Jusuf Buxhovi i ftuar special në “Shasi 2011”
Ulqin, 7 korrik – Manifestimi, tashmë tradicional – ”Dita e poezisë shqipe – Shasi 2011”, të cilin bashkërisht e organizojnë Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe organizata joqeveritare “Harmonia”, mbahet më 7 gusht në pikën më atraktive të territorit të Komunës së Ulqinit, në ambientet antike të Shasit, njofton KosovaLive.
“Stafi organizues i aktivitetit, në mbrëmjen e kaluar unanimisht ka vendosur që i ftuari special i edicionit të sivjetmë të këtij manifestimi elitist letrar të jetë shkrimtari i spikatur nga Republika e Kosovës, Jusuf Buxhovi, i cili do të promovojë romanin e tij më të ri, ”Lufta e fundit e Bashkim Kosovës”, që tashmë është prezantuar në shumicën e qendrave kryesore shqiptare në Ballkan. Mbi këtë vepër është ftuar të flasë kritiku i shquar letrar ,Ramadan Musliu, po ashtu nga Kosova”, tha të enjten, Tahir Tahiri, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi.
Në “Shasi 2011”, përveç shkrimtarëve shqiptarë nga Ulqini, Ana e Malit, Malësia, kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe tri poetesha nga Republika e Shqipërisë, Ledia Dushi , Suzana Zisi dhe Luljeta Dano.
Organizatorët kanë hartuar një program të veçantë, si lundrimi me barkë nëpër liqenin e Shasit, pastaj vizitë deri në Krajë, si dy lokalitete të njohura të trashëgimisë sonë kulturo-historike.
Projektin e manifestimit “Dita e poezisë shqipe ,Shasi 2011”, e ka përkrahur Fondi i pakicave të Malit të Zi.
KOHA NET





