Pjesëmarrje e vogël e shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale serbe

January 25, 2008   | Lajmet / Vijesti

Preshevë-Bujanoc.– Një numër i vogël shqiptarësh nga Lugina e Preshevës kanë marrë pjesë të dielen në zgjedhjet presidenciale serbe, ka konstatuar « presheva.com ». « Nga 30.848 qytetarë me të drejtë vote në komunën e Preshevës kanë votuar gjithsejt 2.341 qytetarë ose 7,32% », ka bërë të ditur koordinatori komunal i trupit punës për zgjedhje, Behlul Selimi. Shumica e zgjedhësve në Preshevë kanë qenë serbët lokal, të cilët janë përcaktuar kryesisht për kandidatin e Partisë Radikale Serbe (SRS), Tomislav Nikoliqin i cili ka siguruar mbi 1000 vota. Ndërkaq konsiderohet se pjesa dërmuese e qindrave shqiptarë të Preshevës të cilët kanë marrë pjesë në zgjedhje kanë votuar kryesisht për kandidatin e Partisë Liberale-Demokratike (LDP), Çedomir Jovanoviqin i cili është radhitur i dyti me vota të fituara me mbi 400 vota. Po ashtu edhe në Bujanoc është vërejtur një pjesëmarrje e vogël e shqiptarëve vendorë. Ashtu sikur edhe në Preshevë edhe në Bujanoc ka fituar më së shumti vota të serbëve lokalë Tomislav Nikoliqi me mbi 6000 vota, ndërkaq vlerësohet se shqiptarët e kanë votuar kryesisht Çedomir Jovanoviqin me rreth 700 vota. Sipas mediave në gjuhën serbe, nga liderët lokalë shqiptarë kanë votuar vetëm deputeti popullor, Riza Halimi dhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi. Të gjitha partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës kishin ftuar për bojkot të zgjedhjeve presidenciale, përpos Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe Bashkimi Demokratik i Luginës (BDL) të cilat qenë përcaktuar kundër bojktotit, por pa bërë ftesë për pjesëmarrje.

www.presheva.com/

1