Kosovarët “bojkotojnë” plazhet malazeze
DURRËS -Sezoni turistik i këtij viti pritet të jetë më i suksesshmi pas viteve ’90, pasi kosovarët kanë vendosur të frekuentojnë plazhin e Durrësit dhe të braktisin Ulqinin dhe Budvan. Ka disa ditë që kosovarët kanë nisur pushimet verore dhe me autobusë zbarkojnë në plazhin e Durrësit. Pronarët e vilave dhe të pallateve në plazhin e Durrësit, janë njoftuar se këtë sezon do të kenë një numër të madh kosovarësh të orientuar në drejtim të tyre, ndaj kanë marrë masa për përballimin e fluksit në rritje të turistëve.
STATISTIKAT
Ka 4 ditë që kosovarët nuk reshtin së ardhuri në plazhin e Durrësit. Policia Rrugore e cila monitoron automjetet, rezulton se gjatë këtyre ditëve, në zonën e Plazhit vijnë mesatarisht 20 autobusë në ditë, prej të cilëve zbarkojnë 900 deri në 1000 vetë. Sapo arrijnë në plazh, kosovarët priten nga pronarët e pallateve e të vilave të paraprenotuara apo që prenotohen në moment. Një pronar vile në plazh, i cili ka strehuar në banesën e tij 3 familje kosovarësh (kërkon që të mos identifikohet për të shmangur zyrën e Tatim-Taksave), sqaron se kosovarët kanë bërë këtë zgjedhje për dy arsye. Së pari, çmimet favorizuese që ofron Durrësi dhe e dyta ka të bëjë me një bojkot të plazheve të Ulqinit e Budvas, për shkak se Mali i Zi ende nuk e ka njohur Kosovën shtet të pavarur. Për të ardhur në Durrësi, një kosovari i kushton 20 euro udhëtimi nga Prishtina. Atyre që zgjedhin të strehohen nëpër vila në anën tjetër të rrugës, iu duhet të paguajnë nga 10 euro për çdo natë. Ndërsa ata që zgjedhin anën e detit, paguajnë 15 deri 20 euro natën. Pjesa më e madhe e kësaj kategorie pushuesish gatuajnë vetë nëpër dhomat e tyre dhe vetëm një pjesë e vogël prej tyre preferojnë restorantet.
PËRPARËSITË
Shtimi i turistëve kosovarë në Durrës, sipas konfirmimeve për gazetën, ka si shkak kryesor përmirësimin e kushteve dhe çmimet konkurruese. Në krahasim me plazhet e Ulqinit dhe të Budvas, plazhi i Durrësit është më ekonomik. Një pushues kosovar sqaron se në plazhet e Malit të Zi, llogaria bëhet në bazë të shtretërve. Kështu në Ulqin, një krevat nata kushton 5 deri 7 euro, ndërsa në Budva ai arrin deri në 10 euro. Sipas informacioneve që japin kosovarët të cilët janë akomoduar në Durrës, rezulton se rreth 30 për qind e fluksit të kosovarëve përfundon në Vlorë dhe Sarandë, ndërsa 70 për qind e tyre në Durrës. Kjo, kryesisht për shkak të çmimeve të leverdishme, por edhe për koston më të lirë të udhëtimit nga Prishtina. Nga ana e saj, Bashkia e Durrësit ka marrë masa për pastrimin e plazhit, duke shtuar numrin e personelit me punonjës sezonalë. Për çdo ditë plazhi dhe bregu i detit pastrohen nga mbeturinat, të cilat largohen me kamionë.
Autor / Artur Korriku
Burimi / (d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)






