Ecuri studimore që duhet vazhduar në Mal të Zi

February 9, 2008   | Kulturë / Kultura

NË PRAG TË DIPLOMAVE TË PARA TË MËSUESVE

Studimet zhvillohen sipas sistemit të Bolonjës, sistem ky që aplikohet në një numër të madh të shteteve europiane. Sistemi, esenca e të cilit është shkëmbimi i përvojave, sipas të cilit studentët duhet të ndjekin dhe të përcjellin vazhdimisht zhvillimin e procesit studimor, si dhe vlerësimi me nota dhe ndarja e pikëve, apo fitimi i tyre bëhet sipas pikëve të fituara gjatë semestrit, gjegjësisht gjatë tërë vitit akademik, nga disa aspekte të njohurisë të lëndës gjegjëse.
Na ndan një kohë e shkurtër nga përfundimi i studimeve katërvjeçare në Fakultetin e Mësuesisë, pranë Universitetit të Malit të Zi në Podgoricë. Kjo çështje para disa vitesh pothuajse e paimagjinuar, mirëpo, me iniciativën dhe këmbënguljen e subjektit politik, UDSH-së, me gatishmërinë e Qeverisë malazeze dhe mbështetjen e Qeverisë amerikane bëhet e mundur hapja e Programit mësimor për përgatitjen e mësuesve në gjuhën shqipe. Ky vendim gjithashtu gjeti mbështetje edhe tek Rektorati i këtij Universiteti, sepse për zhvillimin e duhur të procesit mësimor, u lidh kontratë me Universitetin “L.Gurakuqi” të Shkodrës, se aktualisht kuadri pedagogjik nuk plotësohej për zhvillimin e duhur të këtij drejtimi studimor.
Sa e nevojshme ishte hapja e këtij programi studimor tregon fakti se në qershor të vitit 2004 u regjistruan 50 studentë, ku u pranuan të gjithë të interesuarit, se kuota për regjistrim ishte 30 studentë, pra studimi iu mundësua të gjithë atyre që patën dëshirë.
Gjatë këtyre katër viteve me radhë studimet i ndjekën studentët nga të gjitha trevat shqiptare të Malit të Zi. Interesimi për regjistrim në vitet që pasuan filloi të zvogëlohet, çka dhe është e logjikshme.
Kjo çështje mund të shikohet edhe nga disa aspekte, pra lën hapësirë për komente subjektive. Mirëpo, shikuar realisht, ndjekja e këtij programi studimor për katër vite me radhë, tregon se numri i studentëve aktualë i plotëson nevojat për këtë kuadër arsimor për një periudh të caktuar kohore. Prandaj, rënia e numrit të studentëve tregon se nuk duhet krijuar një hiperproduksion, që tregu nuk e apsorbon për një kohë të shkurtër.
Gjendja aktuale e zhvillimit të studimeve, shikuar nga disa aspekte, tregon se studimet i ndjekin afro 80 studentë nga Malësia, Ulqini, Plava dhe Gucia. Krahasuar me numrin e të regjistruarve dhe të studentëve aktualë vërehet se një numër i konsiderueshëm i tyre nuk vazhduan, apo ndjekën studime të tjera për shkaqe të tyre të ndryshme.
Gjatë këtyre viteve kemi pasur raste ku studentët e Malësisë nga qendra të tjera universitare kanë shprehur dëshirë të vazhdojnë këtu, mirëpo mospërputhja e programit mësimor e ka vështirësuar realizimin e kësaj dëshire. Studimet zhvillohen sipas sistemit të Bolonjës, sistem ky që aplikohet në një numër të madh të shteteve europiane. Sistemi, esenca e të cilit është shkëmbimi i përvojave, sipas të cilit studentët duhet të ndjekin dhe të përcjellin vazhdimisht zhvillimin e procesit studimor, si dhe vlerësimi me nota dhe ndarja e pikëve, apo fitimi i tyre bëhet sipas pikëve të fituara gjatë semestrit, gjegjësisht gjatë tërë vitit akademik, nga disa aspekte të njohurisë të lëndës gjegjëse.
Ky sistem filloi të aplikohet në vitin 2004. Pra kjo ishte një risi edhe për stafin pedagogjik dhe administrativ të të gjitha universiteteve, të cilat u ballafaquan me implementimin e tij dhe arritën rezultate pozitive, por edhe në universitetet më me përvojë ka pasur raste kur koordinimi dhe implementimi kanë shkaktuar vështirësi.
Çka është dhe më e rëndësishme, në fund të këtij katërvjetori pritet që disa nga këta studentë të marrin diplomat, e besoj se “edhe ata që ishin skeptikë” janë bindur se kjo është një pasuri e madhe për gjithë të rinjtë dhe të rejat, që pranë pragut të shtëpisë të kalojnë në ambient universitar dhe të kryejnë fakultetin. Kuptohet se veç një drejtim studimor nuk duhet vazhduar pandërprerë, se siç u cek më lart, ky numër do tzi plotësojë nevojat për disa kohë, prandaj duhet gjetur mundësi dhe duhen krijuar kushte që kjo ecuri studimore të vazhdohet, sepse besoj që është në të mirën e të gjithë neve, por kuptohet me aso profile studimesh që i nevojiten tregut aktual në pajtim me kushtet objektive dhe subjektive. Sa i përket stafit pedagogjik, kemi mësimdhënës nga Malësia, Ulqini, Universiteti i Malit të Zi dhe nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës, që në këtë vit akademik kem 12 profesorë doktora.
(Autori është sekretar i Programit studimor)

Beqir Gjokaj