Në Malësi festohet Pavarësia e Kosovës

February 18, 2008   | Lajmet / Vijesti

LD në MZMe rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, LD në MZ-Dega e Malësisë, mbajti mbledhje solemne, gjatë të së cilës u përcjell ceremonia e miratimit të Deklaratës së pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë mbledhje ishin të ftuar edhe dashamirë të shumtë të subjektit të parë politik të shqiptarëve në Mal të Zi, ish funksionar partiak dhe qytetarë të shumtë nga Malësia, të cilët erdhën së selinë e LD në MZ në Tuz, për të përjetuar së bashku këto çaste solemne dhe tejet të gëzueshme për të gjithë shqiptarët.
Këtë tubim solemn, me prezencën e tyre e përshëndetën edhe kryetari i KU të Tuzit Smail–Maliq Çunmulaj si dhe përfaqësues të tjerë të Alternativës Shqiptare. Në zyre të LD ishin edhe partneri i koalicionit në pushtetin vendor, Kolë Lulgjuraj si dhe këshilltari i PDS në Kuvendin e KU të Tuzit dr. Halil Dukoviq, të cilët erdhën për të përgëzuar Lidhjen demokratike për këtë datë të shënur të popullit shqiptar. Poashtu në këtë manifestim ishte edhe përfaqësuesi i zyrës së Shoqatës “Atëdheu na bashkon”, Muhamed Gjokaj si edhe shumë dashamirë të tjerë.
Kryetari i kësaj dege z. Nikollë Camaj , duke i përshëndetur të pranishmit, e përgëzoi popullin e Kosovës për këtë ditë kaq të lumtur dhe të shumëpritur për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
“Gëzimi ynë është aq më i madh, pasiqë LD në MZ nuk hezitoi asnjëherë të përkrahë luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Andaj jemi bashkuar sot që të gëzohemi bashkë me popullin e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Ishte privilegj të jeshë bashkëkohas i gjeneratës që lindi Kosovën, kurse privilegj i dyfishtë të jeshë edhe akter i kësaj beteje. Lidhja demokratike gjithësesi ishte pjesë e këtij fronti gjithëkombëtar! ”, theksoi Camaj në fjalën e vet të rastit.
Besnik Gjonaj, aktivist i LD, recitoi vargje kushtuar kësaj dite – shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Tubimi vazhdoi deri në orët e vona, duke përcjellur me vemendje rrjedhën e manifestimeve në kryeqytetin e Kosovës, shtetin më të ri në botë.