Misteret e panjohura të Shasit
June 16, 2008 by Ulqini
Filed under Kulturë / Kultura, Shtypi / Mediji, Turizmi / Turizam
Hipoteza se ka gjasa reale që Shasi i lashtë të ketë qenë në një vend tjetër, ku më pas është përmbytur nga ujërat e liqenit ka argumente shkencore gjeografike për këtë mjedis, që plotësohet edhe me ekzistimin e disa objekteve të banimit që më parë janë vërejtur në fund të liqenit nga individë të ndryshëm.
Ndërsa po të bëhen hulumtime arkeologjike nënujore nuk ka dilemë se do të zgjidhej enigma e një hipoteze të tillë që do të jetë në favor të përcaktimit definitiv të lashtësisë së këtij vendbanimi i cili vazhdimisht ka zgjuar kureshtjen e studiuesve të profileve të ndryshme shkencore.
Në sesionin shkencor kushtuar qytetit të lashtë të Shasit, që u mbajt më 17 maj të këtij viti në Ulqin organizuar nga OJQ “Ora” nga studiuesit e ndryshëm u trajtuan tema interesante të cilat japin mundësi për meditim shkencor, madje edhe për të trajtuar hipoteza të ndryshme në lidhje me misteret e panjohura të këtij vendbanimi të lashtë.
E dhëna se në vendin ku është themeluar Shasi ka ekzistuar jeta nga koha parahistorike dhe se ndërtimi i parë është “gradina ilire”, duke pasuar me vazhdimësi në zhvillimin e tij më të lartë në Mesjetë e deri me shkatërrimin e tij definitiv në shek. XVI, paraqet një periudhë kohore interesante për studiues të profileve të ndryshme.
Të dhëna të panjohura deri më tash
Takimet e ndryshme shkencore kanë vlera të veçanta atëherë kur pjesëmarrësit me kumtesat apo diskutimet e tyre trajtojnë çështje të ndryshme në lidhje me temën përkatëse. Pikërisht nga ky aspekt sesioni shkencor kushtuar Shasit i cili ishte i pari i organizuar deri më tash, kishte një dimension të veçantë sepse u paraqitën të dhëna të reja që deri më tash kanë qenë të panjohura për opinionin e gjerë.
Kështu, njëri ndër pjesëmarrësit e këtij sesioni shkencor paraqiti një hipotezë që ka të bëjë me lashtësinë e vendbanimit të Shasit, gjegjësisht të vendit ku është themeluar
Shasi i lashtë. Pra, kemi të bëjmë me hipotezën që paraqet njëherit edhe enigmën për këtë vendbanim se në kohën e lashtë a ka ekzistuar vendbanimi i Shasit në këtë vend ku është tash apo gjetiu. Dilemat në lidhje me këtë çështje në sesion janë paraqitur nga studiuesi dr. Moikom Zeqo, i cili prezentoi tezën se ka gjasa që Shasi i lashtë të ketë qenë në liqe pra pranë rrjedhës ujore të hershme, që ka kaluar nëpër mes të fushës ku është sot liqeni. Por, veçoi ai, për këtë çështje duhet të bëhen hulumtime arkeologjike nënujore, e pastaj të flasim.
Një konstatim i tillë ishte befasi për të pranishmit, sepse deri më tash nuk kemi pasur mundësi që diçka të tillë të dëgjojmë apo lexojmë nga ata individë që kanë shkruar qoftë edhe në mënyrë fragmentare apo informative për Shasin.
Por me të drejtë bëhet pyetja a ka bazë për diçka konkrete në këtë aspekt dhe a ia vlen të diskutohet për këtë hipotezë e cila është padyshim interesante.
Shasi i lashtë i përmbytur nga liqeni!?
