Mali i Zi “sfidon” Shkodren. Produktet kushtojne me lire

March 9, 2008   | Shtypi / Mediji

kufiri me shqiperiKalimi pa viza në vendin fqinj nuk i lehtëson shkodranët nga “çmenduria” e çmimeve që kanë kapur majat muajt e fundit
Çmimet e produkteve ushqimore që ofrojnë dy zonat ndërkufitare; Shkodra dhe Mali i Zi janë të ndryshme, ndonëse bëhet fjalë vetëm për një distancë prej 35 kilometrash mes tyre. Në zonën e Malit të Zi ka një qëndrueshmëri çmimesh, të cilat janë shumë më të ulëta se në Shkodër. Kalimi pa viza në vendin fqinj nuk i lehtëson shkodranët nga “çmenduria” e çmimeve që kanë kapur majat muajt e fundit. Kjo për faktin se makinat e vogla nuk lejohen të mbushen me mallra ushqimorë, pa paguar tarifat përkatëse, që sipas tyre janë gjithashtu të larta. Banorë të zonës së Shkodrës dje kanë bërë me dije për “Gazeta Shqiptare”, se raporti midis çmimeve të asortimenteve ushqimore të nevojës së parë është tashmë i dukshëm, krahasuar me Malin e Zi.
Kështu, vaji në Tuz është vetëm 140 lekë si çmim pakice, kurse në Shkodër i ka kaluar 240 lekët. Mielli është vetëm 55 lekë në anën tjetër të kufirit, kurse në Shkodër është 80 lekë; makaronat mesatarisht janë 70 lekë në Shkodër dhe në Mal të Zi rreth 15 lekë më pak. Po kështu, orizi në qytetin e madh verior është 85 lekë kilogrami dhe në anën tjetër të kufirit vetëm 65-70 lekë. Domatja në Tuz dhe krahinën e banuar nga shqiptarët, por edhe nga malazezët është vetëm 100 lekë, kur në zonën e Shkodrës është 150 lekë. E njëjta gjë ndodh dhe me çmimet e perimeve të tjera. Ky ndryshim i madh çmimesh nuk ka ndonjë efekt tek shumica e shkodranëve.
Në doganat e dy vendeve fqinje nuk lejohen autoveturat e vogla të mbushen me produkte të ndryshme ushqimore në tregun e Malit të Zi. Ka një rregull ku përcaktohet sasia në kilogram e mallrave që kalojnë kufirin. Kontrollet që u bëhen këtyre mjeteve janë të shumta, për të përcaktuar sasinë e asortimenteve të ndryshme ushqimore që duhet të kalojnë pa doganë. Në fakt, janë mbi 50 shoferë autoveturash që bëjnë rrugën e Malit të Zi, por që ndeshen me vështirësi të shumta. Në doganë, ata duhet të paguajnë detyrime njëlloj sikur janë duke kaluar e një kamion me mall. Kjo bën që vështirësitë e tyre të jenë shumë të mëdha. Gradualisht edhe numri i këtyre personave që merren me këtë lloj aktiviteti është duke u zvogëluar. “Nëse autoritetet doganore do të lejonin që të sjellim normalisht mallra nga Mali i Zi, sigurisht që çmimet në qytetin e Shkodrës do të jenë më të ulëta”, – thotë një tregtar.
Ndërkaq, disa të tjerë pohojnë se ky bllokim që i bëhet hyrjes së mallrave nga vendi fqinjë ka lidhje dhe me monopolet e shpërndarjes së mallrave në Tiranë që synojnë të mos kenë konkurrentë të tjerë. Ndërsa sjellin sasi të vogla malli, tregtarët nuk përballojnë shpenzimet e rrugës. Kështu, vajtja e ardhja në distancë prej 35 km nga kufiri dhe rreth 20 km në anën tjetër (vajtje-ardhje) ka edhe ajo peshën e saj. Nga ana tjetër, vihet re një fenomen. Dhe mallrat që hyjnë në qytetin e Shkodrës nuk shiten me çmimet e Malit të Zi. Tregu i madh shkodran i “përpin” me çmimet dhe kërkesën e madhe që ka. Në këtë mënyrë çmimet jo vetëm nuk ulen, por vazhdojnë kurbën e ngjitjes.
Brikena Shllaku
www.balkanweb.com