Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi votuan pro tekstit të Kushtetutës

January 19, 2008   | Uncategorized

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi votuan pro tekstit të Kushtetutës

Ligjvënësit e Malit të Zi u deklaruan të hënën pro propozimit të tekstit të Kushtetutës së re, në mënyrë që këto alternativa të dalin në diskutim publik brenda 30 ditësh.
Alternativat e propozuara nga Këshilli kushtetues u miratuan me 65 vota pro dhe 2 kundër. Deputeti i Lidhjes Demokratike (LD në MZ), Mehmet Bardhi, ka deklaruar se propozimi është i papranueshëm dhe se ai është kundër tij. Bardhi ka kërkuar që të sigurohen të drejtat e pakicave në mënyrë individuale dhe kolektive.
Edhe deputeti i Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH), Ferhat Dinosha, ka deklaruar se duke u bazuar në dekadën e fundit ku shteti i Malit të Zi ka pasur kujdes ndaj pakicave, tani të drejtat duhet të definohen me ligj.
Të gjithë shefat e klubeve të deputetëve në Parlament kanë vlerësuar se Kushtetuta si akti më i lartë juridik, është një provim i pjekurisë dhe se duhet të kënaq interesat e të gjithë qytetarëve.

KËSHILLI PËR LIRITË DHE TË DREJTAT E NJERIUT FORMOI GRUPIN PUNUES PËR PËRPUNIMIN E PROPOZIMT TË VENDIMIT PËR KRIJIMIN E FONDIT PËR PAKICA 22.03.2007
Obligim ligjor dhe kushtetues

Grupi punues i përbërë nga Vasel Sinishtaj (koordinator), dr. Omer Axhoviq, dr. Amer Haliloviq, Bozho Nikoliq, të përkrahur edhe nga Rifat Rastoder (në seancën e së hënes për krijimin e Fondit për Pakica) morën përsipër që deri në fund të këtij muaji ta përpunojnë edhe një herë Propozimin e vendimit për krijimin e Fondit për Pakica, inicuar muaj më parë nga deputeti i ASH, Vasel Sinishtaj. Të gjithë folësit e përkrahën krijimin e Fondit, duke e karakterizuar atë si nevojë dhe obligim ligjor. Gjatë debatit pati edhe propozime që një herë të miratohet Kushtetuta e re, pastaj të krijohet Fondi. Propozuesi i këtij vendimi, Vasel Sinishtaj, e përkrahi themelimin e Grupit punues duke konstatuar se me një dialog dhe punë korrekte do ta realizohet kjo detyrë deri më 31 mars, por në anën tjetër ai tha edhe se – afati ligjor për themelimin e këtij fondi ka skaduar.

Këshilli Parlamentar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në seancën e së hënes mori vendimin për formimin e një grupi punues prej katër anëtarësh ( Vasel Sinishtaj, ASH – koordinator, Bozho Nikoliq (IQK), dr Omer Axhoviq (PDS) dhe Amer Haliloviq (PB) me qëllim që Propozimi i vendimit për krijimin e Fondit për Pakica ( inicuar nga Vasel Sinishtaj) edhe një herë të përpunohet që të vihet deri te një formulim, i cili do të ketë përkrahjen e shumicës së grupit punues dhe me këtë formulim të dilet para Këshillit të Kuvendit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut më 31 mars, me çka ky këshill pas aprovimit do të duhej që t`ia propozojë Kuvendit të Malit të Zi.