Është konstatim i përgjithshëm se themelimi i vendbanimeve të para në çdo mjedis zakonisht është bërë në ato zona ku ka pasur kushte natyrore më të përshtatshme, do të thotë, ku ka pasur ujë, tokë pune, kullosa etj. Dhe pikërisht këto kushte i ka ofruar toka ku është liqeni i Shasit sot. Por në këtë aspekt duhet bërë një parantezë që ka të bëjë me të kaluarën historike, madje disa shekuj p.e.s. mu atëherë kur liqeni për nga sipërfaqja ka qenë më i vogël, e më te edhe sasi më të pakët uji. Nëse bëhet një analizë gjeografike dhe hidrologjike e mjedisit përkatës, ekzistojnë të dhëna se liqeni në të
kaluarën nuk ka pasur formën që ka sot, por ka qenë vazhdimësi e lumit të Megjureçit dhe është derdhur në lumin Buna. Ndërsa me kalimin e kohës, në saje të prurjeve të këtij lumi dhe fillimit të mbushjes me material aluvial sidomos në pjesën e poshtme të lumit ka filluar të izolohet me Bunën dhe të krijohet një hapësirë tokësore e cila ka ardhur duke u rritur vazhdimisht. Nga një situatë e tillë niveli i ujit të liqenit është rritur e me këtë edhe vërshimet, duke përmbytur tokat e ulta përreth. Nga një përmbytje e tillë popullsia e vendbanimit ekzistues ka qenë e detyruar të zhvendoset nga fusha e liqenit ku më pas ka ndërtuar vendbanimin e ri në shkëmb, ku janë sot gërmadhat e qytetit të vjetër të Shasit.
Duhet cekur me këtë rast se përveç përmbytjeve në këtë mjedis janë të njohura edhe lëvizjet neotektonike, që veçohen me fundosje të terrenit. Madje duhet cekur se hapësira e liqenit të Shasit është me origjinë tektonike-karstike, që dëshmon se është formuar me procesin e fundosjes, dukuri kjo e pranishme, kudo në terrenet karstike.
Dëshmi për objekte të banimit
Në favor të hipotezës se ka ekzistuar një vendbanim i hershëm në fushë që është i përmbytur më pas nga ujërat e liqenit, dëshmojnë jo vetëm gojëdhënat, por edhe faktet se më herët, gjatë muajve të verës kur niveli i ujit të liqenit është i ultë, janë parë pjesë të mureve të
shtëpive të banimit, por edhe kalldrëme të rrugëve. Një konstatim i tillë jep për të kuptuar se aty ka pasur një numër të konsideruar të objekteve të banimit. Procesi i përmbytjeve nuk është fenomen i ri dhe i panjohur në gjeografinë fizike, por çështja qëndron në atë se sa dukuritë e tilla janë hulumtuar dhe prezentuar opinionit.
Nevojiten kërkime arkeologjike nënujore
Nuk ka dilemë se një hipotezë e tillë do të eliminonte dilemat vetëm pas kërkimeve arkeologjike nënujore. Do të ishte e udhës që kërkimet e tilla të bëhen sa më parë, me çzrast do të zbardheshin disa nga misteret e panjohura të Shasit.
Një angazhim i tillë nuk kërkon shumë mjete për tu realizuar por duhet gjetur mundësitë dhe formën për ta realizuar sa më parë, sepse është në favor të hulumtimeve shumëdimensionale për një vendbanim me vlera të jashtëzakonshme.
Dr.Nail Draga
KOHA JAVORE
Pakicat në Mal të Zi dhe e drejta e përdorimit të gjuhës së tyre
May 15, 2008 by Ulqini
Filed under Kulturë / Kultura, Shoqëria / Društvo, Shtypi / Mediji
Gjuha tregon identitetin e një populli
Në kuadër të realizimit të projektit “Liria e të shprehurit në Mal të Zi”, i cili mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë, Nisma e të Rinjve për të Drejtën e Njeriut organizoi ditë më parë në Ulqin tribunën me temë “E drejta e përdorimit të gjuhëve të pakicave në Mal të Zi”.
Për këtë temë ligjëruan Xhemal Peroviq nga Qendra për Marrëdhënie Ndëretnike “Pax”, dr. Nail Draga, profesor, dhe Leon Gjokaj, koordinator i Qendrës Nansen Dialog.
Në fjalën etij Xhemal Peroviqi theksoi se e drejta e përdorimit të gjuhës së vet është një e drejtë themelore, e cila është e sanksionuar nga një mori e dokumenteve ndërkombëtare.
Sipas tij, për realizimin e kësaj të drejte themelore shteti duhet të krijojë kushte që çdo individ pa marrë parasysh numrin të ketë mundësi të shprehet dhe të marrë pjesë aktive në jetën publike.
