Shqiptarët në Mal të Zi në kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (2)

March 3, 2008   | Anketë / Anketa

Nail_DragaPolitika ekspansioniste e fqinjëve
Fqinjët e shqiptarëve: malazezët, serbët dhe grekët, ishin ata që dëshmuan politikën e tyre ekspansioniste. Një politikë e tillë nuk ka dilemë se bazohej në mitomani dhe në mbështjetjen diplomatike e ushtarake të disa shteteve pansllaviste, në krye me Rusinë cariste, të cilët në emër gjoja të luftimit të Perandorisë Osmane, si qëllim final kishin të aneksonin sa më shumë pjesë të territorit etnik të populluar nga shqiptarët.

3. Rrethanat e luftës dhe emigrimi i popullsisë shqiptare

Në rrethana të tilla të luftës nuk ka dilemë se popullsia shqiptare u gjend në pozitë të pavolitshme, andaj ajo u detyrua të shpërngulet nga vendbanimet e veta. Kështu, një dukuri e tillë ndodhi fillimisht nga viti 1878 e më pas, ku si shembull tipik shërben rasti i Ulqinit, ku me kalimin e këtij qyteti nën administrimin e Malit të Zi (nëntor 1880) pothuaj 1/3 e popullsisë së qytetit emigroi, duke u vendosur kryesisht në Shkodër por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Politika shtetërore e Malit të Zi në territoret e aneksuara kishte vendosur objektiva të qarta në lidhje me territoret e reja, ku çështje kyçe ishte ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë. Me urdhër të Simo Popoviqit, i cili ishte në funksionin e guvernatorit të parë të Ulqinit, organet e pushtetit malazez ia filluan punës për regjistrimin dhe matjen e sipërfaqes tokësore që duhej të kolonizohej. Në lidhje me këtë çështje, po ashtu në mënyrë transparente, dëshmon deklarata e tij që ia dërgonte ministrit të Punëve të Jashtme, ku thuhet: “Rrethi i Ulqinit për ne është i huaj. Të gjithë këtu janë turq (shqiptarë të konfesionit islam-N.D.) dhe malësorë. Kujdesi ynë i parë, për arsye të shumë shkaqeve, duhet të jetë që banorët vendës t` i asimilojmë dhe atë sa më parë, në dy mënyra: me anë të kolonizimit, duke vendosur këtu 4-5 mijë familje malazeze dhe me anë të hapjes së shkollave. Kolonizimi do të arrihet kur të shpërngulen malësorët nga ky vend. Kur të realizohet ky projekt, atëherë ky rajon i bukur dhe i pasur do të jetë krejtësisht dhe përgjithmonë i Malit të Zi. Deri sa të mos realizohet ky qëllim, nuk kemi se çka të gëzohemi”.
Një përmbajtje e tillë nuk ka nevojë të analizohet, sepse çdo gjë është transparente, por mbetet të realizohet në praktikë, ku si qëllim final ishte ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë me të gjitha mjetet.
Kështu kolonizimi në Fushën e Ulqinit ka zgjatur deri në mesin e vitit 1893, me ç`rast janë vendosur gjithsej 400 familje kolonistësh, të cilave u janë ndarë 5000 ditarë (rallë) tokë, nga del se një ekonomi shtëpiake ka fituar nga 12,5 ditarë (rallë) tokë (që është e barabartë me 22.450m2). Për të krijuar kushte më të mira për kolonistët, pushteti planifikonte të hapte toka të reja, duke planifikuar në këtë drejtim tharjen e liqenit të Zogajve dhe të Knetës. Në këtë drejtim janë angazhuar ekspertë të ndryshëm, të cilët kanë përgatitur projektet për tharjen e tokave përkatëse, ku në plane afatgjata është planifikuar të fitohen toka të reja rreth me sipërfaqe prej 20.000 ditarë (rallë), por rrethanat shoqërore të kohës, sidomos luftërat ballkanike ndërprenë punimet në këtë drejtim, me ç`rast nuk u realizuan objektivat “për kolonizimin masiv në këtë pjesë të Malit të Zi”.
Aspiratat ekspansioniste ndaj këtij mjedisi i ka shprehur edhe vetë princ Nikolla, i cili theksonte: “…me vendosjen e malazezëve prej Mozhurit e deri te Buna, tërë qarkun e Ulqinit e malazezojmë”, duke vazhduar: “…tërë qyteti dhe rrethina është e banuar me banorë shqiptarë të konfesionit islam dhe katolikë. Gjuha serbe në këtë anë të Mozhurit nuk është ndier. Me vendosjen e malazezëve zhduket tipi shqiptar i kësaj ane”.
Dhe nga një situatë e tillë politike e shoqërore në këto mjedise kemi një emigrim të dhunshëm në saje të pakënaqësisë ndaj pushtuesve të rinj, me ç`rast një pjesë e konsiderueshme e viseve dhe vendbanimeve shqiptare u shpopulluan.
Veprimi i politikës shtetërore malazeze ishte identik edhe pas Luftës së Parë Ballkanike, ku zyrtarizimi i aneksimit të territoreve të pushtuara, dëshmohet me miratimin e Ligjit për kolonizim të tokave të reja të çliruara në Kuvendin Popullor në vjeshtë të vitit 1913. Një vendim i tillë nuk ka dilemë se ndikonte drejtpërdrejt në ndryshimin e strukturës nacionale të popullsisë e po ashtu rrudhte hapësirën etnogjeografike shqiptare, që ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën legale dhe legjitime të çdo populli për të qeverisur territorin e vet.

4. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe viset shqiptare në Mal të Zi

Shqiptarët nuk luftuan kundër Turqisë për të kaluar nën një okupim të ri, ata luftuan për të qenë të lirë e të pavarur sikurse popujt e tjerë. Madje Pavarësia e Shqipërisë e shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912, nuk është shpallur për gjysmën e territorëve shqiptare që u pranuan ndërkombëtarisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, por ajo është shpallur për tërë territorët e banuara me shqiptarë në hapësirën e tyre etnogjeografike në Siujdhesën Ballkanike.
Shqiptarët pritnin vendimet e definitive të kësaj Konference, me shpresë së përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha do të marrin parasysh kriterin etnik, homogjenitetin e hapësirës etnogjeografike shqiptare, luftërat e vazhdueshme për t`u çliruar nga okupatori, por çdo gjë mbeti vetëm iluzion, sepse vendimet ishin subjektive, kryesisht sipas intrigave dhe interesave të klaneve të ndryshme të shteteve përkatëse, duke ndarë përgjysmë hapësirën etnogjeografike shqiptare. Madje një konstatim të tillë e pranoi edhe vetë ministri i Jashtëm anglez E.Grej, i cili ka thënë: “Jam i bindur se, kur të dihen të gjitha, ky veprim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë, prej çdo njeriu që e njeh vendin dhe e shikon çështjen vetëm nga pikëpamja e popullsisë së tij. Por duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qëllimi kryesor ishte të mos hapej konflikt mdis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftë se marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmoninë midis Fuqive të Mëdha, mund të themi se ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes në Evropë”.
Ndërsa kufiri në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë do të përcaktohej nga KNK në vitin 1914, i cili fatkeqësisht legjitimoi aneksimin e territoreve shqiptare pa përfillur kriterin etnik dhe aspiratat e vazhdueshme të popullsisë në regjionet përkatëse për bashkim me shtetin e pavarur shqiptar.

Përfundim

Pas Kongesit të Berlinit (1878), vitet 1912/13 ishin vendimtare në përcaktimin e hartës së re politike të shteteve ballkanike, që u legjitimua në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Në saje të atyre vendimeve përfundimisht u bë edhe njohja ndërkombëtare e Shqipërisë, që si e tillë u përgjysmua si në aspektin territorial ashtu edhe në atë të popullsisë.
Nga ana tjetër ishin fqinjët malazezët, serbët dhe grekët, ata që dëshmuan politikën e tyre ekspansioniste. Një politikë e tillë nuk ka dilemë se bazohej në mitomani dhe mbështjetjen diplomatike e ushtarake të disa shteteve pansllaviste, në krye me Rusinë cariste, të cilët në emër gjoja të luftimit të Perandorisë Osmane, si qëllim final kishin të aneksonin sa më shumë pjesë të territorit etnik të populluar nga shqiptarët. Tashmë është e qartë se një veprim i tillë kishte prapavijë strategjike, në mënyrë që shteti i ri i pavarur i Shqipërisë të jetë sa më i vogël në sipërfaqe e në numër të popullsisë dhe pa ndonjë ndikim të veçantë politik në të ardhmen në Siujdhesën Ballkanike.

(Kumtesa është paraqitur në Konferencën kombëtare “Pavarësia e Shqipërisë dhe sfidat e shtetit shqiptar gjatë shek. XX”, organizuar nga Instituti i Historisë në Tiranë më 27 nëntor 2007)
Dr. Nail Draga
ww.kohajavore.cg.yu

2