Triangolare shqiptarësh në Ulqin, fiton Besa e Starovës

January 25, 2008   | Sporti / Sport

Në Ulqin koha është shumë e bukur dhe nuk ka asgjë të përbashkët me dimrin. Gjelbërimi që mbizotëron kudo në ambientet ku janë akomoduar skuadrat shqiptare, të jep përshtypjen se ndodhemi në pranverë, pasi edhe temperaturat luhaten mbi 20 gradë. Parditja e së dielës ishte pushim absolut për të gjitha skuadrat që po kryejnë fazën përagtitore në Ulqin. Një pjesë e mirë e futbollistëve shqiptarë e shfrytëzuan këtë kohë të lirë duke zbarkuar në qytetin e Ulqinit. Gjatë orëve të paradites së djeshme në rrugët e Ulqinit shikoje më shumë futbollistë shqiptarë, sesa banorë vendas. Paraditja e së dielës ishte disi e shkretë, pasi një pjesë e madhe e dyqaneve ishin të mbylluara, megjithatë futbollistët shqiptarë i shikoje në çdo cep të Ulqinit. Në këtë paradë të futbollistëve tanë në rrugët e Ulqinit shikoje lojtarë të Vllaznisë, Shkumbinit, Besës, Partizanit dhe të Veleçikut. Peqinasit ishin më të shumtët, që ishin të pranishëm në qytet, jo vetëm paraditen e së dielës, por edhe në mbrëmjen e së shtunës. Gjithashtu, prapa peqinasve nuk ishin as përfaqësuesit e Kavajës dhe të Koplikut. Shkodranët zbarkuan në qytet pak më vonë se të lartpërmenduarit, të cilët vinin me taksi dyshe-dyshe. Ajo që binte më shumë në sy ishte prania e pakët e futbollistëve të Partizanit. Vetëm tre “dema të kuq” kishin preferuar që të dilnin në qytet. Edhe gjatë ditës së djeshme u vërtettua se “armata e kuqe” është më e disiplinuara dhe kërkon që të marrë sa më shumë energji nga “operacioni i dimrit”, që po kryejnë në Ulqin. Megjithëse dihej se në orët e padites do të zhvillohej një triangolare midis Besës, Partizanit dhe Shkumbinit, peqinasit dhe kavajasit nuk e vrisnin shumë mendjen, pasi kërkonin që ta shfrytëzonin pauzën e paradites. Përveç shëtitjes dhe ndonjë pazari të vogël që bënë, ata preferuan që të pijnë edhe ndonjë kafe ne lokalet e qytetit. Pas konsumimit të drekës, skudrat e Partizanit, Besës dhe Shkumbinit janë përgatitur për triangolaren midis tyre. Fusha ku do të luhej kjo triangolare ishte shumë pranë hotelit, madje kishte nga ata që nuk ishin pjesë e këtyre skuadrave, por e ndoqën aktivitetin nga ballkonet e hotel “Olimpik”-ut. Mysafirët në këtë aktvititet ishin të shumtë, ku përveç tifozëve të tria skuadrave, që kishin udhëtuar nga Shqipëria, të pranishëm ishin edhe disa lojtarë të Vllaznisë dhe të Veleçikut.

Kati i fundit i hotelit, “central” telefonik

Hoteli “Olimpik”, ku janë sistemuar 3 skuadrat shqiptare këto ditë përgatitoresh të dimrit, ofron kushte optimale për fjetje, por edhe infrastrukturën e duhur në fusha. Lojtarët ndihen mirë këtu, edhe pse qejfi ua ka që vetmia të mos ishte kaq e madhe. Do të dëshironin ta kishin më afër qytetin, ku ka jetë, sepse kështu do të kalonin sadopak edhe rutinën e përditshme hotel-stërvitje. Sidoqoftë, është fat që u punon celulari, përmes të cilit komunikojnë me njerëzit e familjes, me miq dhe shokë të tyre. Në fakt, ata kanë gjetur një pikë “strategjike” për këtë, katin e fundit të hotelit, sepse në vende të tjera nuk ka valë për telefoninë e lëvizshme shqiptare. Të gjitha ata që duan të flasin në celular, ngjiten në katin e fundit të hotelit, aty ku është e mundur të zhvillohet biseda, sepse aty ka valë telefoni. Në këtë kat fle vetëm punëtori i fushës së Partizanit, Barami, sikurse i thërrasin të gjithë, por ai nuk ndihet i shqetësuar aspak, edhe pse kjo pjesë e hotelit është shndërruar tamama në një central telefonik.