Trajtimi i ndërtimit pa leje në Ulqin

January 30, 2008   | Intervista / Intervju

 

Ndalimi i së ndaluarës
Paradoks i llojit të vet është deklarata për ndalimin e ndërtimeve. Ndalim që duhet të jetë i garantuar me ligj, e jo me lutje dhe kërkesa ndaj ndërtuesve. “Ndalimi i së ndaluarës”, tregon shumë qartë se ndërtimi pa leje është toleruar me vetëdije një kohë të gjatë dhe pikërisht ky fakt zgjon dyshim në efektin e tij. Ndalimi është mekanizëm ligjor e jo formulë për zgjidhjen e këtij problemi urbanistik të grumbulluar me vite.

Mentor Llunji

Tregimi apo përralla e objekteve dhe ndërtimeve pa leje, ka vite që vazhdon të tregohet…
Diçka është e sigurt, se ndërtimi i egër është një fenomen i përbashket për të gjitha vendet ku korrupsioni është letërnjoftim për organet shtetërore.
Ndërtimi i egër është prodhim që vjen si kombinim i joefikasitetit të organeve komunale, kërkesës gjenetike njerëzore për ndërtim, derdhjes së kapitalit të freskët dhe rritjes së atraktivitetit të një zone ku ndërtohet. E tërë kjo mbështetet me mungesë koncepti të zyrtarëve për zhvillim afatgjatë të një rajoni, vendi…
Fakt është se çdo herë ka ekzistuar tentativa (deklarative) që ndërtimi i egër të ndalohet, mirëpo rrallë ka pasur sukses… Kur flitet për Ulqinin në këtë aspekt, çdo herë më kujtohet një thënie e arkitektit të famshëm amerikan (F.L..Wright), i cili para shumë viteve pat thënë se Nju Jorku paraqet monument të fuqisë dhe parave; e unë po them se Ulqini në ditët e sotme paraqet një monument të devastimit të një qyteti. Rreziku qëndron në atë se devastimi i qytetit çdo herë përcillet prej nivelit arkitektural dhe urbanistik në atë njerëzor dhe moral…..

Ku qëndron problemi i (mos)trajtimit adekuat të ndërtimeve të pa leje?

Objekti pa leje është objekt i ndërtuar pa dokumentacion të aprovuar dhe pa përfillur planet (mos)ekzistente urbanistike. E planet paraqesin “rregullat e lojës” sa i përket ndërtimit… “Rregullat e lojës” i referohen kryesisht dimensioneve vertikale dhe horizontale të objektit, stilit arkitektonik, pozicionit, orientimin të objektit dhe thjesht shkallës e inkorporimit të atij objekti në rrethinë dhe ambient. Po të garantohet edhe stabiliteti i objektit dhe siguria e tij ndaj tërmetit, atëherë mund të thuhet se bëhet fjalë për një objekt që i ka plotësuar kushtet ligjore dhe profesionale që të futet në punë dhe përdorim….Shtrohet një pyetje e thjeshtë: Sa objekte në Ulqin i kanë plotësuar këto kushte të domosdoshme? Sipas të gjitha gjasave një numër shumë, shumë i vogël…
Ndalesa e bërë ndërtimeve ditë më parë nga udhëheqësia e Komunës së Ulqinit, është ndalesë e cila shpresoj se është thënë me sinqeritet, mirëpo edhe këtë herë deklaratat e tilla të japin përshtypje se Komuna nuk ka një zgjidhje të qartë në horizont …Ndalesa nuk ka prodhuar ndonjë efekt, por vetëm i ka dhënë pushim të merituar punëtorëve dhe ndërrmarrësve të cilët tash disa muaj kanë qenë mirë të ngarkuar me punë ilegale anembanë Komunës së Ulqinit…
Paradoks i llojit të vet është deklarata për ndalimin e ndërtimeve. Ndalim që duhet të jetë e garantuar me ligj, e jo me lutje dhe kërkesa ndaj ndërtuesve. “Ndalimi i të ndaluarës”, tregon shumë qartë se ndërtimi i egër është toleruar me vetëdije një kohë të gjatë dhe pikërisht ky fakt zgjon dyshim në efektin e saj. Ndalesa është mekanizëm ligjor e jo formulë për zgjidhjen e këtij problemi urbanistik të grumbulluar me vite.
Rritjen e paradoksit e ndihmon bukur mirë mungesa tash disa vite e planeve, të cilat sipas fjalëve të zyrtarëve të Komunës, do të jenë gati “për disa muaj”… dhe atë jo për të gjithë qytetin por vetëm për disa pjesë të tij.
Lihet të kuptohet se në rend të ditës ende nuk janë Shtoji, Kruci, Ada dhe pjesë tjera të qytetit që meritojnë urgjencë dhe që janë të goditura deri në pafundësi me ndërtim të egër.
Mungesa e dhënies së alternativave dhe moscaktimi i afateve të sakta të përfundimit të planeve nuk jep garancë për sukses të ndalesës.
Fakti se nuk do të ketë plane edhe për një kohë, është shenjë e mirë për të gjithë ndërtuesit pa leje që të vazhdojnë punën e vet ilegale, duke u (mos)fshehur nga inspeksionet komunale dhe republikane…