Peroviq kritikoi qëndrimin e disa intelektualëve lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, të cilët në tubime të ndryshme flasin në gjuhën zyrtare (malazeze) gjoja me qëllim për t`u marrë vesh më mirë me pjesën tjetër joshqipfolëse duke e cilësuar si një dukuri që është në rritje.
Ai tha se shqipja në Mal të Zi ka qenë gjuhë zyrtare, megjithëse e cunguar vetëm në komunën e Ulqinit, edhe në kohën e Millosheviqit.
“Me Kushtetutën e vitit 1991 dhe 1992, shqipja ka qenë gjuhë zyrtare. Është mëkat kur dikush që pretendon se i njeh mirë të drejtat e pakicave thotë që po flasim tani në gjuhën zyrtare duke menduar në gjuhën tjetër e jo në gjuhën shqipe. Pra, gjuhë zyrtare edhe me Kushtetutën e re, edhe me Kushtetutën e mëparshme është edhe gjuha shqipe dhe mundësia e shprehjes në gjuhën e vet për shqiptarët në Mal të Zi ekziston”, tha Peroviq.
Peroviq theksoi se shteti duhet të mundësojë komunikimin e çdo individi me shtetin në gjuhën e tij.
“Komunikimi i shtetit malazez me secilin individ shqiptar duhet të jetë i tillë që shteti të krijojë mundësinë që ai të komunikojë me shtetin në gjuhën e vet”, tha ai.
Peroviq kritikoi po ashtu mendimin e një pjese të mirë të elitës politike malazeze, qëndrim që sipas tij nuk kundërshtohet sa duhet nga elita politike shqiptare, se Mali i Zi në realizimin e të drejtave të pakicave mban primatin dhe është shembull në regjion.
“I kemi harruar disa gjëra dhe i konsiderojmë si të arritura. Shkollimin në gjuhën shqipe e kemi pasur prej monizmit, emisionin në televizion e kemi pasur prej monizmit, emisionin në radio prej monizmit, Radio Tivari ka folur në gjuhën shqipe edhe para Radio Ulqinit në vitin 1983-1984″, tha Peroviq.![]()
Dr. Nail Draga theksoi se gjuha tregon identitetin e një individi dhe të një populli dhe se pa barazi gjuhësore, nuk ka barazi kombëtare.
Si shembull të pabarazisë gjuhësore ai mori shembullin e letërnjoftimit të deritashëm.
Draga tha se me nenin 13 të Kushtetutës së re të Malit të Zi gjuha shqipe definohet si gjuhë e barabartë, pra si gjuhë zyrtare në mjediset ku jetojnë shqiptarët.
“Ne nuk kërkojmë të shkruhet dhe të flitet shqip në Zhablak, Plluzhine, etj. ku nuk ka shqiptarë, por në ato mjedise ku shqiptarët janë popullsi autoktone, qoftë ku janë shumicë si në Ulqin, apo pakicë si në Plavë dhe Rozhajë”, tha ai.
Sipas Dragës, askush nuk mund t`ju mohojë shqiptarëve në Rozhajë që dokumentet zyrtare t`i kenë edhe në gjuhën e tyre.
“Nëse ti ju mohon këtë të drejtë sepse janë katër për qind do të thotë që ti barazinë dhe demokracinë praktikisht e sheh me përqindje. Barazia dhe demokracia nuk është me përqindje, por është çështje universale, e drejtë elementare e çdo njeriu, të cilën e fiton me lindjen e tij”, tha ai.
Sipas tij duhet të jemi edhe vetëkritikë kur flasim për përdorimin e gjuhës shqipe.
“Unë jam kritik që të kritikojmë të tjerët, por jam vetëkritikë që t`i kritikojmë edhe njerëzit tanë”, tha Draga.
Ai kritikoi pushtetin vendor të Ulqinit në këtë aspekt.
Draga mori shembullin e një flete të dërguar nga Komuna e Ulqinit me rastin e zgjedhjeve presidenciale ku tregohet se ku duhet të votohet dhe numri i qendrës së votimit.
