Kosova së shpejti me pasaporta të reja

March 15, 2008   | Rajoni / Region

AMBLEMI I KOSOVESShtetasit e Kosovës, së shpejti mund të pajisen me pasaportat e Republikës së Kosovës që do të jenë me ngjyrë të kaltër të mbyllur dhe stemën e Republikës në mes, tha sot në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi, ku u miratua në parim Projektligji për nxjerrjen sa më të shpejtë të dokumenteve të reja për shtetasit kosovarë dhe u diskutuan përgatitjet lidhur me Konferencën e Donatorëve për Kosovën që pritet të mbahet së shpejti në Bruksel.
Kreu i ekzekutivit Hashim Thaçi i informoi ministrat e kabinetit të tij me procesin e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga vende të ndryshme duke theksuar se në ditët në vijim pret që numri i vendeve që do ta pranojnë Kosovën do të rritet. Thaçi foli edhe për raportet e shkëlqyera, sipas tij me qeveritë e vendeve të rajonit, si me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Ndërsa është në interesin e jashtëzakonshëm për Kosovën paqja dhe stabiliteti në Maqedoni. Tashmë kemi ecur përpara në drejtim të zgjidhjes së çështjes së ngritur më herët të demarkacionit. Mes Prishtinës dhe Shkupit ka vetëm vullnet të mirë, mirëkuptim dhe fqinjësi të mirë”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi, në parim, Projektligjin për nxjerrjen sa më të shpejtë të dokumenteve të udhëtimit për shtetasit kosovarë.
Në përputhje me statusin e ri të Kosovës është nevojë dhe domosdoshmëri nxjerrja sa më shpejtë të dokumenteve të reja të Republikës së Kosovës, tha kryeministri Thaçi, i cili njëherësh bëri publik dizajnin për pasaportat e reja të Republikës, që do të jenë ngjyrë kaltër e mbylltë, me stemën e Republikës në mes.
“Kam kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme të bëjë përgatitjet adekuate për këtë, sikurse për pasaporta letërnjoftime, patentë shofer dhe të gjitha dokumentet tjera të lëshuara nga institucionet e Kosovës, duhet të jenë të reja dhe në përputhje me atë që e lëshon shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës. Këtu hyjnë edhe qytetarët tanë që jetojnë në diasporë”, ka sqaruar Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e sotme të qeverisë, foli edhe për procesin e përcaktimit të prioriteteve për Konferencën e Donatorëve, që sipas tij, pritet të zyrtarizohen së shpejti.
“ Synimi i Qeverisë është që këto prioritete të jenë të përballueshme dhe të qëndrueshme në aspektin fiskal. Prioritetet do të formojnë bazën për konferencën e donatorëve për Kosovën që pritet të mbahet së shpejti në Bruksel. Përcaktimi i politikave prioritare dëshmon përkushtimin e fuqishëm të qeverisë për të filluar menjëherë adresimin e çështjeve të shpërfillura dhe sfiduese për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës”.
Në mesin e prioriteteve kryesore të Qeverisë së Kosovës për Konferencën e Donatorëve, janë sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, ngritja e cilësisë së edukimit, zhvillimi i bujqësisë, politikat fiskale etj. Këto prioritete sipas Thaçit, kanë dalë nga konsultimet me ministritë përkatëse, ndërsa kostoja do të caktohet në kornizën që ende është duke u përgatitur.
Ndryshe në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar në parim edhe Projektligjin për sigurinë private dhe atë për vulat në institucionet e Republikës së Kosovës.
RTK