Procesi gjyqësor ndaj 18 shqiptarëve nga malësia

Nuk kam punuar kundër Malit të Zi
Podgoricë – Dodë Lucaj, i cili është akuzuar për përgatitjen e aksioneve terroriste dhe për fillimin e luftës në Mal të Zi më 10 shtator 2006, ditën e zgjedhjeve parlamentare, i mohoi të gjitha deklaratat në të cilat e kishin përmendur të pandehurit Gjon Dedvukaj, Anton Sinishtaj, Viktor Sinishtaj, Sokol Ivanaj dhe Rrok Dedvukaj.
“Nuk është e vërtetë se Gjon Sinishtaj të më ketë parë në Tuz në mars të vitit 2006. Ai me siguri nuk ka mundur të më shohë gjatë pesë-gjashtë viteve të fundit”, tha Lucaj.
“Këto akuza nuk janë të sakta. Nuk kam pasur takime në Shkodër dhe Tiranë. Nuk kam bashkëpunuar me UÇK, as që kam qenë kryetar i çfarëdo fondacioni. Në SHBA është shpallur hetimi nëse kam financuar grupe terroriste. Këtë mund ta kërkoni nga SHBA-ja, në mënyrë që të konstatohet e vërteta”, tha Lucaj.
I pandehuri Anton Sinishtaj mbeti pranë mbrojtjes së mëparshme, duke thënë se deklarata në polici nuk është e tij.
“Deklarata në polici është rezultat i torturës policore dhe fryt i fantazisë sime të bujshme nga vepra letrare, ditari im famoz që nuk ka kurrëfarë lidhjeje me realitetin. Nuk është e vërtetë se Lucaj ka premtuar se do të financojë çfarëdo organizate terroriste”, sqaroi Anton Sinishtaj.
Edhe Rrok Dedvukaj dhe Viktor Sinishtaj i mohuan akuzat duke theksuar se deklaratat e dhëna në polici ishin të montuara.
![]()





