e financimit të partisë, lideri i partisë, na japin një pasqyrë të veçorive të tyre dhe mundësuan nxjerrjen e konkluzioneve në këtë punim.

*Pjesë nga studimi i publikuar në broshurën e Konferencës Shkencore “Ditët e Studimeve Shqiptare”, organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës

MAPO.al