Themelimi i Fondit nuk duhet të zvarritet

“Zvarritja e themelimit të Fondit mund të jetë vetëm zvarritje e kohës për t`iu shmangur obligimit për sigurimin e të hollave”, ka thënë për “Kohën javore” propozuesi i vendimit për krijimin e Fondit për Pakica, Vasel Sinishtaj. Sipas tij dikush e keqkupton Fondin si shumë të hollash, por në të vërtetë thotë ai: “Ky është vetëm një trup punues, i cili do të merrej me avancimin e të drejtave dhe lirive të pakicave”. Deputeti Sinishtaj nuk e ka të qartë se pse deri më tani askush nga anëtarët e Këshillit nuk ka treguar interesim që ky dokument të përpunohet, ose të ndërrohet, pasi që, siç thotë ai: “Propozimi i vendimit është dorëzuar që në fillim të janarit të këtij viti”. Sipas tij, detyrë kryesore e Fondit do të jetë ruajtja dhe zhvillimi i pakicave në fushën e kulturës, informimit, gjuhës, identitetit etj. Ai është i mendimit se propozimi i vendimit për krijimin e Fondit për Pakica në Mal të Zi është një risi. “Meqë shumica e anëtarëve të komisionit janë mjekë, neve nuk na nevojitet një shërim mjekësor, por një akt ligjor, i cili ka të bëjë me bazën e Kushtetutës dhe Ligjin mbi liritë dhe të drejtat e pakicave”.
Disa nga folësit e seancës së të hënes potencuan që më parë të pritet miratimi i Kushtetutës së re të Malit të Zi, pastaj të krijohet Fondi për Pakica. Sinishtaj këtë e sqaron duke thënë se “krijimi i Fondit nuk ka pritje. Ai duhet që sa më parë të krijohet, kurse Kushtetuta nuk ka ngutje, nga se është akti më i lartë juridik, por edhe politik i shtetit” duke shtuar se “nevojat për formimin e Fondit janë të njëjta, si për ata që janë në parti qytetare, po ashtu edhe për ata në partitë nacionale. Ne si qytetarë nuk duhet të presim se çfarë do të na ofrojë Qeveria apo Parlamenti, por duhet që ne vetë të bëjmë kërkesa, propozime për avancimin e të drejtave të pakicave, sidomos kur atë na e mundëson Ligji dhe Kushtetuta”.

Teksti i propozuar në mospërputhje me Kushtetutën dhe Ligjin

Folësi i radhës dr. Omer Axhoviq (PDS) gjatë diskutimit e përkrahi iniciativën për themelimin e Fondit për Pakica, por sipas tij “propozuesi, Vasel Sinishtaj, si jurist i ka ngatërruar rregullat e propozimit të këtij Fondi. Së pari, është dashur që të krijohen këshillat (Këshillat qendrore për pakicat nacionale), kurse më vonë të themelohet edhe Fondi, si përkrahje materiale. Andaj, – shprehet më tej Axhoviq, ideja është e mirë. Ne e përkrahim krijimin e këtij fondi, por teksti i propozuar i komshisë dhe kolegut tim është plotësisht në mospërputhje dhe në dis-harmoni me Kushtetutën dhe Ligjin”. Anëtari i këtij komisioni, dr. Omer Axhoviq është i mendimit që më parë të miratohet Kushtetuta e re e Malit të Zi, pastaj Këshillat nacionale dhe në fund Fondi për Pakica.

Propozimi t vendimit nuk do të ketë përkrahje në Kuvendin e Malit të Zi

Rifat Rastoder (PSD) në lidhje me Propozimin e vendimit të Vasel Sinishtajt deklaroi se “nga ana e shumicës parlamentare nuk do të bëhet me asnjëfarë obstruksioni, para së gjithash nga ana ime, që me vite të tëra merrem me këtë problematikë dhe jam njëri nga të parët iniciatorë për krijimin e Fondit për Pakica”. Ai e vlerëson propozimin e Sinishtajt si një nxitje për zbatimin e një norme ligjore, por sipas tij mjerisht përmbajtja e këtij propozimi nuk është e tillë që të mund të hasë në përkrahje. “Nëse e duam Fondin, atëherë ai duhet të krijohet në bazë të Ligjit për të drejtat e pakicave, ku thuhet se Fondi themelohet për arsye të nxitjes së aktiviteteve nga fusha e mbrojtjes së të drejtave të pakicave.
Gjatë diskutimit ai shprehu keqardhje se ky propozim i vendimit nuk do të ketë përkrahje në Kuvendin e Malit të Zi, duke sqaruar se neve na duhet të gjejmë një model, që do të na shërbente për rregullimin e kësaj çështjeje.
Edhe pse afati për krijimin e Fondit për Pakica ka skaduar, është plotësisht e arsyeshme dhe ligjore që ai brenda këtyre 15 ditëve të përkrahet nga anëtarët e Këshillit, me qëllim që ai t`i dërgohet në shqyrtim Parlamentit të Malit të Zi, pasi që të gjithë anëtarët e këtij komisioni e përkrahin themelimin e Fondit, andaj nuk ka më arsye që miratimi i tij të zvarritet, pasi që Ligji për liritë dhe të drejtat e pakicave ëshë miratuar pak përpara referendumit dhe sepse krijimi i Fondit parashihet me ligjin për liritë dhe të drejtat e Pakicave, ku mjetet për punën e Fondit sigurohen në Buxhetin e Republikës dhe nga burimet e tjera.
www.koha javore.cg.yu
Rrok Dushaj