Tuzi Komunë përmes referendumit
Tuz, 9 shkurt – Lideri dhe deputeti i Alternativës Shqiptare (ASH), Vasel Sinishtaj në emër të Klubit të këshilltarëve të këtij subjekti politik ,i ka dorëzuar Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit iniciativën për mbajtjen e referendumit mbi konstituimin e Komunës së pavarur të Tuzit.Sipas këtij propozimi, referendumi do të organizohej për të gjithë qytetarët e Malësisë më 6 prill të këtij viti, ditën kur mbahen edhe zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi. “Iniciativa mbështetet në marrëveshjen që ASH-ja ka nënshkruar me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Socialistëve në pushtet, të Lëvizjes për Ndryshime, Partinë Boshnjake, Unionin Demokratik të Shqiptarëve (UDSH), pjesë e koalicionit qeveritar dhe Iniciativën Kroate, në tetor të vitit të kaluar, pikërisht në prag të miratimit të Kushtetutës së re malazeze”, u shpreh ditën e shtunë Sinishtaj. Ai shtoi se në atë marrëveshje figuron se gjashtë muaj pas miratimit të aktit më të lartë juridik shtetëror, “do të përkrahin organizimin e referendumit në territorin e Komunës Urbane të Tuzit, në mënyrë që qytetarët të deklarohen, ka apo nuk ka nevojë për themelimin e Komunës së pavarur, ashtu siç janë22 komunat e tjera në Mal të Zi”. Kryeadministratori i Podgoricës,Srdja Raicevic ka thënë ditën e shtunë se Kuvendi i Komunës Urbane të Tuzit nuk ka të drejtë ligjore të miratojë vendim mbi organizimin e referendumit për ndërrimin e statusit të saj.
Gazeta Express