“Teksti është shkruar në shqip kurse vendi i votimit O.S. Sukobin nuk është shkruar në gjuhën shqipe. Kush e bën këtë? Këtë nuk ta ka bërë as Gjukanoviqi, as Maroviqi, por këtë e kanë bërë shqiptarët që punojnë aty”, tha ai.
Draga theksoi se problemet ekzistojnë në dy dimensione, atë lokal dhe republikan.
“Nuk ekziston vullnet dhe gatishmëri e pushteti qendror që të zgjidhen çështjejt e tilla që unë i quaj teknike”, tha ai.
Koordinatori i Qendrës Nansen Dialog, Leon Gjokaj, tha se integrimet europiane dhe euro-atlantike për të cilat pretendon Mali i Zi nuk janë të mundura nëse nuk integrohemi në shoqëri si tërësi me specifikat tona, ndër të cilat më e rëndësishmja është gjuha.
Gjokaj vlerësoi se Mali i Zi ka boshllëqe kur bëhet fjalë për implementimin e ligjeve, në rastin konkret të atij që sanksionon të drejtën e përdorimit të gjuhës.
Ai përmendi shumë raste ku shkelet e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe, siç është rasti me tabelat e rrugëve që tregojnë vendbanimet.
Sipas tij, në mjediset ku shqiptarët përbëjnë shumicën pjesa joshqiptare duhet ta mësojë dhe ta dijë gjuhën shqipe ashtu siç e mësojnë shqiptarët gjuhën malazeze (serbe).
Ai tha se në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk e ka ndjerë veten të lirë të flasë shqip në Podgoricë.
Gjokaj potencoi po ashtu edhe inferioritetin dhe pabarazinë e gjuhës shqipe në arsim apo edhe në media.
I. Kallaba
KOHA JAVORE
Prezentimi i vlerave turistike kërkon qasje profesionale
April 28, 2008 by Ulqini
Filed under Anketë / Anketa
KULTURA DHE TURIZMI
Në ato mjedise ku turizmi është veprimtari parësore ekonomike subjektet përkatëse qoftë nga pushteti vendor apo ato private kujdes të veçantë i kushtojnë propagandës turistike duke botuar materiale të ndryshme turistike qofshin të shkruara apo elektronike. Prezentimi i tyre bëhet enkas në takimet e ndryshme ku vend kryesor kanë panairet me ç`rast bëhet prezentimi i ofertës turistike te mjedisit përkatës, duke ofruar vlerat ambientale dhe antropogjene klienteles turistike qe është praktikë e çdo qyteti apo mjedisi turistik.
1. Vlerat kulturore dhe klientela turistike
Është e njohur se turizmi si veprimtari shoqërore është shumë komplekse dhe kjo çështje është trajtuar nga shumë aspekte nga studiues profileve të ndryshme. Në këtë aspekt vazhdimisht janë trajtuar ndërlidhjet e turizmit me kulturën, duke theksuar se vlerat kulturore janë një destinacion i veçantë për klientelën turistike.
Dihet se disa mjedise të ndryshme kanë rritur imixhin e tyre turistik në saje të monumentëve kulturore-historike. Nuk ka dilemë se në qytetet e ndryshme ne këtë aspekt përparësi kanë qytetet e vjetra, që paraqesin atraksion të veçantë kulturor dhe turistik.![]()
Një dukuri e tillë është e pranishme kudo në botën bashkëkohore, sepse klientelës turistike përveç plazheve, ujit të detit, natyrës i intereson te defrehet duke shijuar edhe motivet antropogjene turistike te mjedisit përkatës. Në këtë aspekt nuk bën përjashtim as qyteti i Ulqinit. Por, pyetja është se sa i afrohen klientelës turistike ne mënyrë cilësore vlerat ekzistuese kulturore të këtij mjedisi, dhe sa është i angazhuar ne këtë drejtim pushteti vendor dhe subjektët tjera te cilat merren me turizëm.
2. Udhërrefyesi i ri turistik nevojë e kohës
Si më parë edhe tash Kalaja vizitohet nga turistë te shumtë, qofshin vendas apo te huaj, kryesisht gjatë muajve te verës.Duke marrë paraysh se çdo kush qe viziton një mjedis te caktuar aq me tepër ate qe ka një te kaluar te bujshme historike dhe kulturore, dëshiron te ketë informacione te dorës së parë nga ekspertë të fushave të ndryshme. Në lidhje me këtë çështje në mjedise të ndryshme angazhohen studiues të fushave të ndryshme dhe realizohen botime të veçanta.
