Avokati mbrojtës,Loro Markiqi, paraqet parregullsi në procesin gjyqësor ndaj 18 shqiptarëve nga malësia

February 7, 2008   | Anketë / Anketa

Loro Markiqi - avokatProva në kundërshtim me ligjin penal
Njëri nga avokatët mbrojtës të grupit prej 18 shqiptarëve nga Malësia ,të akuzuar për krim të organizuar dhe terrorizëm,z.Loro Markiqi,paraqiti shumë parregullsi në procesin gjyqësor ,i cili vazhdon të zhvillohet në Podgoricë.Ai tha se këto parregullsi paraqesin shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe si të tilla iu paraqitën edhe zyrtarëve të ambasadës amerikane në Podgoricë,ku avokatët mbrojtës ditë më pare, zhvilluan një takim.
Ulqin(VOA) – Zvarritjet e theksuara në gjyq lidhur me procesin gjyqësor ndaj 18 shqiptarëve nga Malesia,sipas analistëve të pavarur, ka pakësuar dukshëm besimin në sistemin e drejtësisë malazeze dhe sipas tyre, paraqet shkelje të të drejtave të personave të akuzuar për një gjykim të drejtë. Këtë shqetësim e shprehu edhe ambasadori amerikan në Podgoricë,z.Roderik Mur, i cili kohë më parë, kërkoi përshpejtimin e procesit gjyqësor duke dëshiruar që ky proces “të jetë i ndershëm dhe demokratik”.Këto qëndrime, sipas avokatit mbrojtës, Loro Markiqit, duket se kanë ndikuar në ecjen më të shpejtë të procedurës gjyqësore, që këto ditë u zhvillua në Podgoricë.”Si pasojë e trysnive në gjykatë,kohëve të fundit, ka nisur të ecë procedura më shpejt.Dy ditët e fundit është punuar shumë më shpejt sesa herave tjera”-tha z.Markiqi.
Avokati L.Markiqi vuri në dukje se në takimin që avokatët mbrojtës zhvilluan me zyrtarët e ambasadës amerikane në Podgoricë,paraqitën shumë parregullsi dhe shkelje të të drejtave të shtetasve amerikanë të arrestuar me grupin e shqiptarëve nga Malësia. “SHBA është e interesuar për këtë proces,të cilën gjë e dëshmon edhe një deklaratë e ambasadorit. Ne zhvilluam biseda me zyrtarët e ambasadës dhe iu treguam atyre për shkeljen e të drejtave që u bëhen qytetarëve amerikanë me prejardhje shqiptare të gjendur nën arrest. Zyrtarët e ambasadës janë të interesuar që procedura të ecë sa më shpejt, ashtu siç jemi të interesuar edhe ne si avokatë mbrojtës, sepse të akuzuarit gjenden një kohë të gjatë në burg”-pohon ai.
L. Markiqi shfaqi vërejtje edhe për punën e prokurorit,trupit gjykues e sidomos të Gjykatës së Apelit,të cilët,sipas tij,paraqiten dhe pranuan prova dhe dëshmi që nuk i vërtetojnë akuzat dhe që janë prova në kundërshtim me Ligjin aktual të procedurës penale të Malit të Zi. “Të gjitha provat e ofruara me aktakuzë, shumica prej të cilave janë lexuar, janë në kundërshtim me Ligjin aktual te procedurës penale të Malit të Zi, kështu që ata nuk përmbajnë prova në aspektin ligjor dhe për këtë ne kemi kundërshtuar. Mirëpo, nuk kemi hasur në mirëkuptim edhe pse fillimisht trupi gjykues ka marrë një vendim që disa prej këtyre provave t’i shpallë si të paharmonishme me ligjin dhe si të tilla i ka izoluar derisa Gjykata e Apelit përsëri i ka kthyer në procedurë. “-tha në fund z. Markiqi.
Grupi i shqiptarëve nga Malësia është akuzuar për përgatitjen e aksioneve terroriste dhe për fillimin e luftës në Mal të Zi më 10 shtator të vitit 2006, ditën e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në këtë republikë. Në këtë grup janë të përfshirë edhe katër shtetas amerkanë me prejardhje shqiptare,të cilët aktakuza i ngarkon për financim të grupit terrorist dhe për bashkëpunim me strukturat e UÇK-së.
a.s.

http://www.kohajavore.cg.yu/

1