Intervistë me Prof. Dr. Srgjan Darmanoviq, dekan i fakultetit të shkencave politike në podgoricë dhe anëtar i komisionit të venecias

March 3, 2008   | Intervista / Intervju

Sr?an Darmanovi?Mali i Zi do ta njohë Kosovën në një fazë tjetër
Koha javore: Z. Darmanoviq, si e vlerësoni shpalljen e pavarësisë së Kosovës? Shqiptarët e Kosovës dhe shumica e vendeve perëndimore, përfshirë SHBA-në, pretendojnë se kemi të bëjmë me një rast unik dhe me të drejtën e vetëvendosjes, kurse nga ana tjetër, Serbia e mbështetur nga Rusia dhe një numër i vendeve thonë se kemi të bëjmë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare?
S. Darmanoviq: Shpallja e pavarësisë së Kosovës, e cila tashmë ka ndodhur, ka qenë e pritur dhe mendoj se askush nuk ka qenë i habitur. Ky është fundi i një procesi të shpërbërjes së Jugosllavisë, i cili ka filluar në vitet `90. Dhe ashtu siç ndodh shpesh gjatë historisë, ky proces i cili ka filluar pikërisht me Kosovën apo të paktën për shkak të Kosovës, kur lideri serb Millosheviq, karriera e të cilit ishte në ngjitje e sipër, është përpjekur të ndryshojë, të ridefinojë ndryshimet kushtetuese në Serbi, gjë që ka pasur reperkusione në tërë Jugosllavinë. Në këtë aspekt mund të thuhet se kriza e Jugosllavisë po përfudon pak a shumë atje ku dhe ka filluar.
Nuk ka asnjë dyshim se e tërë kjo çështje është shumë e komplikuar dhe se për asnjërën palë nuk ka qenë shumë e lehtë që të përballen me këtë problem. Nga njëra anë, shqiptarët e Kosovës dhe shumica e popullsisë në Kosovë për të cilën ka qenë më se e qartë se nuk dëshirojnë kurrfarë zgjidhjeje tjetër përveç pavarësisë së Kosovës, sidomos pas luftës dhe ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Thjesht e kanë shtyrë këtë moment duke dëgjuar bashkësinë ndërkombëtare, respektivisht shtetet udhëheqëse të Perëndimit.
Na ana tjetër, i gjithë problemi është i vështirë edhe për Serbinë, e cila edhe pse ka qenë gjenerator i krizës në ish Jugosllavi, kam parasysh strukturën e saj të atëhershme udhëheqëse, është e vetmja republikë e ish Jugosllavisë, e cila në fund të fundit, humb një pjesë të territorit që i ka takuar, kështu që asnjë qeveri nuk e ka të lehtë të përballet me humbjen e një pjese të territorit të saj. Është absurd fakti që kjo ndodh me qeverinë e cila e ka rrëzuar Millosheviqin.
Prandaj të dy palët kanë qenë në një situatë tejet të vështirë dhe ka qenë më se e qartë se nuk mund të merren vesh. Që situata të jetë edhe më e komplikuar janë ndeshur interesat e lojtarëve të mëdhenj të skenës ndërkombëtare. Nga njëra anë, vendet perëndimore nuk kanë parë zgjidhje tjetër përpos pavarësisë, kurse nga ana tjetër Rusia e cila po luan rol gjithnjë e më të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos që kur i shkon në favor rritja e çmimit të produkteve energjitike, ka interesat e veta dhe rolin e saj në skenën ndërkombëtare dhe nuk ka dashur që të ngjajë pavarësia e Kosovës.
Do të thoja se nga njëra anë vërtet kemi një precedent sa i përket të drejtës ndërkombëtare. Deri tani nuk kemi pasur një proces të tillë të fitimit të pavarësisë dhe kjo nuk do të kalojë pa probleme në skenën ndërkombëtare. Pra, kemi të bëjmë vërtet me problemin e interpetimit dhe zbatimit të së drejtës, por nga ana tjetër kemi edhe vullnetin e shprehur qartë të shumicës së popullsisë së Kosovës dhe pamundësinë që kriza të zgjidhet ndryshe, nga ç`është zgjidhur. Prandaj po e përsëris, shpallja e pavarësisë së Kosovës është diçka që të gjithë e kanë ditur se do të ndodhë, por të gjithë në këtë proces kanë hyrë me interesa të ndryshme, me pritje të ndryshme, me pozita diametralisht të kundërta dhe nga kjo ka rrjedhur kjo gjendje e tendosur. Dhe duke pasur parasysh qëndrimet e të dy palëve sigurisht nuk ka ekzistuar mënyrë tjetër e zgjidhjes së krizës, sepse shqiptarët e Kosovës heret a vonë do ta shpallnin pavarësinë.
Gjithsesi është mirë që pavarësisht emocioneve të mëdha nga të dy palët, çdo gjë ka kaluar pa kurrfarë dhune. Mendoj në dhunë të përmasave më të mëdha, të cilat kanë ndodhur gjatë viteve `90 në territoret e ish Jugosllavisë. Kjo natyrisht është pritur sepse trupat ndërkombëtare ndodhen në Kosovë.