Në ketë aspekt në Komunën e Ulqinit më parë kur funksiononte Qendra Turistike e cila ishte ne kuadër të pushtetit vendor në vitin 1989 është botuar udhërrefyesi turistik i botuar ne disa gjuhë duke përfshi edhe gjuhën shqipe. Botimi dallohej me një përgatitje teknike dhe dizajn te përkryer i cili për kohën qe është botuar ishte botimi me ekskluziv i kohës. Edhe pse këti botimi mund t’i bëhen vërejtje sidomos anës tekstuale duke marrë parasysh kohën kur është botuar ai ishte një botim me vlerë te pakontestueshme.
Duke marrë parasysh se nga ajo kohë kanë kaluar afër 20 vite dhe se ai botim është vjetruar, ndërsa tirazhi është shitur në tërësi, është i nevojshëm një botim tjetër i plotësuar sipas standardëve bashkëkohore. Pasi ne qytetet e ndryshme botimet e tilla botohën ne një tirazh të lartë, apo ribotohën pothuaj çdo tre-katër vite, është e nevojshme qe Ulqini sa më parë te ketë një botim te tillë.
3. OTK - në favor të avancimit të imazhit turistik
Në këtë aspekt pasi ekziston një potencial kadrovik duhet të ekzistojë një koordinim i veprimtarive duke themeluar fillimisht Këshillin botues që do të jetë bartës i këti. projekti me vlerë shumëdimensionale. Botimi kuptohet duhet te botohet përveç se ne gjuhën shqipe e malazeze edhe ne disa gjuhë te tjera si angleze, gjermane, italiane e franceze.
Bartës i këtij projekti duhet të jetë Organizata Turistike Komunale, ndërsa sigurimi i mjeteve mund të bëhet përmes buxhetit komunal, donatorëve te ndryshëm ne vend dhe botën e jashtme. Pasi OTK e Ulqinit përfundimisht është themeluar muaj më parë , mendoj se me rastin e fillimit të punës së saj, një nder veprimtaritë e para duhet të jetë patjetër botimi i udhërrefyesit të ri turistik. Me një veprim të tillë Ulqini do të dëshmonte se nderon vlerat e përgjithshme turistike nga njëra anë si dhe klientelën turistike nga ana tjetër e cila këtu qëndron gjatë muajve të verës, në numër të konsiderueshëm.
I mbetet pra OTK-së e po ashtu edhe ekzekutivit të pushtetit vendor të Ulqinit te angazhohet seriozisht ne këtë drejtim, ne mënyrë qe ne vitin e ardhshëm ky botim te jetë ne qarkullim, si ne çdo qytet tjetër ku si veprimtari parësore kanë turizmin, sepse vetëm ne këtë mënyrë avansohet imazhi turistik i çdo mjedisi.
Nail Draga
KOHA JAVORE
Shqiptarët në Mal të Zi në kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (1)
February 26, 2008 by Ulqini
Filed under Reportazh / Reportaža
Ndryshimi i hartës politike të Ballkanit
Shtetet ballkanike duke parë sukseset luftarake të shqiptarëve kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane, veçanërisht kryengritjet e vitit 1910-1912, shpejtuan për formimin e Aleancës Ballkanike, për fillimin e luftës kundër Portës së Lartë. Kështu aleancë ne mes veti lidhën Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia. Bisedat e fshehta në mes shteteve ballkanike ishin inicuar nga Rusia në vitin 1911, duke përfunduar në shtator 1912, me realizimin e aleancës në mes tyre.
Në aspektin gjeopolitik për opinionin e gjerë është e njohur se në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit (1878) harta politike e Siujdhesës Ballkanike pësoi ndryshime, sepse nga principatat e dikurshme autonome u krijuan shtetet e pavarura ku bënte pjesë edhe Mali i Zi.
