Ulqini e Durrësi edhe sivjet do të “ndizen” prej këngëtareve Kosovar
Të njohurit e muzikës tonë thonë se këtë sezon vere do ta shfrytëzojnë goxha shumë duke bërë turne me koncerte në vende të ndryshme.
Njëra prej këngëtareve që do të ketë disa koncerte nëpër Kosovë është Genta Ismaili, e cila kohëve të fundit ka bërë disa foto “të nxehta në plazh” dhe që në këtë verë pritet t’i befasojë adhuruesit e saj me disa këngë.
Ismaili tha për Kosovapress se në këtë sezon vere do të ketë një turne me koncerte, nëpër qytetet e Kosovës. Por Genta për adhuruesit e saj do të këndojë edhe në Durrës dhe dy herë në Ulqin.
Ndërsa, këngëtari Naim Abazi, nuk ka menduar që gjatë verës të jetë shumë nëpër koncerte, pasi që ai tash do të fillojë një emision televiziv të Kosovës dhe thotë se duhet të jetë aktiv në emision.
Sa i përket Mihrie Brahës, bashkëshortes së tij, Naimi thotë se ajo do të marrë pjesë në disa koncerte në Tetovë dhe Tiranë.
Këngëtarja që ditë më parë festoi datëlindjen e saj të tridhjetë dhe e cila javë më parë për adhuruesit e saj promovoi këngën “Rroftë shqipja dhe vatani”, Rovena Stefa tha për Kosovapress se gjatë sezonit të pushimeve ajo do të këndojë në Durrës.
Në Durrës do të jetë edhe këngëtarja që muaj më parë është fejuar. Është fjala për Arta Bajramin. Ajo i tha Kosovapress-it se në sezonin e verës do të jetë në qytetin e Durrësit, duke shtuar se ka ofertë të këndojë edhe në Ulqin, por për këtë nuk ka vendosur ende.
Gjatë sezonit të verës angazhime të mëdha do të ketë edhe grupi Tingulli i trent. Këngëtari i këtij grupi Agon Sylejmani tha për Kosovapress se në sezonet e verës janë shumë të angazhuar nëpër mbrëmje të ndryshme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, por edhe në Ulqin.
Verë e nxehtë si duket do të jetë edhe në Shkup, pasi që më 10 korrik do të mbajë një koncert kitaristi dhe këngëtari Santano, kurse këngëtari, kitaristi dhe tekst shkruesi i popullarizuar i muzikës jazz dhe pop në skenën botërore, George Benson, më 25 korrik do të mbajë koncert në Ohër.
/L.Gashi/
Kosovapress





