“E dua qytetin tim” për mbrojtjen e Ulqinit – Video

Sonte 31 korrik, në Shtëpinë e Kulturës në Ulqin ato do të prezantohen para publikut vendas dhe pushuesve në qytetin bregdetar.

“E dua qytetin tim” është motoja e aktivitetit kulturo – ekologjik që ka bërë bashkë një grup aktivistësh të qytetit bregdetar të Ulqinit. Një film i shkurtër dokumentar i titulluar “Ulqini jemi ne”, si dhe 46 fotografi, janë rezultat i punës gati dyvjeçare të anëtarëve të organizatës “Green Step”. Qëllimi i tyre është që krahas prezantimit të bukurive të këtij qyteti, të promovohet ruajtja e tyre. Bukuritë e detit Adriatik që prekin qytetin e Ulqinit, Kalaja shekullore, shumë monumente të tjera kulturore e deri tek fusha me ullinj, do të pasqyrohen nëpërmjet një vepre të artit të shtatë dhe imazheve fotografike. Mbrëmjen e së shtunës së 31 korrikut, në Shtëpinë e Kulturës në Ulqin ato do të prezantohen para publikut vendas dhe pushuesve në qytetin bregdetar.
Gazmend Çitaku, njëri nga organizatorët e këtij evenimenti, ka thënë se me këtë aktivitet po godasin dy herë.
“Në njërën anë kemi treguar të mirat e vendit, e në anën tjetër kemi synim të përcjellim mesazh për ruajtjen e tyre”, ka thënë Çitaku nëpërmjet telefonit. Sipas tij, ana artistike e këtij aktiviteti, dikujt mund t’i pëlqejë e dikujt jo, por për një gjë është e sigurt.
“Mesazhi do të jetë i fuqishëm për qytetarët”, ka thënë ai.
Filmi i shkurtër dokumentar, “Ulqini jemi ne”, i shtrirë në 17 minuta, sipas Çitakut, nuk ka synim të fitojë ndonjë çmim për vlera artistike.
“Por me këtë film mundohemi të kthejmë vëmendjen në vlerat të cilat i kemi dhe të cilat për çdo ditë po i humbasim”, ka thënë Çitaku.
Arijana Kurmemi, Xhelal Hoxha, Zharko Miroviq, Driton Malohoxhiq, Azra Kurmemi – Vukoviq, Zenepa Likoviq, Toni Lulgjuraj dhe Gazmend Çitaku janë okteti që për dy vjet ia kishte vënë vetes këtë mision.
Duke bërë për herë të parë një gjë të tillë, ata një kohë të gjatë janë angazhuar për identifikimin e vlerave të këtij vendi.
Tre të fundit janë ata që me fotoaparatet e tyre kanë fokusuar gjithçka që u ka asociuar në prezantimin dhe nevojën për ruajtjen e bukurive të Ulqinit. Ekspozita fotografike me këto imazhe do të hapet krahas shfaqjes premierë të “Ulqini jemi ne”.
“Edhe me këtë kemi dashur të tërheqim vëmendjen për problemet tona ekologjike”, ka thënë Çitaku.
Gjatë kësaj kohe, sipas tij, grupi ka punuar edhe për hartimin e një plani strategjik, i cili ka të bëjë me vlerat ekologjike, kulturore dhe historike të Ulqinit, e i cili do t’i prezantohet Kuvendit Komunal.

KOHA NET

E dua qytetin timGazmend Çitaku  Facebook


1