Koha javore:
Cilat janë problemet me të cilat, sipas Jush, do të përballet Kosova në aspektin e njohjes ndërkombëtare?
S. Darmanoviq: Problemi i Kosovës me siguri do të zgjasë shumë gjatë. Pavarësia e Kosovës do të njihet me siguri nga shumica e vendeve dhe Kosova do të fillojë të funksionojë pak a shumë si vend i pavarur, por nga ana tjetër duke pasur parasysh qëndrimin e Rusisë, Serbisë dhe të një pjese jo të vogël të vendeve të bashkësisë ndërkombëtare, Kosova do të ketë pengesa të qarta për të hyrë në disa institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Kështu që problemi si i tillë do të shfaqet në skenën ndërkombëtare edhe për një kohë jo të shkurtër, natyrisht më tepër në formën diplomatike sesa në ndonjë mënyrë tjetër.

Koha javore: Si e shikoni reagimin që ka ardhur nga Serbia, qoftë në aspektin diplomatik, por edhe protestat që kanë ndodhur në Beograd dhe në kufijtë me Kosovën, përfshirë edhe djegien e pikave doganore?
S. Darmanoviq: Sa u përket reaksioneve në Serbi, ato kanë qenë po ashtu të pritura. Po e përsëris, me siguri nuk ekziston vend e as qeveri e një vendi e cila do të shikonte me simpati humbjen e një pjese të vendit të vet, pa marrë parasysh faktin se Sebia nuk e ka menaxhuar Kosovën që nëntë vjet. Kështu që nuk është i papritur ky reagim që rrjedh nga një lloj frustrimi, mllefi, plagosjeje, humbjeje.
Por nga ana tjetër, historia nuk duhet të shikohet vetëm nga sot apo nga dje. Është e vërtetë se kjo strukturë qeverisëse dhe kjo qeveri nuk e ka krijuar problemin e Kosovës, se ai është krijuar që më parë. Është e vërtetë se ata nuk e kanë udhëhequr atë politikë që e ka udhëhequr Millosheviqi, por është e vërtetë po ashtu se me këtë qeveri, sidomos përmes politikës së kryeministrit aktual të Serbisë ka ardhur deri te ripërtëritja e nacionalizmit të viteve `90 në Serbi dhe se është pikëpyetje e madhe nëse ripërtëritja e nacionalizmit ka qenë e vetmja politikë që Serbia ka mundur të udhëheqë.
Unë jam i bindur se edhe kur është në pyetje problemi i Kosovës, por natyrisht edhe shumë çështje të tjera, moment kthese në historinë më të re të Serbisë ka qenë atentati ndaj kryeministrit serb Gjingjiq, i cili me siguri nuk do të ishte përkrahës i pavarësisë së Kosovës, por që me siguri në një mënyrë tjetër do ta menaxhonte krizën sesa që e ka menaxhuar qeveria aktuale.
Nuk jam i sigurt se kjo politikë e refuzimit dhe e konfliktit diplomatik, por do të shohim ndoshta edhe e ndonjë konflikti tjetër me bashkësinë ndërkombëtare, ka qenë politika e vetme të cilën Serbia e ka pasur në dispozicion. Ka mundësi që të ketë pasur edhe strategji të tjera përmes të cilave Serbia, nëse veç është dashur të përballet me humbjen e Kosovës, ndoshta do të kishte kaluar më mirë sesa tani.
Tani do të pasojë një periudhë e gjysmëizolimit diplomatik dhe e një atmosfere të keqe me vendet e bashkësisë ndërkombëtare, gjë që për një vend të tillë si Serbia nuk është kurrë e dobishme.

Koha javore: Rusia është vënë hapur në mbrojtje të Serbisë. Mendoni se e ka bërë këtë për vërtet me qëllim të mbrojtjes së të drejtës ndërkombëtare apo interesave të veta?
S. Darmanoviq: Mendoj se Rusia në këtë situatë gjithsesi ka qenë fituese. Asaj i ka shkuar në favor çdo zgjidhje e krizës. Sikur të mos kishte ndodhur shpallja e pavarësisë, rusët do të kishin thënë se kjo ka ndodhur për shkak të qëndrimit të tyre parimor, se nuk ka pavarësi jashtë OKB-së dhe se Rusia e ka fjalën vendimtare në proceset kudo në botë si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit.
Por edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pozita ruse nga aspekti i interesit të tyre është përsëri e mirë sepse ata do të kritikojnë tani partnerët e tyre ndërkombëtarë për shkeljen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe do të konsiderojnë se i kanë duart e lira që të zbatojnë ndonjë model të njëjtë edhe në vendet e ish Bashkimit Sovjetik.
E dini që ka mjaft vatra të zjarrta në vendet e ish Bashkimit Sovjetik, si Abhazia, Osetia, problemet e tjera ndërkufitare, dhe me siguri që në këtë rast Rusia do të referohej në precedentët e ngjashëm.
Por edhe në rast se nuk e bën këtë, Rusia në bazë të kësaj do ta ruajë të drejtën të veprojë në mënyrë unilaterale në ndonjë rast apo problem tjetër në botë, kurse përfundimisht nuk duhet nënvlerësuar as faktin se Rusia me qëndrimin e tillë veç ka arritur që t`i forcojë pozitat e saj në Ballkan, sidomos në Serbi. Ju e keni parë se në mitingun në Beograd i vetmi emocion që në mënyrë të dukshme është shfaqur gjatë fjalës së kryeministrit Koshtunica, ka qenë mbështetja e Presidentit rus Putin dhe e Rusisë.
Por natyrisht unë mendoj se edhe në Serbi do të duhej të ishin të vetëdijshëm se fuqitë e mëdha nuk kanë miq të përhershëm, por kanë vetëm interesa të përhershme dhe është pikëpyetje nëse kjo mbështetje e Rusisë ndaj Serbisë do të zgjasë pafundësisht. Është e mundur se do të zgjasë shumë gjatë, por Ju e dini se fuqitë e mëdha merren vesh në llogari të të vegjëlve, kështu që mendoj se Serbia në vitet e ardhshme do të mund të mendonte edhe për ndonjë strategji alternative e jo vetëm të lidhet me përkrahjen e Rusisë.

