Në Kala kisha – projekti ideor

January 12, 2012   | 

Shoqata “Don Gjon Buzuku” ka publikuar në revistën “Buzuku” nr. 33 të datës 2 shtator 2010, thirrjen ndërkombëtare për dërgimin e ofertave për lëndën “Hartimi i projektit ideor për Kishën katedrale të Shën Mërisë në hyrjen e poshtme të kalasë së Ulqinit. Porositësi ka ofruar edhe këto të dhëna:
Në teren janë ruajtur themelet e dy kishave: njëra ka dimensionet 4 x 7 metra, me absidë gjysmë rrethore dhe supozohet se është ndërtuar në mes të viteve 813 – 820. Këto themele gjendën brenda themeleve të kishës tjetër, me dimensione të planimetrisë 7,53 x 18,25 metra e cila po ashtu ka absidë gjysmë rrethore. Në bazën e të dhënave historike kjo kishë është ndërtuar më 1251. Hulumtimet janë bërë në vitet 1897 dhe 1981. Në gravurat e vjetra shihet se kisha ka pasur kambanoren.
Porositësi ka siguruar:
1.Ekstraktin kadastral të terrenit, 2.Ekstraktin e projektit urbanistik, 3.Inçizimin e themeleve ekzis-tuese të objektit dhe
4.Fotokopjen e fotos së një gra-vure mesjetare.
Aspekti historik dhe qasja projektit
Dokumentet që ka ofruar porositësi, vizita në teren dhe bisedat e zhvilluara ishin pika fillestare për qasjen e kësaj detyre projektuese. Në periudhën e parë, të hershme të mesjetës , kur ndodh procesi i formimit shqiptaro-arbëresh, të dhënat janë të pakta jo vetëm arkitekturore por edhe historike në përgjithësi. Atëherë edhe u ndërtua kisha e vogël themelet e së cilës gjendën brenda asaj të madhes (shek.IX).
Në periudhën e dytë të mesjetës kur realizohet uniteti i popullsisë shqiptare më shtrirje përafërsisht të njëjta ashtu si është sot, janë të shpeshta kishat njënefshe si kjo e jona, më përmasa të vogla, më planimetri drejtkëndore dhe absidë gjysmë rrethore në anën lindore dhe më hyrje në anën perëndimore.
Por, as për periudhën e dytë (shek XIII-IX) nuk ka të dhëna të mjaftueshme për gjendjen e objektit në fjalë para rrënimit.
Nga studimet e veçanta të monu-menteve të trashëguara nga kjo periudhë historike, hasim në ndikime të forta të arkitekturës perëndimore dhe të kishës katolike. Janë të shumta elementet arkitekturore romanike – gotike në hapësirat tona si dhe në Dalmaci. Ashtu edhe kjo kishë ishte e punuar me mure guri të lidhur me llaç gëlqereje që shihet edhe prej pjesëve të mbetura të mureve e të themeleve (fotot), në pjesët e jashtme rreshtat e gurëve të latuar ishin me prirje horizontale; nga ajo që ka mbetur prej kishave të kësaj kohe, shihet se shpatullat e dyerve, dritaret dhe qoshet e mureve, mjeshtri popullor i ka punuar me më shumë kujdes, më gurë të latuar të gjatë, që mundë të supozohet se edhe këtu vlen ky rregull. Kisha ishte e mbuluar më çati druri dy ujërash.
Prej gravurës mundë të konstatohet se kambanorja fillimisht ka qenë e veçuar prej objektit të kishës, dhe nëse mund ti besohet, atëherë kambanorja ka qenë e vendosur në anën veriore, pranë hyrjes në kishë pikërisht aty ku gjendet rruga tani. Edhe në anën jugore, po ashtu, nuk ka hapësirë të mjaftueshme për vendosjen e kambanores si të veçuar. Pra, situata e tanishme e truallit, vendosja e rrugës aty ku është, nuk premton hapësirën e duhur për një zgjedhje planimetrike të kishës e të kambanores ashtu si është në gravurë.
Pra, marrë parasysh kjo që u tha nga ana e aspektit historik, në një anë dhe në anën tjetër, të dhënat që ofron situata në terren, ka bërë që gjatë hartimit të projektit është tentuar, sa më shumë që ka qenë e mundur që të mos ketë shmangie nga veçoritë e ndërtimit të objekteve sakrale për sa i përket arkitekturës së asaj kohe në këto troje (në materiale dhe në formë).
Për ketë arsye , është përvetësuar forma planimetrike njënefshe në themelet ekzistuese duke iu shtuar kambanorja në anën perëndimore dhe duke rezultuar kështu një zgjedhje simetrike në raport me boshtin gjatësor të objektit. Kjo zgjedhje duket e pëlqyeshme edhe nga aspekti statik e sizmik, marrë parasysh zonën në të cilën gjendet qyteti, por edhe nga ana ekonomike, është më e favorshme.
Ndërtimi i mureve nga brenda dhe jashtë bëhet me gurë të skuadruar në forma të zgjatura (mundësisht). Më shumë hollësi do të jepen në projektin kryesor (pilastrat, harqet, ngjyra e gurit, madhësia etj.)
Kisha do të ketë përforcime konstruktive të fshehura brenda mureve të gurit (themeleve, breza horizontal dhe vertikal nga betonarmeja) të dimensionuara sipas të dhënave gjeomekanike dhe sizmike.
Dyshemeja e kishës do të jetë me pllaka guri. Lloji, forma, madhësia e ngjyra e tyre do të caktohet në fazat e më vonshme të projektit, por insistohet që vendi ku janë themelet e kishës së vogël të dallohen nga sipërfaqja tjetër e dyshemesë. Dyshemeja e galerisë, korit dhe e niveleve të kambanores është me dërrasa bungu më trashësi 5 cm të vendosur mbi tra druri të futura në murin e gurit me dimensione dhe përpunim sipas projektit definitiv. Shkallet për galeri dhe kambanore të punohen po ashtu nga druri i fortë sipas kërkesës së projektuesit. Çatia do të jetë dyujore, nga konstruksioni i drurit, e dukshme e dimensionuar dhe e përpunuar në tërësi sipas përshkrimit në projektin kryesor. Mbulesa me tjegulla. Dyert dhe dritaret të punohen prej druri i fortë ashtu si do të jetë e precizuar në projektin kryesor.

Projektuesi Gjon Kelmendi I.D.A