Krojet e betonuara ose Kronika e humbjes së identitetit Ulqinak

January 31, 2008   | Kulturë / Kultura

Krojet më të bukura janë betonuar, u kanë humbur gjurmat dhe për ato pak që kanë mbetur, nuk kujdeset askush, se vetëdija e ulqinakëve nuk e arrin atë sferë të domethënies së tyre. Rrjedhja e kronikës së humbjes së krojeve dhe burimeve të ujit, është treguesi më i mirë i rrjedhjes së kronikës së humbjes së identitetit qytetërues, kombëtar, gjuhësor dhe civilizues.
Nëse pyetja, letra, komunikata… e dërguar, mbetën pa u përgjigjur, pa reagim, pa informim, atëherë dërguesi e humbë automatikisht besimin, bindjen dhe interesimin kundrejt faktorit që nuk ka reaguar aspak në pyetje ose informatë (në Perëndim është kjo e sigurt si “amin” në xhami ose kishë). Kjo mënyrë e të vepruarit (gjegjësisht e mosveprimit) tregon se ai, ajo ose ata, që nuk reagojnë, nuk informojnë dhe nuk përgjigjen, tregojnë mosinteresim dhe ashtu e humbin te personat, faktorët ose institucionet autoritetin, kredibilitetin dhe seriozitetin. Kështu që në Perëndim ka ndodhur dhe ndodhë, që mosreagimi, mospërgjigjja në një propozim, sugjerim, ide ose pyetje, ka qenë dhe është shkaku i mosnënshkrimit të kontratave, mosvazhdimit të një biznesi ose punës së caktuar.
Nëse në Perëndim është caktuar termini ose takimi për bisedë-pune, për diskutim ose prezantimin personal ndërmjet dy palëve – e njëri vonohet në atë takim, por nuk e ka informuar palën që pret që nuk do të arrijë me kohë për shkak të faktorëve objektivë ose subjektivë, pala që është duke pritur toleron maksimalisht 5-10 minuta vonesë (me kusht se është paralajmëruar vonesa e palës që pritet). Nëse njëra palë që është pritur në takim nuk ka ardhur në kohën e caktuar, e as që e ka lajmëruar palën që pret për vonesën eventuale ose të paraparë, pala e pritur “vdes” në çdo pikëpamje për palën që ka pritur. Me fjalë të tjera, nëse një person, firmë apo institucion ka caktuar një termin takimi, kurse pala tjetër nuk ka ardhur me kohë dhe as që ka lajmëruar shkakun e vonesës, kjo e dyta mund “të harrohet” përjetësisht.
Po si është situata në Ulqinin tonë kur janë në pyetje takimet, terminet dhe “paslajmërimet”, gjegjësisht, mbajtja e rregullave, e saktësisë, e përgjegjësisë, këtë e dinë edhe zogjtë në gem. Karakteristikë e ulqinakëve, kur është në pyetje takimi, termini i caktuar për këtë ose atë punë, është se janë të pasaktë, pa përgjegjësi, pa ndërgjegjësim për atë që është duke pritur në takim dhe as që e lajmërojnë partnerin ose personin që pret. Ose i ka zënë gjumi, ose kanë harruar fare, ose ndërkohë u ka ndryshuar mendja dhe nuk kanë interes ose interesim më për atë termin ose takim. Pse të shqetësohen, nesër e përcaktojnë prapë një termin… Nëse ua merr mendja përsëri të mos shkojnë – ata nuk shkojnë… “Punë e madhe fort!”

Krojet e shuara

Vetëdija dhe kultura e ruajtjes së burimeve historike e arkitektonike të një vendi luan rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit nacional, qytetërues dhe civilizues. Krojet dhe burimet e ujit, si simbol i jetës, kanë qenë në Ulqin me shekuj pjesë e jetës së gjeneratave të tëra. Sot askush nuk ka më nevojë për kroje publike me qëllim të furnizimit me ujë, pasi që çdo shtëpi i ka më së pakti katër-pesë kanjela (rubinete) ujit shkaku i turistëve dhe turizmit. Por krojet burimore, historike kanë humbur për shkak të barbarizmit mental, pavetëdijes së rëndësisë të këtyre monumenteve historike të funksionarëve politikë të asaj kohe, të viteve tetëdhjetë dhe qëllimeve asimiluese të projektuesve maqedonas me përkrahjen e organeve shtetërore të Malit të Zi dhe Ulqinit, si dhe mentalitetit profitues e egoist të arkitektëve ulqinakë.
Krojet më të bukura janë betonuar, u kanë humbur gjurmat dhe për ato pak që kanë mbetur, nuk kujdeset askush, se vetëdija e ulqinakëve nuk e arrin atë sferë të domethënies së tyre. Rrjedhja e kronikës së humbjes së krojeve dhe burimeve të ujit, është treguesi më i mirë i rrjedhjes së kronikës së humbjes së identitetit qytetërues, kombëtar, gjuhësor dhe civilizues.
Në shtetet perëndimore krojet kanë vlerë historike, kultivohen dhe rinovohen, vihen nën mbrojte të ligjeve shtetërore, komunale dhe fitonin status të pasurive shpirtërore, intelektuale dhe trashëguese. Ato e zbukuronin pamjen e qyteteve, fshatrave dhe mëhallëve të shumta dhe ruhen dhe kultivohen si lulet në park, dhe me kujdes të veçantë u përcillen gjeneratave të ardhshme.
Shkalla e civilizimit dhe vlerësimit kulturor të një populli ose shoqërie matet ose peshohet në bazë të arritjeve, ruajtjes dhe kultivimit të monumenteve, simboleve, veprave dhe krijimtarisë shpirtërore, intelektuale, spirituale, urbane, arkitektonike, në sferat, lëmenjtë dhe fushat kulturore artistike.

Facit
Përfundimisht, ky mozaik mental, i cili është rezultat i fakteve të jetës së përditshme në Ulqinin tonë, mund të akcentohet edhe me disa guralecë të domosdoshëm, që janë pjesë përbërëse e ngritjes së nivelit të vetëdijes së të gjitha strukturave shoqërore, pa të cilat nuk mund të ketë përparim, zhvillim, civilizim as qytetërim. Disiplina, ndërgjegjja, përgjegjësia, serioziteti, saktësia, korrektësia, karakteri i fortë, largpamësia, autoriteti, aftësia, karizma, personaliteti, vendosmëria, bindja, besa, mbajtja e fjalës së dhënë, vizionet, idetë, idealet, neutraliteti, mosanimi… nuk mund të përvetësohen ose të arrihen, përveç aspekteve të lartpërmendura, pa dashurinë ndaj vendit të vet. Në këtë rast ndaj Ulqinit si – djepit tonë!

Silver Korda.