Në vend që Fuqitë e Mëdha të kohës të insistonin që Malit të Zi si shtet i ri i njohur ndërkombëtarisht t`i takonin vise dhe popullsi sllave nga ana perëndimore e tij duke marrë për bazë kriterin etnik, u vendos e kundërta duke i dhuruar këtij shteti edhe vise me popullsi shqiptare. Andaj, nga kjo kohë me fillimin e rrudhosjes së hapësirës shqiptare në favor të fqinjëve “çështja shqiptare” u cilësua si dimension i veçantë, sepse në rastin konkret raportet shqiptaro-malazeze morën një kahje tjetër.
1. Viset shqiptare nën administrimin e Malit të Zi pas vitit 1878
Ishin vendimet e Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit të cilat legjitimuan fillimin e coptimit të trojeve shqiptare, fillimisht me pranimin e pavarësisë së shteteve fqinje siç ishin Mali i Zi dhe Serbia. Edhe pse aspiratat për zgjerim territorial të Malit të Zi gjatë dhe pas luftërave kundër Turqisë (1876-1878) ishin më të mëdha nën administrimin e tij kaluan krahina e Trieshit, Koja, Podgorica, Zhabjaku, Tivari dhe pjesa VP e Krajës. Edhe pse në Kongres u vendos që edhe krahina e Plavës dhe Gucisë t`i jepet Malit të Zi, një vendim të tillë nuk u realizua në saje të angazhimit ushtarak të popullatës shqiptare në organizim të LSHP, ku u zhvillua edhe beteja e njohur e Nokshiqit në dhjetor të vitit 1879. Si kompensim për të u bënë pazarlleqe nga Fuqitë e Mëdha që t`i jepet krahina e Grudës por ishte LSHP që organizoi mbrojtjen ushtarake në prill të vitit 1880, duke mos lejuar aneksimin e territoreve shqiptare nga ana e Malit të Zi. Por, të ndodhur në situatë të tillë, Fuqitë e Mëdha arrijnë kompromisin e fundit për kompensimin e Plavës dhe Gucisë e ky është qyteti i Ulqinit me rrethinën e tij të ngushtë, ku edhe pas rezistencës së popullsisë vendore, ky territor iu dorëzua Malit të Zi nga ana e Perandorisë Osmane në prani të forcave ndërkombëtare në fund të nëntorit të vitit 1880.
Viset shqiptare që kaluan nën administrimin e Malit të Zi edhe në rrethana të reja shoqërore dhe politike arritën të mbajnë komunikimin e vet ndërkrahinor me kryeqendrën e veriut shqiptar, që ishte qyteti i Shkodrës.
Edhe pse kufiri i ri në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, e cila ishte nën administrimin e Perandorisë Osmane në këto pozicione qëndroi 32-34 vite varësisht prej krahinës, pushteti i Malit të Zi kishte plane për pushtimin e territoreve të banuara me popullsi shqiptare. Me një fjalë, territoret e përfituara nga ana e Kongresit të Berlinit ishin fillimi i një politike ekspansioniste në dëm të trojeve dhe popullsisë shqiptare. Një dukuri e tillë u hetua në mënyrë praktike me rastin e Kryengritjes në Malësi të Madhe në vitin 1911. Ishte kjo një situatë e pavolitshme për shqiptarët por dhe një sinjal se çka është duke u përgatitur kundër tyre, e dhënë kjo e cila do të jetë transparente në vjeshtën e vitit 1912 dhe më pas.
2. Ofensiva pushtuese e Malit të Zi ndaj tokave shqiptare dhe rrethimi i Shkodrës (tetor 1912-prill 1913)
Shtetet ballkanike duke parë sukseset luftarake të shqiptarëve kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane, veçanërisht kryengritjet e vitit 1910-1912, shpejtuan për formimin e Aleancës Ballkanike, për fillimin e luftës kundër Portës së Lartë. Kështu aleancë ne mes veti lidhën Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia. Bisedat e fshehta në mes shteteve ballkanike ishin inicuar nga Rusia në vitin 1911, duke përfunduar në shtator 1912, me realizimin e aleancës në mes tyre.
