Debat Publik në Tuz

March 18, 2008   | Politika

NIKOLL CAMAJ1Në Malësi do të investohen 13,6 milion euro
Tuz- Deri në fund të vitit 2008 në Malësi do të investohen 13.650.000 euro, ndërsa deri në vitin 2012 do të investohen 20.800.000 euro. Kështu ka deklaruar Kryebashkiaku i Podgoricës, Miomir Mugosha, në debatin publik para qytetarëve të Malësisë, që u mbajt javën e kaluar në QKI “Malësia”. Duke arsyetuar programin afatgjatë mbi rregullimin e hapësirës ndërtimore Mugosha tregoi se padyshim në trevën e KU të Tuzit do të ndërtohen disa burime uji, ura, terrene sportive, përforcimi i rrjetit elektrik, do të punohet edhe një numër i madh i projekteve për rrugat në pjesën rurale të Malësisë etj.
Vetëm në rikonstruimin e rrugëve ekzistuese Kryebashkiaku paralajmroi se do të investohen 100.000 euro.
Debati publik në Tuz filloi me polemika midis kryebashkiakut dhe krerëve të KU të Tuzit rreth problemit të komunikimit zyrtar dhe shkresave, të cilat janë dërguar në adresën e KU, por sipas udhëheqësisë nga Tuzi, ato nuk kanë arritur deri te zyrtarët e lartë të kësaj komune.
Pasi Mugosha lexoi disa shkresa, që kishin të bënin me situatën e krijuar në Komunë, pas dorëheqjes së këshilltarit të PSP-së, për çka Kuvendi ka kërkuar instruksione nga administratori, kryetari i Kuvendit të KU të Tuzit, Nikollë Camaj iu drejtua Kryebashkiakut duke i thënë se shkresa, të cilën e lexuat dhe konstatoni se e keni dërguar më 22 shkurt të muajit të kaluar, te unë nuk ka mbërrijtur.
Pjesëmarrësit në diskutim më së tepërmi patën vërejtje për infrastrukturën e dobët rrugore, për nevojat e furnizimit me ujë të pijshëm, për përforcimin e rrjetit elektrik etj.
(Kohapress)