Klubi i karatesë “Ulqini” përgatitet për pjesëmarrje në Turneun e VI ndërkombëtar të karatesë në Gjilan
Edhe në Gjilan do të dëshmojmë që jemi superiorë
Më 16 tetor 2011 në Gjilan, Kosovë, do të mbahet Turneu i VI ndërkombëtar i karatesë “KATANA OPEN 2011”, turne ky që organizohet nga Federata e Karatesë së Kosovës dhe Klubit i karatesë “Dardania” i Gjilanit.
Në këtë Turne do të marrin pjesë klube nga Shqipëria, Maqedonia, Bosna, Serbia, Kroacia, Mali i Zi, nga Lugina e Preshevës dhe klubet nga Kosova.
Klubi i karatesë “Ulqini” do të paraqitet me 21 garues, nën udhëheqjen e Drejtorit të marketingut Skender Tahirit, anëtarit të Kryesisë së Klubit Muzafer Salihut dhe trajnerëve Kujtim Sukaliqit, Anell Beganoviqit dhe Ruzhdi Ramës, të cilët shprehen:
– Turneu në Gjilan është një ndër turnetë më të mirë në Kosovë, si dhe më i forti sa i përket konkurencës. Ne vite me radhë jemi zgjedhur klubi më i mirë i kësaj gare dhe shpresojmë që edhe kësaj here do të jemi më të mirët. Falënderojmë për ftesën Federatën e Karatesë së Kosovës dhe udhëheqësin e Klubit të karatesë “Dardania” zotëri Maliq Maliqin, të cilin e çmojmë shumë dhe i cili është një koleg e mik i nderuar për ne. Edhe kësaj here do të përfaqësojmë qytetin tonë me dinjitet si gjithmonë. Synojmë që edhe në garat e ardhshme do të jemi në treshen e klubeve më të mira në plasman gjeneral. Në klub kemi plot 110 anëtarë, prej të cilëve 73 garues. Kemi punuar me seriozitet me të gjitha gjeneratat dhe jemi shumë të përgatitur për gara. E vetmja që kërkojmë, është përkrahja dhe ndihma e të gjithëve, individëve dhe institucioneve.
Trajnerët falenderojnë kryetarin e klubit Loro
Nrekiqin, drejtorin e marketingut Skender Tahirin dhe udhëheqësin e ekipit profesionist Gjergj Daboviqin për punën e tyre të palodhur përherë duke ndihmuar të rinjtë tanë.
Klubi i Karatesë “Ulqini”





