Qeveria e Kosovës kërkon përshpejtimin e nxjerrjes së dokumenteve të udhëtimit

March 15, 2008   | Rajoni / Region

Hashim ThaçiPrishtinë: Qeveria e Kosovës në mbledhjen e rregullt mori vendim që të përshpejtohet procedura e nxjerrjes së dokumenteve të reja të udhëtimit në përputhje me statusin e ri të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran si dhe miratoi disenjin e pasaportës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi nga Ministri i Punëve të Brendshme që kjo çështje të procedohet dhe menjëherë pas përfundimit të fazës tranzitore, qytetarët e Kosovës kudo që jetojnë, t’i kenë dokumentet e tyre shtetërore. “Është nevojë e domosdoshme koha e duhur për nxjerrjen e dokumenteve të reja në përputhje me statusin e ri të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, theksoi Thaçi, duke shtuar se kishte kërkuar nga Ministri i Punëve të Brendshme “të bëjë përgatitjet adekuatë si për pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shofer, dhe të gjitha dokumentet tjera të lëshuara nga institucionet e Kosovës, duhet të jenë të reja dhe në përputhje me ato që i lëshojnë institucionet e shtetit të Kosovës”. Kryeministri vlerësoi se këto dokumente janë të cilësisë së lartë dhe sipas standardeve të BE së. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti ndërkaq tha se procesi i dokumenteve është pak më i ndërlikuar për nga aspekti teknik, por ka shtuar se janë marrë masat e nevojshme dhe mbështetjen e fuqishme edhe nga zyra e kryeministrit. “Me këtë vendim, mendoj se përmbyllen të gjitha përgatitjet edhe formale për të filluar procesi praktik i aranzhimit të procesit për finalizimin e nxjerrjes së dokumenteve të udhëtimit. Nuk do të ketë telashe që do të krijoj vonesa, por jemi në pritje vetëm të kodit i cili nuk është problem politik, dhe shpresojmë se në fazën optimale do t’i kemi pasaportat, por edhe dokumentet tjera civile”, u shpreh ministri Pajaziti. Kabineti qeveritar miratoi edhe disenjimin e pasaportës e cila është me ngjyrë blu të mbyllët dhe në mes është stema e Republikës së Kosovës. Si pikë e veçantë e rendit të ditës ka qenë edhe përgatitja për Konferencën e Donatorëve e cila do të mbahet së shpejti në Prishtinë. Kryeministri Thaçi kërkoi nga ministrat që t’i koordinojnë punët me autoritetet lokale, në mënyrë që kjo konferencë të ketë sukses. “Qeveria ka formuar dy grupe në nivelin politike për organizimin e konferencës së donatorëve dhe një grup tjetër për organizimin teknik. Kemi një lobizim edhe me zyrat e jashtme që janë në Kosovë dhe jashtë saj dhe jemi të bindur se deri kah mesi i prillit do t’i ofrojmë projektet tona”, sqaroi Thaçi, duke vënë në dukje dy qëllime: rritjen e shumës së donacioneve dhe që donacionet të jenë në përputhje me prioritetet e qeverisë. Shefi i ekzekutivit vlerësoi se njohja e shtetit të Kosovës po vazhdon me ritëm të pandalshëm dhe sipas tij, tashmë jemi në fazën e fundi të “njohjes kualitative” të njohës së pavarësisë së Kosovës. “Lobimi ynë është intensifikuar tash për fazën e fillimit të njohjes numerike në mënyrë që të kalojmë në fazën e konsolidimit, në fazën përfundimtare të njohjes së shtetit të Kosovës nga e gjithë bota demokratike”, u shpreh Thaçi. Ai po ashtu theksoi se gjendja e sigurisë në përgjithësi në Kosovë është nën kontroll dhe autoritetet e KFOR it dhe se mekaznimat e sigurisë së Kosovës janë duke bërë punën e tyre në përputhshmëri me kushtet dhe realitetin e Kosovës së pavarur. Qeveria shqyrtoi dhe miratoi kërkesën për nxjerrjen e dokumenteve civile dhe lejimin e procedurës së negociuar si dhe projektligjin për përdorimin e vulës së Republikë së Kosovës.
www.kosova.com