Interesim për statusin e shqiptarëve në Kushtetutën e re të Malit të Zi

January 19, 2008   | Uncategorized

Interesim për statusin e shqiptarëve në Kushtetutën e re të Malit të Zi

Një delegacion i Lëvizjes “Atdheu na bashkon” nga SHBA, i kryesuar nga kryetari Gjon Lulgjuraj, vizitoi nga data 16 – 18 maj Malin e Zi, ku zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të pushtetit republikan, pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në Ulqin dhe Tuz, përfaqësues të subjekteve politike shqiptare dhe atyre joshqiptare në këtë vend, si dhe me intelektualë shqiptarë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare në Ulqin
Delegacioni u takua ndër të tjera me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, përfaqësuesit e partive politike shqiptare, kryetarin e Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, kryetarin e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Xhaudet Cakuli, kryesinë e Komunës Urbane të Tuzit, kryetarin e Lëvizjes për Ndryshime, Nebojsha Medojeviq, përfaqësues shqiptarë të PDS-së dhe PSD-së, si dhe me intelektualë dhe përfaqësues të OJQ-ve të Ulqinit.
Qëllimi i kësaj vizite, sipas përfaqësuesve të Lëvizjes “Atdheu na bashkon”, ishte vazhdimi i ndërtimit të urës së bashkëpunimit mes diasporës dhe vendlindjes, për t`u njohur nga afër me vizionin politik për përcaktimin e statusit të shqiptarëve në Kushtetutën e re të Malit të Zi, si dhe vazhdimi i iniciativës së marrë vitin e kaluar për të ndihmuar në bashkëpunimin më të ngushtë dhe sinkronizimin e veprimtarisë së partive politike shqiptare.
Para vizitës në Mal të Zi, përfaqësuesit e Lëvizjes “Atdheu na bashkon” zhvilluan bisedime edhe me autoritetet në Shqipëri dhe Kosovë ku u njohën me situatën në këto vende.