Intervistë me Shaban Gjekaj, drejtor i Qendrës së Kulturës – Ulqin

January 28, 2008   | Kulturë / Kultura

Qendra e Kulturës duhet të jetë më aktive

Koha javore: Z. Gjekaj, Ju keni ardhur në krye të Qendrës së Kulturës para pak më shumë se një muaji. Cilat janë problemet me të cilat jeni ballafaquar në fillim të punës tuaj në drejtim të këtij institucioni?
Sh. Gjekaj: Po është e vërtetë se Qendra e Kulturës përballet me probleme të mëdha, por të gjitha këto probleme me ndihmën e kolegëve të mi, bashkëpunëtorëve, këshillit drejtues, kryetarit të Komunës dhe Kuvendit të Komunës mendoj se do tzi zgjidhim dhe do të ecim përpara në zhvillimin e artit dhe kulturës. Sepse është koha që Qendra e Kulturës të merret me kulturë dhe të jetë më aktive. Jam shumë i lumtur që këto vitet e fundit të karrierës sime do të merrem me art dhe kulturë. Ky është profesioni i shpirtit tim të cilin ma ka dhuruar natyra.
Për tzu rikthyer te problemet, më duhet të pranoj se ne ballafaqohemi me shumë probleme, duke filluar që nga pallati i ri i Qendrës së Kulturës, i cili nuk ka ndriçim e as foni. Pastaj kemi probleme me sallën verore në Ranë, e cila këto vitet e fundit nuk është marrë me kulturë dhe me art, por ka shërbyer si diskotekë, gjë që përbën një degradim të kulturës. Ne kemi në plan që sivjet ta rikthejmë atë në gjendjen e mëparshme duke shërbyer për veprimtarinë e saj thelbësore. Pra, në sallën verore do të mbahen koncerte, do të shfaqen filma, ndoshta do të mbahet edhe java e filmit shqiptar, do të mbahet Panairi i Librit dhe mjaft aktivitete të tjera kulturore.
Po ashtu kemi në plan që edhe sallën e vogël të kinemasë në qendër të qytetit, e cila është jashtë përdorimit, ta rinovojmë në mënyrë që edhe ajo tzi kthehet veprimtarisë së vet.
Kemi në plan që edhe skena në Kala të modernizohet sepse po dëmtohet çdo vit. Sivjet mendojmë të bëjmë diçka më të sigurt dhe më të bukur që do të përdoret përgjithmonë.

Koha javore: Cili do të jetë koncepti juaj i menaxhimit të Qendrës së Kulturës? çfarë mendoni se ka nevojë të ndryshojë diçka në këtë drejtim?
Sh. Gjekaj: Si dashamir i artit, si artist, unë kam obligime akoma më të mëdha që tzi kontribuoj zhvillimit të artit dhe kulturës në Ulqin. Por siç thotë populli “Trimi i mirë me shokë shumë”. Domethënë unë kam shpresë në stafin tim drejtues, kurse kryetari i Komunës dhe kryetari i Kuvendit të Komunës shpresoj të na mbështesin.
Ne duhet të vendosim kontakte me estradat dhe me qendrat e njohura kulturore shqiptare, duke filluar nga Shkodra, e pastaj të vazhdojmë edhe me qytete të tjera, të vendosim kontakte me Elbasanin, Durrësin, Krujën, Tiranën, dhe me disa qytete të Malit të Zi, si Tivarin, Tivatin, Podgoricën, Rozhajën, etj. Pra, me të gjitha këto qytete do të bashkëpunojmë, do të komunikojmë dhe do të kemi kontakte duke shkëmbyer programe kulturore.
Duhet të vendosim bashkëpunim edhe me Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi, bashkëpunim që ka ekzistuar edhe deri më tash, por ky bashkëpunim duhet të jetë edhe më intensiv. Po ashtu do të vendosim bashkëpunim edhe me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë.

Koha javore: Deri tani Qendra e Kulturës apo më mirë të them objektet e saj kanë shërbyer më tepër si vend ku të tjerët kanë mbajtur aktivitete kulturore. Kur mund të presim që Qendra e Kulturës të jetë edhe prodhuese e kulturës?
Sh. Gjekaj: Patjetër që do të jetë edhe prodhuese, pra do të prodhojë vetë art dhe kulturë. Prandaj, edhe një herë i ftoj të gjithë artistët e komunës sonë dhe çdokënd që merret me art dhe kulturë që e kanë derën e hapur për bashkëpunim. Le të vijnë, le të kontaktojnë me ne, të na japin ide, të punojmë së bashku.
Le të punojmë pra së bashku për aktivitete të tilla siç është për shembull Festivali i Fëmijëve, Panairi i Librit. Ne mendojmë të mbajmë edhe Festivalin e Këngës Qytetare, javën e filmit shqiptar, etj. Pra, të gjitha këto aktivitete duhet të bëhen në Pallatin e Kulturës.
Qendra e Kulturës duhet ta ketë një estradë dhe një trupë bazë të veten në mënyrë që çdo herë kur na fton dikush të jemi gati të marrim pjesë si me orkestër, por pse jo edhe me ndonjë trupë të vogël teatrore. Në këtë drejtim na duhet një mbështetje financiare nga Komuna sepse dy ose tre profesionistë, një shef orkestre ose ndonjë këngëtar, një regjisor apo një koreograf normalisht duhet ta kenë ndonjë pagesë të vogël që të punohet mirë.

Koha javore: Festivali “Skena verore” është njëri prej aktiviteteve kryesore që organizohet nga Qendra e Kulturës. Ju potencuat nevojën e ndryshimit të skenës. Po sa i përket programit, cili është vizioni juaj për festivalin? A do të ndryshojë diçka në konceptimin e tij?
Sh. Gjekaj: Unë besoj se koncepti i Festivalit është në rregull, por vetëm duhet të bëjmë përpjekje që të sjellim trupa ndoshta pak më cilësore dhe më të mira. Ne kemi plan që në pranverë të shkojmë dhe të kontaktojmë me të gjitha trupat dhe estradat në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, në mënyrë që sivjet qysh heret ta dimë se cilat grupe do të vijnë sepse e kemi një bazë financiare të sigurt. Në të kaluarën ka ndodhur shpesh që kontratat me artistë apo trupa që kanë marrë pjesë janë realizuar vetëm disa ditë para Festivalit. Pra, e ritheksoj, sivjet e kemi një bazë financiare të sigurt për Festivalin “Skena Verore” dhe për Festivalin e Fëmijëve, që është një plus i madh.

Koha javore: Cili do të jetë bashkëpunimi me subjektet e tjera që merren me kulturë në qytetin e Ulqinit?
Sh. Gjekaj: Ne jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë. Unë besoj se të gjithë artistët e komunës sonë dhe më gjerë janë gëzuar që unë kam ardhur në këtë detyrë. Unë jam dashamir i të gjithë atyre që merren me art dhe kulturë, prandaj ata do ta kenë përkrahjen time.
Unë i ftoj për bashkëpunim të gjitha organizatat joqeveritare, shoqatat, artistët që merren me art dhe kulturë, që të vijnë dhe të bashkëpunojnë, të hapin ekspozita, të mbajnë promovime. Pra këtu e kanë derën hapur, sepse unë do tzu jap shans të gjithëve. Unë ia di hallin çdo artisti sepse edhe unë vetë, ta zëmë, kam pasur nevojë dhe kam nevojë për një koncert recital, etj. Prandaj të gjithë artistët mund të vijnë për bashkëpunim dhe të shfaqin idetë dhe dëshirat e tyre.

Bisedoi: I. Kallaba