Ferhat Dinosha përsëri lider i UDSH-së

February 4, 2008   | Lajmet / Vijesti

Kuvendi i V zgjedhor i Unionit Demokratik të Shqiptarëve rizgjodhi Ferhat Dinoshën për kryetar të partisë. Kuvendi nxori edhe dokumente partiake siç janë; Statuti partiak, Programi politik i partisë, Raportin në mes të dy Kuvendeve si dhe rezolutën për Kosovën ku kjo e fundit shkaktoi reagime të shumta tek partitë opozitare. Reagimet për rezolutën filluan që në Kuvend ku, Aleksandar Damjanoviq nga Partia Popullore Socialiste deklaroi se, UDSH dhe PPS kanë qëndrime të kundërta lidhur me statusin e Kosovës.
Qëndrimin e liderit Dinosha, që ky do të jetë viti i pavarësisë së Kosovës, si dhe miratimi i Rezolutës për Kosovën ku kërkohet që Kosova sa më parë të jetë e pavarur, është i pa pranueshëm dhe kategorikisht e kundërshton edhe Lista Serbe deklaroi zëdhënësi i saj, Dobrillo Dedeiq.
Kuvendi shkaktoi edhe reagime tjera ku për të përditshmen “DAN” kryetari i Lidhjes Demokratike të Malit të Zi, Mehmet Bardhi, subjekt ky që nuk ishte prezent në Kuvend, shpreh dyshimet e veta duke vlerësuar se tjetër thuhet e tjetër veprohet.
Intonimi i vetëm himnit shqiptar dhe jo edhe atij malazias si dhe mosreagimi i përfaqësuesve të partive në pushtet po ashtu ka shkaktuar “habi” tek e përditshmja “Dan”.
Në Kuvend të pranishëm ishin një numër i madh i përfaqësuesve të partive politike nga vendi dhe rajoni, kori diplomatik, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtarë si dhe simpatizues të Unionit Demokratik të Shqiptarëve.

Gëzim Ibroçi
telegrafi.com