Kokrrat e shpërndara të shegës nga Naim dhe Sami Flamuri

February 7, 2008   | Kulturë / Kultura

koha e ShegësNë tekst lexuesi do të takojë Fatin e rrallë të një familjeje shqiptare, ulqinake, të familjes së cilës i përkasin autorët e këtij libri. Është jeta që u ra për short. Të detyruar nga rrethanat kjo familje u shtrëngua të shkërmoqet, por jo të zhbëhet. Autorët kanë krijuar kështu një metaforë të pazakontë, metaforën e shegës – kokrrës së shegës, si njësi dhe tërësi, metaforën e një familjeje të shpërbërë nëpër botë për të mbërritur më pas tek historia e një kombi që edhe pse i ndarë dhe i shpërndarë, po fillon të mblidhet sërish.
Ideart çeli botimet 2008 me një libër të pazakontë, titulluar `Koha e Shegës`, me autorë Naim dhe Sami Flamurin, të njohur edhe me parë nga lexuesi shqiptar përmes librit `E përjetshme është Shqipëria`.
Në fjalët hyrëse të librit autorët shprehen: “Për lehtësi e marrëveshje me lexuesin po e quajmë `roman` këtë tekst që në vetvete s`është gjë tjetër veçse një shkrim a jetëshkrim mbi atë që vërtet ka ndodhur në jetën tonë. Të tjerë njerëz, më të latuar në këtë fushë, janë të lirë ta klasifikojnë librin si një `real story`. I këtillë edhe është, por më mirë le të mbetet pa emërtesë, pa mbërtheckë a etiketë zhanresh, pasi ky libër nuk është një libër `i pastër-pure` nga ana stilistike. Ai është njëkohësisht fiction dhe nonfiction, monolog dhe dialog; janë kujtime, histori dhe hamendje, është katalog fotosh dhe herbarium bërë me gjethet-vite të rëna nga koha, vite që nuk jetojnë tjetërkund veç kujtesës. Me pak fjalë ky libër është një tekst i hapur, gjithmonë në përpunim, në vijimësi e sipër”.
Në tekst lexuesi do të takojë Fatin e rrallë të një familjeje shqiptare, ulqinake, të familjes së cilës i përkasin autorët e këtij libri. Është jeta që u ra për short. Të detyruar nga rrethanat kjo familje u shtrëngua të shkërmoqet, por jo të zhbëhet. Autorët kanë krijuar kështu një metaforë të pazakontë, metaforën e shegës – kokrrës së shegës, si njësi dhe tërësi, metaforën e një familjeje të shpërbërë nëpër botë për të mbërritur më pas tek historia e një kombi që edhe pse i ndarë dhe i shpërndarë, po fillon të mblidhet sërish.
“Nuk ka qenë fort e lehtë t`i sjellësh sërish nën po atë lëkurë kokrrat e shpërndara të shegës- kujtimet dhe njerëzit e ikur anekënd botës. Ndaj dhe ne, `libërbërësit`, e kemi sjellë këtë historinë tonë përmes teknikash e përvojash të shumta shkrimore, pa u shqetësuar nëse kjo ka ekzistuar më parë, është apo do të jetë pas nesh. Dëshira ka qenë vetëm një; e gjitha kjo, ngjarja dhe stili, t`i ndihmojë kuptimit, përcjelljes së emocionit dhe njohjes së historisë vetjake dhe copëzave të fshehta të historisë së kombit”.
Të shpërndara mes tekstit dhe jetës së përditshme vjen gjithë çfarë mbeti në kujtesën e njerëzve të atyre viseve: aventura në kërkim të varrit të motrës së Skanderbegut, zonjës Mara Kastriota, të dhënat dhe interpretimet mbi Otellon-arapin e Venedikut dhe takimin e Shekspirit me të, vijnë këngë e gojëdhëna mbi atë njeri që e gjithë bota e njeh si
Servantes – krijuesin e Don Kishotit, ndërsa Ulqini si e njeh si Servet – të dashurinë e fshehtë
të bukuroshes nga nga Ulqini. Historitë vijojnë me Sabatai Zevin – Mesinë e rremë apo shenjtorin e mohuar – Mjeshtrin e mërguar të Kabalasë me varr në Ulqin, mbi Gjon Bdek Buzukun, mbi kusarët, Haxhi Aliun dhe shumë histori të njohura e të panjohura që këto vise të bukura fshehin nga kështjella gjer në det, nga Ana e Malit gjer tek krahu i Krajës, nga Liqeni i Shkodrës gjer në Grykëderdhje të Bunës, nga Terra Australis, tek mitologjia e udhëtimit të Jasonit në krye të argonautve si ndjellje e përhershme.
Atij që mendon se kam vdekur thuaj se unë jam gjallë,
kurse kujt mendon se jam gjallë, thuaju se kam vdekur…”!

Kështu thonë mistikët.”Ky libër frymëzohet nga këto thënie si dhe gjithçka tjetër e mençur dhe e vyer, e virtytshme dhe e drejtë që do të ndeshni në vijim…”

Historia e dy vëllezërve binjakë

Rozi Theohari Kjo është një pjesë e historisë së dy vëllezërve binjakë – Sami e Naim Flamuri, emnakëve të frashëriotëve, të cilët, të “ngarkuar” me gjeografinë e At-Mëmëdheut, udhëtojnë virtualisht dhe fizikisht nëpër botë për të dhënë ndihmesën e tyre, pa harruar të kthehen te shtëpiza e tyre në Ulqin dhe pa mëtuar t`i ngulisin në fjalë e në libra gjithçka që jetojnë dhe përjetojnë. Në këtë botë të madhe ku jetojmë ka kohë për lindje, ka kohë për vdekje, ka kohë për plagosje dhe kohë për shërim. `Koha e shegës`, me kokrrat e saj të shkërmuara nga vëllezërit Flamuri, fillon nga vendlindja e tyre, Australia për të na dëshumar kalvarin e jetës së një nëne – nanës, rrethin vicioz të kurbetit të zogjve të qyqes, por që mbart edhe misterin e shkronjave për t`i ngulitur me penë si rrënjë e thellë në ndërgjegjen e quajtur Ulqin. Narracioni i librit të binjakëve Naim e Sami Flamuri është Bota e gjithë Kohës që ata e quajtën, “e SHEG`S”, të cilën ata shndërruan një autobiografi intime në histori. Kjo i ka frymëzuar të pikasin pa ndrojtje kujtesën dhe të mërgohen nga padituria – armiku i botës. Kjo `real story`, e afërt për nga lloji me atë që është bërë aq e famshme sot prej romanit `Stamboll` të nobelistit Orhan Pamuk, bashkon lexuesit për histori – pandehma – hamendje e fakte të panjohura e fare pak të njohura që lexohen herë me kureshtje, herë me mahnitje e herë me buzë në gaz.

http://www.kohajavore.cg.yu/

6