Është e nevojshme të miratohet Plani finaciar

February 9, 2008   | Rajoni / Region

sinishtajSEANCA E KUVENDIT TË KOMUNËS URBANE TË TUZIT PRITET TË MBAHET GJATË MUAJIT SHKURT

Tuz – Kryetari i Kuvendit të KU të Tuzit, Nikollë Camaj, ka bërë të ditur se seanca e Kuvendit të KU të Tuzit pritet të mbahet gjatë muajit shkurt.
“Është e nevojshme që përsëri në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të merremi me Planin financiar, i cili nuk e fitoi dritën
jeshile në fund vitin e kaluar”, thotë Camaj.
Ai shprehi vullnetin se në seancën e ardhshme “është e nevojshme të miratohet Plani financiar, mirëpo në këtë rast kjo varet edhe nga shumë faktorë dhe për këtë shpresoj se do të arrjimë një konsenzus. Sidoqoftë brenda kësaj kohe do të kemi edhe konsultime në nivelin e 11-shit”. Camaj deklaron se deri më sot nuk kemi marrë ndonjë vërejtje konkrete nga klubet e këshilltarëve, përveç atyre që dolën në seancën e fundit të Kuvendit.
Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të KU të Tuzit, që u mbajt në fundvitin e kaluar, Propozimi i Vendimit mbi Planin financiar për vitin 2008, në shumën prej 3.747.200,00 euro nuk fitoi shumicën e votave.
Në mbledhjen e fundit të Kuvendit vetëm këshilltari Kolë Lulgjuraj (PSP) votoi pro, ata të IQ-së dhe UDSH-së ishin kundër, kurse këshilltarët të LD, PSD dhe PDS ishin të përmbajtur, pasi që ai është zvogëluar për një gjysmë milion eurash.
Ndërkaq, kryetari i Komunës Urbane të Tuzit, Smajl-Maliq Çunmulaj në një deklaratë për “Kohën javore” tha se “mosaprovimi i Planit financiar nga ana e koalicionit që përmban shumicën në Kuvendin e KU të Tuzit nuk ka qenë diçka e mirë, sepse kjo mund të shkaktojë të ashtuquajturin financim të përkohshëm”.

rr.d.