Koha javore: A do të kenë pasoja për Serbinë protestat dhe djegia e disa ambasadave në Beograd?
S. Darmanoviq: Nuk jam i sigurt se do të ketë ndonjë pasojë dramatike ajo që ka ndodhur në Beograd. Siç e shihni, Serbia në bazë të parimit të automatizmit i tërheqë ambasadorët nga vendet që e njohin pavarësinë e Kosovës. Por për momentin nuk ekziston kurrfarë reciprociteti. As vendet europiane dhe as SHBA nuk janë përgjigjur me masë të njëjtë, që do të thotë se SHBA dhe BE përafërsisht i dërgojnë mesazhin Serbisë se, ja mund ta kuptojmë hidhërimin tuaj, mllefin dhe ndjenjën e humbjes, por edhe më tutje ju presim si kandidat për BE.
Mendoj se topi është hedhur në fushën e skenës politike serbe. Tani çështja shtrohet nëse do të jetë shumicë ajo pjesë e cila në zgjedhjet presidenciale ka zgjedhur president Tadiqin apo kriza e Kosovës do t`i kontribuojë forcimit të rrymës nacionaliste.
Unë nuk jam i sigurt nëse ajo energji që është derdhur nëpër rrugët e Beogradit dhe në Serbi është megjithatë shumicë sot në Serbi. Ajo është sot më e dukshme dhe me siguri që edhe njerëzit që kanë votuar për Tadiqin nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, por megjithatë mendoj se një pjesë e mirë e kësaj shumice e kuptojnë se Serbia thjesht mund të vendnumërojë në rrugën europiane, gjë që do t`i kushtonte shumë shtrenjtë për të dytën herë në këto njëzet vjet.
Në ditët dhe muajt e ardhshëm do të shihet se në çfarë drejtimi do të orientohet Serbia. A do të jenë këto reagime diplomatike shprehje e shokut dhe pakënaqësisë së parë, e cila ngadalë do të shuhet, apo kjo do të jetë politikë e çdo qeverie serbe në të ardhmen.

Koha javore: çfarë qëndrimi do të mbajë Mali i Zi sa i përket çështjes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj?
S. Darmanoviq: Mali i Zi ashtu si dhe të gjitha vendet e rajonit është në një situatë të vështirë, por Mali i Zi sidomos. Sllovenia si ish republikë e Jugosllavisë sot është në BE dhe e ka të lehtë të marrë vendimin. Kroacia po ashtu. Ajo është tashmë gati kandidat për të hyrë në BE dhe do të përcjellë politikën e shumicës së vendeve europiane. Maqedonia është po ashtu në një pozitë tejet delikate, por përqindja e popullatës shqiptare në Maqedoni është aq i madh saqë Maqedonia më lehtë se të tjerët do të pranojë ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Bosnja dhe Hercegovina nuk mundet në asnjë mënyrë ta pranojë Kosovën sepse ekziston vetoja kushtetuese e anëtarit serb në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës.
Sa i përket konkretisht Malit të Zi, ju e dini se marrëdhëniet me Serbinë për Malin e Zi janë shumë të rëndësishme. Serbia është sipas shumë paramtrave vendi më i madh dhe më i rëndësishëm i rajonit. Lidhjet tona politike, ekonomike, kulturore, arsimore, familjare janë shumë të ngushta dhe çdo përkeqësim i raporteve me Serbinë do të ishte për Malin e Zi shumë i dëmshëm.
Por nga ana tjetër Mali i Zi është vend multietnik. Në të jetojnë më shumë se 30 për qind të popullatës, të cilët vetë ndjehen dhe deklarohen serbë, por jeton po ashtu edhe një numër jo i vogël dhe i rëndësishëm i popullatës shqiptare.
Qëndrimet e këtyre dy popullatave janë të kundërta sa i përket kësaj çështjeje. Pra, në Mal të Zi ekzistojnë qëndrime të kundërta brenda vetë popullatës së saj në raport me këtë
Bisedoi: I. Kallaba
www.kohajavore.cg.yu