Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi

January 20, 2009   | Shoqëria / Društvo

zgjedhjet-parlamentare-ne-mal-te-ziNëse ka vullnet, mund të miratohet Ligji i ri zgjedhor
Pasi që Kushtetuta e re është në fuqi që një vit, atëherë shtrohet pyetja: a nuk ka pasur kohë që të bëhet përshtatja e ligjit me Kushtetutën e re? As tani nuk është vonë. Por, sipas të gjitha gjasave, zgjedhjet do të shpallen në bazë të ligjit të vjetër dhe në kundërshtim me Kushtetutën e re, që krijon nonsens juridik.
Fillimi i Vitit të Ri në Mal të Zi filloi me befasi në fushën e politikës. Tashmë është e sigurt se do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Pritet që për këtë të vendoset në seancën e Parlamentit, të konvokuar për 21 janar, ndërsa, pritet që zgjedhjet parlamentare të mbahen në fund të muajit mars.
Neve na intereson kjo situatë e re nga rrafshi i interesave të pakicës nacionale shqiptare në Mal të Zi. Si do të kalojnë subjektet politike shqiptare në këtë situatë të re e cila doli plotësisht e papritur?! A mjaftojnë dy muaj për t`u përgatitur për një gjë të rëndësishme siç janë zgjedhjet parlamentare?

Ligji zgjedhor

Nga rrafshi i një minoriteti nacional, është me rëndësi primare se si do të trajtohet ai në kuadrin e Ligjit zgjedhor. Me Ligjin aktual, shqiptarët etnikë përbëjnë njësinë e vëçantë zgjedhore dhe i kanë të garantuara pesë mandate në Parlamentin e Malit të Zi. Mirëpo, ajo që është qenësore, është përshtatja e Ligjit zgjedhor me Kushtetutë. Sepse me Kushtetutën. është paraparë që bartësit e këtyre pesë mandateve të “rekrutohen” nga radhët e partive nacionale shqiptare. Deri tani nuk është bërë përshtatja e Ligjit zgjedhor me Kushtetutën e re. Ndërsa, Kushtetuta është ligji themelor i çdo shteti dhe nga ai ligj themelor burojnë të gjitha ligjet e tjera. Po ashtu, këto ligje nuk guxojnë të jenë në kundërshtim me Kushtetutën. Pasi që kushtetuta e re është në fuqi që një vit, atëherë shtrohet pyetja: a nuk ka pasur kohë që të bëhet përshtatja e ligjit me Kushtetutën e re? As tani nuk është vonë. Por, sipas të gjitha gjasave, zgjedhjet do të shpallen në bazë të ligjit të vjetër dhe në kundërshtim me Kushtetutën e re, që krijon nonsens juridik.

Integrimi i pakicave

Çfarë qëndrimi do të mbajnë partitë nacionale shqiptare lidhur me këtë çështje? Në momentin aktual, kjo është e vetmja çështje ku të gjitha janë unanime; pra, dakord se interesat e pakicës shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi duhet të përfaqësohen nga deputetët që vijnë nga partitë shqiptare. Kjo çështje është e rregulluar në këtë mënyrë edhe në vende të tjera të cilat kanë më shumë përvojë edhe në traditën kushtetuese dhe legjislacion në përgjithësi. Kjo është e vetmja mënyrë që pakicat nacionale të mbrohen nga asimilimi dhe mënyrë e mirë që, duke e përkrahur sociodiversitetin (ose, siç është bërë më e zakonshme të dëgjohet – multietniciteti), të nxiten pakicat që të integrohen në një shoqëri. Ndërsa, ligji i mirë zgjedhor jep kornizë të mirë ligjore që ky integrim të bëhet mbi bazat e partneritetit me shumicën etnike. Në realitet, mund të thuhet se integrimi dhe partneriteti janë nocione shumë të afërta. Sepse, integrimi nuk është asimilim. Derisa asimilimi nënkupton shkrirjen etnike dhe kulturore të pakicës enike me shumicën, integrimi nënkupton pjesëmarrjen e pakicës etnike në të gjitha strukturat dhe të gjitha nivelet e një shteti krahas ruajtjes së të gjitha veçorive etnike dhe kulturore që e karakterizojnë atë pakicë.
Interesi i Malit të Zi është integrimi dhe, përmes integrimit – afirmimi i pakicave, pra, edhe pakicës shqiptare. Aq më tepër që shqiptarët cilësohen nga të gjithë të tjerët në Mal të Zi për nga identiteti gjuhësor dhe kulturor. Ligji i ri zgjedhor do të ishte kornizë juridike e cila do ta bënte reale idenë e integrimit dhe të afirmimit të gjithanshëm të shqiptarëve në Mal të Zi. Pra, nëse ekziston vullneti i mirë, nuk është vonë të aprovohet ligji i ri zgjedhor, në pajtim me Kushtetutën.

Xhoana M. Perkaj
xhoanaperkaj@yahoo.com