Fati dhe metafora e shegës nga Naim dhe Sami Flamuri

February 4, 2008   | Kulturë / Kultura

“Koha e Shegës” me autorë Naim dhe Sami Flamurin, të njohur përmes librit “E përjetshme është Shqipëria”, sapo u hodh në qarkullim nga shtëpia botuese “Ideart”. “Për lehtësi e marrëveshje me lexuesin po e quajmë “roman” këtë tekst që në vetvete s’është gjë tjetër veçse një shkrim a jetëshkrim mbi atë që vërtet ka ndodhur në jetën tonë”, – thonë autorët në parathënie. “Të tjerë njerëz, më të latuar në këtë fushë, janë të lirë ta klasifikojnë librin si një “real story”. I këtillë edhe është, por më mirë le të mbetet pa emërtesë, pa mbërtheckë a etiketë zhanresh, pasi ky libër nuk është njëlibër “i pastër-pure” nga ana stilistike. Ai është njëkohësisht fiction dhe nonfiction, monolog dhe dialog; janë kujtime, histori dhe hamendje, është katalog fotosh dhe herbarium bërë me gjethet-vite të rëna nga koha, vite që nuk jetojnë tjetërkund veç kujtesës. Me pak fjalë ky libër është një tekst i hapur, gjithmonë në përpunim, në vijimësi e sipër”.

Në tekst lexuesi do të takojë fatin e rrallë të një familjeje shqiptare, ulqinake, të familjes së cilës i përkasin autorët e këtij libri. Është jeta që u ra për short. Të detyruar nga rrethanat kjo familje u shtrëngua të shkërmoqet, por jo të zhbëhet. Autorët kanë krijuar kështu metaforën e shegës – kokrrës së shegës, si njësi dhe tërësi, metaforën e një familjeje të shpërbërë nëpër botë për të mbërritur më pas tek historia e një kombi që edhe pse i ndarë dhe i shpërndarë, po fillon të mblidhet sërish.

Të shpërndara mes tekstit dhe jetës së përditshme vjen gjithë çfarë mbeti në kujtesën e njerëzve të atyre viseve: aventura në kërkim të varrit të motrës së Skanderbegut, zonjës Mara Kastriota, të dhënat dhe interpretimet mbi Otellon-arapin e Venetikut dhe takimin e Shekspirit me të, vijnë këngë e gojëdhëna mbi atë njeri që e gjithë bota e njeh si Servantes – krijuesin e Don Kishotit, ndërsa Ulqini si e njeh si Servet – të dashurin e fshehtë të bukuroshes nga nga Ulqini. Historitë vijojnë me Sabatai Zevin – Mesinë e rremë apo shenjtorin e mohuar – Mjeshtrin e mërguar të Kabalasë me varr në Ulqin, mbi Gjon Bdek Buzukun, mbi gusarët, Haxhi Aliun dhe shumë histori të njohura e të panjohura që këto vise të bukura fshehin nga kështjella gjer në det, nga AnaMali gjer tek krahu i Krajës, nga Liqeni i Shkodrës, gjer në Grykëderdhje të Bunës, nga Terra Australis, tek mitologjia e udhëtimit të Jasonit në krye të argonautëve si ndjellje e përhershme.

Atij që mendon se kam vdekur thuaj se unë jam gjallë,

kurse kujt mendon se jam gjallë, thuaju se kam vdekur…”!

Kështu thonë mistikët. “Ky libër frymëzohet nga këto thënie si dhe gjithçka tjetër e mençur dhe e vyer, e virtytshme dhe e drejtë që do të ndeshni në vijim…”

Naim dhe Sami Flamuri

www.shekulli.com.al

4