Shpallja e pavarësisë së kosovës dhe shqiptarët në Malin e Zi

March 3, 2008   | Shtypi / Mediji

Nikolë CamajPa kremte kombëtare
Çdo sukses është rezultat i vuajtjeve, tensionimi dhe hapi, kështu, në një kuptim është shkaku i një suksesi të dytë që ndodhi me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Tashmë të mësuar me të gjitha të këqijat që i ndodhën kombit tonë nëpër histori, disa nga liderët politikë shqiptarë në Mal të Zi bëjnë përpjekje për të bindur masën se “ka edhe më keq”, gjë që ta përkujton fjalën e urtë,” Kur shoh të pafenë, lus mëshirë për mosbesimtarin!” Pavarësisht nga buron kjo ide, pranimi i një realiteti të tillë për mendimin tonë historik, për zakonet dhe traditat tona si një e vërtetë absolute s`është gjë tjetër veçse miratimi i një shfisnikërimi dhe shpërfytyrimi të pafund. E gjithë kjo ndodhë tek ata që krahas shprehive të bukura, humbasin lidhjet me njëri-tjetrin, vrasin zemrat e të tjerëve e paralizojnë shpirtin nga mendimi për pozitë e dëshira për t`u dukur në skenën politike. Po qe se për post e pozitë dhe ndjenja e famës dhe popullaritetit nuk kënaqen në mënyre legale për t`ju lënë hapësirë të gjithëve njësoj që të kënaqen në kremte kombëtare me dinjitet e urtësi, atëherë veprimet e tyre mund të bëhen shumë të rrezikshme si për ta ashtu edhe për shoqërinë ku jetojnë. Duke mos dashur të komentojmë deklaratat e tyre lidhur me festen e madhe të kombit tonë për Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, se ne duhet të festojmë në ambiente të mbyllura, kur të tjerët protestojnë kundër shpalljes së Pavarësisë mu në qendër të Podgoricës, duke kërkuar gjak shqiptari.
Kështu, një ndarje e vogël prej karvanit që na ndodhi ne në ditën e Festës së madhe kombëtare mund të shkaktojë humbjen. Ç`e do se liderët politikë shqiptarë në Mal të Zi për shkak se vazhojnë ta shohin veten në majë të piramidës, shpesh here as që arrijnë ta dallojnë se kanë rënë nga maja e minares në fund të një grope! Meqë ata nuk e dhanë provimin e duhur në momentin vendimtar duke vazhduar me kompleksin e fajit të rrjedhur natyrshëm dhe me kritika ndaj njëri-tjetrit, duket si e pamundur të shpëtojnë nga një perversitet i tillë e të kthehen në vijën e tyre të parë. Ai që rrëshqiti një herë e rimori veten shpejt në saje të pohimit të fajit dhe pendesës, gjë që nuk ndodhi me liderët politikë shqiptarë në Mal të Zi, pavarësisht nga kush u sugjeruan dhe me kë u këshilluan, të tjerët ranë në një disfatë të amshuar. Kjo nuk është hera e parë që personat me vetëdije, vullnet dhe vendosmëri të paralizuar ushtrojnë ndikim të madh mbi fuqinë morale-shpirtërore të njerëzve përreth. Madje është vënë re shpesh se një lëkundje e vogël nga persona të tillë bëhet për pesimizëm dhe kjo nuk vlen për tjetër veçse për t`u dhënë zemër e guxim armiqve të kombit, e për t`u nxitur oreksin që të na hidhen sipër!
Është mjaft e vështirë që çdo individ të mund të vihet në shërbim të suksesshëm, ndaj opinioni për njerëzit duhet krijuar sipas asaj se kush dha më tepër të mira, kush pretendon se lufton për idealet tona, për mendimet tona të shenjta dhe për njerëzit tanë. Ata mund të përziejnë në punët që bëjnë kërkesat dhe dëshirat personale e të mos dijnë të përthyhen më dysh me rënkimin e pendesës për gabimet që bëjnë, por nuk është e drejtë që në drejtim të politikës të mos jenë me popullin. Me një strukturë politike mjaft të cekët, me një jetë shpirtërore mjaft të varfër, me një përbërje kuadri politik të paqenë, shoqëria jonë sot ndodhet në një gjendje për të ardhur keq. Pa asgjësuar një mjedis si ky të ushqyer prej fanatizmit e intolerancës duhet të jetë mjaft e veshtire të mendohet për bashkim dhe unitet.
Ja pra, sot, në një gjendje të tillë ndodhemi falë “shkathtësisë e gjeturisë” së liderëve politikë shqiptarë në Mal të Zi, gjë që na bën të mendohemi: të jemi apo të mos jemi! Pas gjithë kësaj vorbulle, me një arsye e vetëdije të thellë do ta themelojmë botën e projektuar të gjithë së bashku si komb e do t`ia arrijmë paqes e qetësisë me një kuptim e qëndrim që do t`i bënte të pafrytshme të gjitha vuajtjet e mundimet që ka kaluar populli ynë. Bëjnë gabim ata që e kuptojnë politikën vetëm në formën e partisë, propagandës, zgjedhjeve dhe luftës për pushtet. Politika është art i administrimit me perspektivë të gjerë dhe ata që janë të aftë ta njohin këtë shkollë do ta zotërojnë edhe të nesërmen me sukses.
Shaban Peraj

www.kohajavore.cg.yu