Ndërsa aleanca e arritur në mes Malit të Zi dhe Serbisë në Lucernë të Zvicrës (27.IX.1912), me nënshkrimin e marrëveshjes politike dhe ushtarake ku e nënvizuar është se “atë që se cili vend e çliron nga turqit ajo edhe i takon”, dëshmon qartë për objektivat e tyre shteteve. Një konstatim i tillë është transparent dhe nuk meriton koment, nga del se shqiptarët ishin para sfidave të mëdha ndaj pushtuesve të rinj të cilët gjoja në emër të luftës kundër Perandorisë, si orientim final kishin okupimin e territoreve të reja. Rasti i rrethimit të Shkodrës dhe lufta e zhvilluar (tetor 1912-prill 1913) është i veçantë kur, edhe pse kishte filluar Konferenca e Ambasadorëve në Londër ku informatat ishin se ky qytet do të jetë në kuadrin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, rrethimi i saj dhe lufta e zhvilluar në mes ushtrisë turko-shqiptare dhe asaj malazeze vazhdonte gjithnjë. Një veprim i tillë shpjegohet me faktin se Shkodra për Malin e Zi paraqiste një çështje të veçantë në filozofinë dhe aspiratat e tyre ushtarke e politike që ishte e bazuar në mitet mesjetare e jo në realitetin gjeografik dhe historik. Madje mbreti Nikolla ka ëndërruar se po t`i realizohej projekti i zgjerimit territorial në lindje, madje deri te lumi Drin, Shkodra do të ishte kryeqyteti i Mbretërisë së tij. Ai shprehej se “nuk do t`i ulë armët para se lumi Drin të bëhet kufiri jugor i Malit të Zi”. Ndërsa gjatë Luftës I Ballkanike (1912-1913) në bisedimet që u zhvilluan fshehurazi në mes Serbisë edhe Malit të Zi (në pjesën e dytë të nëntorit 1912) mbreti Nikollë kërkoi ndarjen e territoreve në Shqipëri. Mali i Zi kërkonte të merrte rajonet deri në lumin Mat, ndërsa Serbia prej Matit deri te Shkumbini. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (dhjetor 1912-korrik 1913), delegacioni serbo-malazez kërkonte që Shqipëria të ngushtohej sa më tepër, sepse në këtë formë do i mundësohej Serbisë për të realizuar ëndrrën e tyre për dalje në bregdetin e Adriatikut. Nga ana tjetër delegacioni malazez kërkonte me këmbëngulje Shkodrën. Në kërkesë thuhej se po qe se nuk do të merrej një vendim i tillë, Mali i Zi për qytetin e Shkodrës do të jepte edhe njeriun e fundit, që dëshmohet edhe me parullën e mbretit Nikollë - “ose Shkodrën, ose vdekjen”.
Ndërkohë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në luftën diplomatike për caktimin e kufirit shqiptaro-serb dhe shqiptaro-malazez, më 22 mars 1913 u vendos që Shkodra me rrethinë t`i mbetet Shqipërisë. Por malazezët kishin aspiratat e tyre mitomane dhe vazhdonin gjithnjë ta mbanin të rrethuar Shkodrën, duke vazhduar operacionet luftarake të bindur se çka fitohet me luftë edhe do t`u takojë. Por, pasi Mali i Zi hezitonte të respektonte vendimin e Londrës, me nismën e Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, kundër tij filloi demonstrimi detar, i cili më 5 prill 1913 arriti para Tivarit dhe pas disa ditësh bllokoi bregdetin prej atij qyteti deri në grykën e Drinit. Megjithatë forcat malazeze pushtuan Shkodrën më 24 prill 1913 pasi atë iu dorëzoi Esat Pashë Toptani. Por veprimi energjik dhe presioni i Fuqive të Mëdha ku duhet veçuar sidomos Austro-Hungarinë pas qëndrimit tri javësh forcat malazeze më 14 maj 1913 pasi e plaçkitën u larguan nga Shkodra ku menjëherë u vendosën forcat ndërkombëtare.
Por edhe pse e humbi Shkodrën, pas luftërave ballkanike Mali i Zi u zgjerua territorialisht, duke përfituar një territor me sipërfaqe prej 4958 km2, që është më tepër se 48% e territorit pas Kongresit të Berlinit (9.475 km2). Nga një e dhënë e tillë del se Mali i Zi pas çdo lufte është zgjëruar vazhdimisht, ku një pjesë e konsiderueshme e atyre territoreve është e hapësirës etnogjeografike shqiptare
Dr. Nail Draga.
www.kohajavore.cg.yu