Selektimi selektiv

Cili do të jetë fati i objekteve që selektohen si “pa leje” është pyetje e cila kërkon përgjigje shumë të qartë.
Fjala selektim, do të thotë përzgjedhje.
E përzgjedhja në gjuhën shqipe nënkupton të zgjedhësh diçka duke marrë parasysh disa karakteristika, veti, preferenca lidhur me objektin (sendin) i cili zgjedhet. Cilat pra janë kriteret profesionale të cilat bëjnë përzgjedhjen e objekteve të egra..Duke shikuar listën e objekteve ilegale të prezantuar në media, është e vështirë të mos çuditesh… Të “selektuar” ishin vetëm disa nga mijëra sish… Me një fjalë nuk gjen rregullativë të qartë apo lidhshmëri logjike dhe profesionale në përzgjedhjen e – vetëm disa objekteve.
Iniciativa pra është e mirë, por shumë dobët e realizuar.
Ne duhet të themi haptas, se ndërtimi i egër është shkelje par exellance e ligjit. Por po ashtu duhet të cekim se ai ligj është shkelur së pari nga vetë shteti, duke mos reaguar në mënyrë korrekte dhe me kohë ndaj të gjitha ndërtimeve në mënyrë të njëjtë. Është shkelur dhe ndihmuar nga vetë shteti duke i “legalizuar” në një mënyrë objektet pa leje, me kyçjen e tyre në sistem, qoftë të ujësjellësit, apo atij elektrik.
Nuk ka ndërtime “më pak” pa leje dhe “më shumë” pa leje… Ka ndërtime të cilat e kanë respektuar procedurën ligjore dhe profesionale dhe të tilla që nuk e kanë respektuar atë. Prandaj të gjithë duhet të kenë trajtim të njëjtë, e kurrsesi selektiv, siç po vërehet nga listat e zbuluara në media.
Brenga për “selektimin selektiv” të objekteve për shënjestër, vërehet edhe në fjalët e zyrtarëve komunalë se – “Disa objekte duhet të rrëzohen”. Fjala “disa” mund të interpretohet dhe keqpërdorohet në shumë mënyra.
Të përkujtohemi atëherë se çka thotë neni 70 i ligjit mbi ndërtimin (viti 2000).
Ligji obligon njësitë e administratës lokale, që brenda 2 viteve të bëjnë evidentimin e objekteve të ndërtuar pa leje. I njëjti nen e obligon njësinë e administratës lokale që 1 vit pas kryerjes së regjistrimit, d.m.th. deri në fund të vitit 2003 të marrin masa për gjetjen e mundësive të dhënies së lejeve, gjegjësisht rrëzimin e objekteve nëse dhënia e lejes nuk është e mundshme.
Nga kjo kuptohet se me këtë ligj (nen) parashihet se nuk mund të ndërrmirren masat e rrëzimit të objekteve që nuk kanë leje, nëse nuk i kanë paraprirë masat e parapara me këtë ligj dhe të cilat janë të natyrës imperative.
Ky “selektim selektiv” do të thotë të jesh selektiv edhe ndaj ligjeve në fuqi. E të jesh selektiv ndaj aplikimit të ligjit është vetëm një formë më subtile e shkeljes së tij.
Me gjasë për suksesin e kësaj mase, Komuna duhet të jetë shumë më transparente dhe serioze ndaj trajtimit të mundshëm të objekteve të egra. Duhet të dalë në mënyrë të qartë me procedurën e zyrtarizuar dhe profesionale të evidentimit të objekteve “problematike”, e kurrsesi të mos varet fati i objektit nga mëshira e të punësuarëve në Komunë, nga përkatësia partiake, familjare etj.

