Në ulqin u organizua mbrëmja humanitare në ndihmë të djaloshit Matija Bozhinoviq nga tivati i cili vuan nga kanceri

March 3, 2008   | Shoqëria / Društvo

Matija BozinovicUlqini tregon humanizmin
Ulqin – Në vazhdën e aksionit humanitar të cilin po e organizon Shoqata Malazeze për luftë kundër kancerit për të ndihmuar djaloshin Matija Bozhinoviq nga Tivati, i cili po kurohet nga kanceri, të martën në Kullën e Balshajve në Kala u organizua mbrëmje humanitare.
Aktori i njohur Sllobodan Marunoviq dhe këngëtari Sllobodan Kovaçeviq shfaqen për të pranishmit pjesën “Poezija Montenegrina”, një përzierje me këngë dhe vargje.
Sekretari i Shoqatës Malazeze për luftë kundër kancerit Domagoj Zharkoviq duke i falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen tha se çdo ndihmë është e mirëseardhur.
Ai shprehu dëshirën që Matija i vogël, siç tha ai, të kurohet së shpejti dhe në muajin maj t`i bashkangjitet vëllait të tij, Marios.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, theksoi se humanizmi në Ulqin nuk ka munguar kurrë.
“Në Ulqin ka njerëz humanë dhe këtu keni gjetur adresën e duhur. Jam i sigurt se Matija do të dalë fitimtarë ndaj sëmundjes”, tha ai, duke nënvizuar se Komuna e Ulqinit do të kontribuojë në këtë aksion.
Në mbrëmje morën pjesë edhe familjarët e Matija Bozhinoviqit.
Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të marrin pjesë në aksionin humanitar mund të japin kontributin e tyre financiar në xhirollogarinë e Shoqatës Malazeze për luftë kundër kancerit, pranë Hipotekarna Banka, AD Podgorica, në numrin 520 – 1020100 – 28, me theksin për Matinë.
i.k.
www.kohajavore.cg.yu