Partia Demokratike -Ulqin-Mali i Zi

February 3, 2012   | 

Ulqin, më 02. 02. 2012
Nr. 02/12

Deklaratë për shtyp
Kryetari i Partisë Demokratike, z. Fatmir Gjeka, dhe anëtari i kryesisë, z. Milazim Mustafa, pritën sot në një takim pune përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë, z. John Cooney, shef i Seksionit për Politikë dhe Ekonomi, dhe z. Zlatko Ivanović, ekspert për çështje politike.
Z. Gjeka dhe z. Mustafa i njohën mysafirët e tyre nga Ambasada e SHBA-së me shkaqet dhe qëllimet e themelimit të Partisë Demokratike, si dhe programin e kësaj partie. Sipas tyre, synimi i PD-së në të ardhmen është që të jetë parti parlamentare. Ata i njoftuan përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së me problemet kryesore me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Mal të Zi, me theks të veçantë në çështjet aktuale politike dhe ekonomike, siç janë problemi i përdorimit të simboleve kombëtare, çështja e përfaqësimit të pakicave në institucionet shtetërore dhe komunale, çështja e definimit të statusit të Komunës së Tuzit etj. Lidhur me përdorimin e simboleve kombëtare, ata kanë theksuar qëndrimin e PD-së se flamuri kombëtar shqiptar është flamuri i shqiptarëve në Mal të Zi.
Kryetari i PD-së, z. Fatmir Gjeka, ka falënderuar përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së për angazhimin e këtij vendi mik në zgjidhjen e çështjes shqiptare në rajon, si dhe ka kërkuar që Ambasada e SHBA-së në Mal të Zi edhe në të ardhmen të angazhohet për zgjidhjen e problemit të pakicave në këtë vend. Ai ka theksuar se pjesa më e madhe e diasporës shqiptare nga Mali i Zi jeton në SHBA, prandaj kjo është edhe një arsye më tepër për raportet tona të mira me SHBA-në.
Z. Gjeka po ashtu ka thënë se PD do të angazhohet për zgjidhjen institucionale të kërkesave të shqiptarëve në Mal të Zi.
Përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së kanë shfaqur interesim edhe për qëndrimin e PD-së mbi çështje të tjera aktuale politike në Mal të Zi.
Dy palët kanë shprehur gatishmëri që takime të tilla të zhvillohen edhe në të ardhmen.
Shërbimi për Marrëdhënie me Publikun