Legalizimi!?

Si mjet për daljen nga tollovia e krijuar urbanistike,shpesh përsëritet se legalizimi mbetet si shpëtim i vetëm. Legalizimi në realitet është një zgjidhje e dobët, zgjidhje kundër etikës profesionale, e dëmshme për shumë pjesë të qytetit, zgjidhje e cila në një mënyrë e aprovon shkeljen e ligjit, zgjidhje që është tepër jo fer ndaj atyre që kanë ndërtuar “me dokumente. Por prapë zgjidhje e vetme, kur e dijmë se opsion tjetër është rrëzimi që patjetër do të ishte selektiv dhe i padrejtë ndaj shumë qytetarëve.
Për një pjesë të madhe të objekteve, procedura e legalizimit mund të kryhet shumë shpejt, me dokumentacion dhe procedurë të thjeshtëzuar. Megjithatë mbetet pjesa tjetër e objekteve ndaj të cilave duhet pasur kujdes të veçantë.
Brenga më e madhe mbetet i ashtuquajturi – Risku seizmik, apo thënë thjeshtë, sa janë të sigurta objektet e ndërtuara pa leje. Sa objekte të ndërtuara pa leje i plotësojnë kushtet elementare të stabilitetit, sigurisë së banorëve të tij dhe sa prej tyre janë të aftë që tzu rezistojnë tërmeteve të mundshme, kur dihet se Ulqini është zonë e theksuar seizmike. Kjo brengë vjen nga fakti se së paku 90% e objekteve të egra në komunë janë ndërtuar nga kuadrot joprofesioniste, të paevidentuar, të padokumentuar, pa asnjë çertifikatë që i aftëson për punë ndërtimore, pa asnjë kontroll teknik, pa projekt, me materiale të kulitetit dhe prejardhjes së dyshimtë.
Cili do të jetë efekti i legalizimit të një objekti i cili ndoshta mund të inkorporohet nga aspekti urbanistik, mirëpo nuk jep asnjë garancë për një siguri minimale të banorëve të atij objekti? Ky problem rritet kur dihet se ekziston një numër jo i vogël objektesh që i kalon 3, 4 dhe 5 kate, objekte të cilat në sezonin turistik mund të pranojnë 50-100 persona. Apo objekte që mund të rrezikojnë 50-100 persona në rast të tërmetit të mundshëm…
Pra, duke i pasur parasysh këta faktorë, del se masat/zgjidhjet urbanistike, për Komunën e Ulqinit do të jenë tepër të komplikuara, të zgjatura dhe shumëdimensionale. Problem ky të cilin, sipas të gjitha gjasave, Komuna e Ulqinit nuk ka kapacitet që ta zgjidhë… Për këtë arsye “ndalimi i ndërtimit” është tregues se ky problem duhet të trajtohet, por edhe tregues i qartë i mungesës së qasjes dhe vendosmërisë për zgjidhjen e këtij problemi.