Misioni BE në Kosovë

January 26, 2008   | Lajmet / Vijesti

Ministrat e Bashkimit Evropian pritet të japin të hënën e ardhshme miratimin zyrtar për dërgimin e misionit prej 1 800 personash, të përbërë nga policë, gjykatës, prokurorë dhe zyrtarë të shërbimit doganor për të siguruar stabilitetin e Kosovës, pasi kjo e fundit të shpallë shkëputjen nga Serbia. BE-ja planifikon ta dërgojë këtë mision përpara se liderët e Kosovës të shpallin pavarësinë. Të gjithë anëtarët e BE-së, përveç Qipros, mbështesin dërgimin e menjëhershëm të misionit, ndërkohë që pritet që Nikosia më shumë ta kundërshtojë këtë vendim sesa ta bllokojë. Qiproja, që ka bërë të qartë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet të pavarur, thotë se dërgimi i misionit të BE-së nënkupton marrjen të mirëqenë të statusit të Kosovës. Me mbështetjen ruse, Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës, një zonë që serbët e konsiderojnë si djepin e kombit të tyre. Kosova ndodhet nën administrimin e OKB-së që nga viti 1999. Edhe presidenti ukrainas, Viktor Jushçenko, ka shprehur shqetësimin për pavarësinë e Kosovës. Në një intervistë me gazetën ”Financial Times”, Jushçenko thotë se është i shqetësuar se disa persona do të kërkojnë të bëjnë analogji mes Kosovës dhe rajoneve të ish-Bashkimit Sovjetik si Abkhazia e Osetia e Jugut, që kufizohen me Ukrainën.