Udsh do të miratojë në kuvendin zgjedhor apelin për bashkëpunim me partitë e tjera shqiptare

February 6, 2008   | Politika

Atdheu na BashkonFtesë Berishës për të ndërmjetësuar
Podgoricë – Kryetari i UDSH-së, Ferhat Dinosha, ka thënë se pritet që kjo parti të miratojë Apelin për bashkëpunim politik me partitë e tjera shqiptare në Mal të Zi në Kuvendin e saj të Pestë Zgjedhor, i cili do të mbahet të shtunën në Ulqin.
Sipas kryetarit të UDSH-së, i cili pritet të rizgjidhet në këtë post edhe në mandatin e ardhshëm, “nëse partitë e tjera shqiptare nuk e pranojnë patronazhin e UDSH-së në këtë drejtim, ata do të jenë të gatshëm që ndërmjetës i një tryeze të tillë të jetë kryeministri shqiptar, Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë”.
Dinosha ka sqaruar se përveç përfaqësuesve të partive politike shqiptare, në këtë tryezë do të merrnin pjesë edhe përfaqësues të subjekteve relevante të diasporës shqiptare si të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan dhe Lëvizjes “Atdheu na Bashkon”.
Kryetari i UDSH-së ka thënë se kjo parti është e gatshme për “veprim të mirëfilltë politik në dobi të interesit të shqiptarëve në Mal të Zi dhe të proceseve integruese rajonale”.

i.k.