Mirnjohje nga KSHILLI NACIONAL TE SHQIPETARENE NE MAL TE ZI

March 30, 2013   | 

Nga Gjekë Gjonaj

Kur njeriu në një afat të shkurtër kohor përjeton ngjarje të këndshme domethënëse në jetë dhe në krijimtari natyrshëm mund të quhet fatlum. I tillë është protagonisti i kësaj mbrëmje albanologu, shkrimtari, poeti, studiuesi, folkloristi, gazetari dhe atdhetari ynë tashmë i njohur edhe në rrafshin mbarëkombëtar prof.dr.Bahri Brisku. Ky intelektual i mirëfilltë muajëve të fundit më duket mjaft i përmbushur shpirtërisht dhe emocionalisht, ndoshta si rrallë ndonjëherë më parë, për tri arsye.
Bahri Brisku-Antar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro – Amerikane

Së pari profesori ynë i nderuar pak muaj më parë u pranua anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro – Amerikane në një ceremoni të zhvilluar në Detriot, e cila në përbërje të saj ka emra të shquar të artit, kulturës dhe shkencës shqiptare, me motivacion “Për rezultatet e larta të arritura në botimet e tija në fushën e shkencës dhe kulturës shqiptare.” Ky vlerësim i madh që iu bë profesor Briskut është rezultat i punës së tij të suksesshme shumëvjeçare në fushën e letrave shqipe, por edhe e veprimtarisë së tij të bujshme patriotike, e cila është shembull për brezat e ri shqiptar se si duhet të luftojnë për mbrojtjen e të drejtave tona kombëtare.

Së dyti Bahri Brisku sot feston 80 – vjetorin e lindjes, përvjetor që besoj do ta lakmonim të gjithë sikur të gëzonim shëndetin mjaft të mirë të profesorit.

Së treti ky personalitet i dha kulturës kombëtare shqiptare edhe një tjetër vepër të çmuar „Këngë popullore të shqiptarëve në Mal të Zi“, fryt i një përkushtimi të thellë dhe pasioni të madh ndaj krijimtarisë gojore të shqiptarëve në këtë shtet.
Bahri Brisku.1

Të gjithë i kemi dëgjuar thëniet : ” Populli është pasuria më e madhe. Ai është i mënçuri, ai është i zgjuari, ai e ka urtinë ashtu, origjinale”. Ne, kemi vetëm një detyrë: ta njohim, ta mbledhim e ta botojmë këtë urti. Dhe pikërisht këtë e bëri me shumë dashuri Bahri Brisku, i cili në një takim të fundit me buzëqeshje siqnqerisht më tha: “ Ky libër që unë kam botuar nuk është imi, është i popullit tim. Unë, vetëm e kam shkruar, – për besë! Autori kësaj pune të madhe, shumë të lodhshme por me vlerë kombëtare iu qas në vitet 50-të të shekullit të kaluar kur shërbente si mësues në vendlindjen e tij në Krajë, të cilën ai e vlerësonte si djepin e folklorit të shqiptarëve në Mal të Zi. Prej atëherë gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë së tij ishte “ bleta” që mblodhi “ nektarin” më të mirë të shqiptarëve në Mal të Zi , letërsinë dhe traditën e tyre gojore, etnografike dhe folklorike, këtë thesar të çmuar popullor për ne dhe brezat e ardhshme. Gjithë këtë punë, lëvizje , gjurmim i shënoi me laps në fletore dhe me një magnetofon, të cilat vazhdimisht i mbante në krah fshatrave të thella të Ulqinit, të Anës së Malit, të Krajës, të Tivarit, të Malësisë së Madhe ( Hot, Grudë, Triesh e Kojë), të Plavës, dhe të Gucisë. Edhe pse në kohë të vështira, pa infrastrukturë të duhur rrugore, shpesh pa automjete ky dashamir i kulturës shqiptare nuk ndiente lodhje. Përkundrazi mbledhja e folklorit nga këngëtarë e rrëfimtarë të shumtë i jepte kënaqësi, frymëzim, pasion, vullnet e forcë. Sepse e dinte fare mirë se në këtë mënyrë është duke bërë një punë të madhe. Në shoqërimin e folkloristit të ndjerë Lorenc Antonit i nxitur nga figura poliedrike e kulturës shqiptare Anton Çeta, themelues i Arkivit Folklorik të Institutit Albanologjik të Prishtinës , pastaj të rrjetit të bashkëpunëtorëve të jashtëm nga trevat e gjera të shqiptarëve në ish Jugosllavi, pjesë e të cilit ishte edhe profesor Basriu, bashkë me mbledhësit e tjerë të folklorit nga radhët e shqiptarëve në Mal të Zi Imzot Simon Filipajn, Ismail Dodën, Patër Zef Jankajn, Anton Berishën, Pjetër Gjuravçajn, Mirash Gojçajn, Idriz Ulajn e ndonjë tjetër, duke qëndruar me ditë të tëra në oda të burrave nëpër fshatra të ndryshme shqiptare bëri të mundur jo vetëm grumbullimin e këtij thesari popupullor , por edhe sistemimin dhe botimin e pjesërishëm të tij fillimisht në revistën “ Gjurmime albanologjike – Folklor dhe Etnologji ” . Ndërkohë ky material folklorik i shërbeu profesor Briksut të magjistrojë në temën “ Lirika popullore Ulqin – Shestan- Bregu i Bunës” dhe të doktorojë në temën” Deti dhe detarët në letërsinë popullore shqiptare”.
Bahri Brisku.3

Në këtë përmbledhje te vëllimshme prej 630 faqesh e cila tash sheh dritën e botimit në kuadër të 100- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe siç thashë më parë 80-vjetorit të lindjes së autorit janë përfshirë këngët e djepit, këngët dhe lojërat e fëmijëve, këngët satirike, këngët e punës, këngët e dashurisë, këngët e dasmës, këngët e Rilindjes Kombëtare, këngët popullore për ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vajtimet, këngët e mërgimit, baladat, këngët qytetare dhe këngët epike të kreshnikëve.

Prof. Bahri Brisku me veprimtarinë e tij krijuese shkencore dhe atdhetare pa dyshim mbetet një figurë e nderuar dhe e rëndësishme e kulturës shqiptare. Një personalitet i respektuar i arsimit, një dritë rrezatuese e shqiptarisë e atdhedashurisë. Ai la gjurmë të pashlyeshme edhe në fushën e gazetarisë, detarisë së Ulqinit, mbledhjes së kulturës popullore, në fushën e krijimtarisë së prozës e poezisë artistike e gojore. Ai e kreu detyrën e shenjtë në shërbim të kombit dhe atdheut të vet.

Profesor, Ju falenderoj për punën shumë të mirë që keni bërë. Ju përgëzoj nga shpirti për qëllimet fisnike që i keni vënë vetes. Ju dëshiroj mbi të gjhitha shëndet dhe mbetem me shpresë që së bashku do të festojmë edhe 85- vjetorin tuaj, me një botim të ri, pse jo.