Lideri I Alternativës Shqiptare përgëzon popullin e Kosovës Me Rastin E Pavarësisë

February 24, 2008   | Shtypi / Mediji

Vasel SinishtajLideri i Alternativës Shqiptare dhe deputeti i saj në Parlamentin e Malit të Zi, përmes një kumtese për opinion, përgëzoi të dielën popullin e Kosovës, liderët e saj politikë dhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për shpalljen e Deklaratës së Pavrësisë së Kosovës.
“Në emër të kësaj dite historike – Ditës së Pavarësisë, popullit të Kosovës, liderëve politikë të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve kudo që gjenden nga zemra ju uroj themelimin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan dhe integrimin e suksesshëm në familjen e madhe të popujve modernë europianë”, thotë Sinishtaj.
Ai ditën e 17 shkurtit 2008 e cilësoi ndër ditët më të mëdha në historinë e mbarë kombit shqiptar.
“Që nga periudha kur përfundoi epoka e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shqiptarët kanë përjetuar vetëm dy momente të gëzuara historike. I pari ishte shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar dhe momenti tjetër është ky – shpallja e pavarësisë së Kosovës”, tha Sinishtaj.
Deputeti i Alternativës Shqiptare vlerësoi se me miratimin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës nga institucionet më të larta shtetërore të Kosovës korrigjohet padrejtësia që i është bërë popullit shqiptar në vitin 1912.
“Prej kësaj dite çdo pikë loti e fëmijëve apo nënave shqiptare, çdo jetë e flijuar për liri të Kosovës, mbetet gurthemel për shtetin tonë të përbashkët, sepse kufijt administrativë në të ardhmen do të kenë vetëm kuptim simbolik”, përfundoi Sinishtaj.
gj.gj.
www.koha javore.cg.yu