Rrezikohet trashëgimia kulturore-historike e Ulqinit

January 29, 2008   | Kulturë / Kultura

Monumentet e lëna pasdore në Ulqin Është në interesin e të gjithëve që, në radhë të parë, pushtetarët vendorë dhe shtetërorë të bëjnë diçka në revitalizimin e monumenteve kulturore-historike të kësaj hapësire shqiptare.
Ulqini, siç dihet, është i pasur me monumente kulturore-historike me motive natyrore, antropogjene, etnografike, etnologjike etj. Të rrallë janë ata vizitorë e dashamirë të kulturës shqiptare që, së paku, nuk kanë dëgjuar për Qytetin e Vjetër të Ulqinit, kalanë më të vjetër të Adriatikut, lokalitetin e Shasit, të Kruçit, të Zogajve, Sahat – kullën, Muzeumin Etnografik dhe Etnologjik të Ulqinit e monumente të tjera kulturore-historike të këtij qyteti me lashtësi mbi 2500 vjeçare. Shumica e turistëve të huaj që kanë qëndruar në Ulqin kanë mbetur të mahnitur me bedemet e Kalasë së Ulqinit, dhe të Shasit, dikur qytet, ku , sipas gojëdhënave, ka patur aq kisha sa ditë ka viti. Kësaj trashëgimie kulturore – historike magjepsëse, për fat të keq, fare pak, të mos themi aspak, po i kushtohet kujdes. Të gjitha monumentet e përmendura dhe të tjerat pothuaj janë lënë pas dore. Qyteti i Vjetër i Ulqinit, që nga tërmeti i vitit 1979, nuk është valorizuar. Atje nuk ka gjallëri e pastërti si dikur, nuk ka ndriçim të duhur publik, nuk ka aktivitete kulturore, përjashtuar këtu festivalin veror, i cili ka mbetur në suaza stereotipe, shumica e rrugicave janë të pakalldrëmuara. Po ashtu edhe Muzeumi Arkeologjik apo Etnografik ende nuk janë të pasuruar në atë masë sa e meriton Ulqini. Në komunën e Ulqinit, me sa dimë, në aspektin arkeologjik, prej vitit 1985 e deri më sot, nuk është bërë asnjë hulumtim shkencor. Pavle Mijoviqi është arkeologu i fundit i cili ka hulumtuar diçka në trevën e Ulqinit, por shumëçka ka mbetur pa u zbuluar. Në lokalitetin e Kruçit në vitin 1984 janë zbuluar disa objekte. Nërkaq në lokalitetin e Zogajve, që është monument historik nga periudha e hekurit, që nga viti 1963 nuk është bërë asnjë hulumtim shkencor, arkeologjik apo historik. Pas dore është lënë edhe lokaliteti i Shasit. Të njëjtin fat e ndanë edhe Sahat -kulla . Ulqini është i vetmi vendbanim turistik në bregdetin e Malit të Zi, që prej tërmetit të vitit 1979 e deri më sot nuk ka ndërmarrë asgjë në mirëmbajtjen e Sahat -kullës. Ulqini deri në vitin 1976 ka patur 32 kroje, prej të cilave ka mbetur vetëm një në rrugën kryesore të qytetit, por jo në formën e mëparshme. Kjo dëshmon se sa përkujdesje i është kushtuar dhe po i kushtohet trashëgimisë kulturore në këtë komunë.Veç kësaj brengos fakti se një numër i konsiderushëm i monumenteve kulturore-historike janë zhdukur fare, kurse një pjesë e tyre janë fshehur, duke filluar nga periudha mesjetare. Andaj do të ishte në interesin e të gjithëve që, në radhë të parë, pushtetarët vendorë dhe shtetërorë të bëjnë diçka në revitalizimin e monumenteve kulturore-historike të kësaj hapësire shqiptare.

Gjekë Gjonaj