Ura e Klleznës – monument i kulturës

January 26, 2008   | Kulturë / Kultura

Prej kohërave më të hershme e deri sot janë ndërtuar ura të ndryshme, të cilat mund quhen vepra të artit. Edhe në Anë të Malit janë ndërtuar disa ura që kanë mundësuar qarkullimin pa pengesë të udhëtarëve. Ura më e njohur në këtë mjedis është ura e ndërtuar në fshatin Kllezën, të cilën pa mëdyshje mund ta quajmë monument më impozant të kësaj natyre jo vetëm në këtë trevë por edhe më gjerë. Kjo urë është ndërtuar prej guri mbi përroin e Megjyreçit, në vitin 1696, në Klleznën e Sipërme (komuna e Ulqinit). Ajo ka këto dimensione: gjatësia 12m, gjerësia 3.60m, lartësia nga fundi i lumit 9.26m, trashësia e gurëve te çelësi 80cm. Për ndërtimin e kësaj urë është një rrëfim interesant që u përcoll brez mbas brezi deri në ditët tona. Thuhet se mjeshtri i cili e ka ndërtuar këtë urë ka qenë nga Dibra. Atij kjo punë i është ofruar nga klleznorët; ai ka thënë se gëlqerja e cila do të përdoret për ndërtim duhet të qëndrojë në gropë 15 vjet. Mbas kësaj periudhe, mjeshtri dibran dhe një punëtor tjetër e kanë ndërtuar këtë urë. Pas kryerjes së punës, mjeshtri është vrarë dhe është varrosur në afërsi të xhamisë, ku edhe sot ekziston varri. Thuhet se atë e ka vrarë për motive te ulëta ish punëtori i tij. Nëpër këtë urë kanë qarkulluar banorët e Klleznës, por edhe të tjerët të cilët kanë udhëtuar nga kjo anë për në Ulqin e gjetiu. Ndërsa, me rastin e ndërtimit të rrugës Ulqin-Krythë në vitin 1954, pranë kësaj urë është ndërtuar ura e re për qarkullimin e mjeteve të komunikacionit, dhe nga ajo kohë ura e vjetër humbi vlerat e mëparshme duke u bërë dytësore. Që nga ndërtimi i saj nuk është bërë ndonjë intervenim apo restaurim i saj, ndërsa në vitin 1982 ajo pësoi goditje, sepse mbi urë, pasi u hoqën gurët, u vendosën gypat e ujësjellësit të Millës, duke krijuar kanalin përkatës. Por për fat ura nuk pësoi dëme të mëdha, edhe pse një gjë e tillë ka mundur të ndodhë. Ndërkaq sikur të kishte pasur trajtimin e monumentit të kulturës, një gjë e tillë nuk do të ki-shte ndodhur. Prandaj vlerësoj se është e udhës që pushteti vendor i Ulqinit të marrë iniciativë që ura e Klleznës të evidentohet në regjistrin e monumenteve të kulturës dhe si e tillë të këtë mbrojtje li-gjore. Vetëm në këtë formë do të dëshmonim në praktikë se dëshirojmë të ruajmë dhe të përkujdesemi për këto pak monumente që ekzistojnë në mjedisin tonë.

Nail Draga

www.buzuku.cg.yu