Ekspozitë e hapur në Ulqin të piktorit Jozo Koçoviqit

March 18, 2008   | Kulturë / Kultura

qazim muja1Rrëfimi i njeriut për njeriun nga Qazim Muja
Vizatimet me tush të Jozo Koçoviqit, si variacione sensibile të fytyrës dhe figurës njerëzore, në formën vizatimore, gjithsesi më të pasur se një vizatim kroki, janë definuar me një numër të reduktuar potezash ritmike të vijës vitale dhe shumë të theksuar me maje të penelit e cila fuqishëm formëson një dhe vetëm një figurë të vetmuar njerëzore të vendosur mbi një ideogram psikologjik, simbol subjektiv ky i përjetuar si lojë që çdo njeriu ia servon jeta.
Interesimi për figurën dhe në përgjithësi figurativen si dhe për problematikën dhe mënyrën e të shprehurit ekspresiv, piktorin e ri Jozo Koçoviq, që në fillim të rrugëtimit të tij artistik, e bën hulumtues me një kureshtje prej alkimisti.
Në ekspozitën e hapur në Ulqin kemi të bëjmë me 25 punime në teknikën e vizatimit, kryesisht me tush, të punuara në një frymë. Figurat e zeza mbi të bardhën, pra format e konturuara me të zezë dhe aty-këtu me hijëzim joshës, formojnë një varg të pafund të figurave dhe fizionomive njerëzore. Kjo galeri e figurave njerëzore, e shikuar si tërësi, me pozitën dhe lëvizjen e tyre, asocon në ato lëvizjet teatrore meditative të hijeve, ose, po të shikohen nga këndi i artit të shtatë, këto figura formojnë njëlloj animacioni filmik shumë përmbajtësor të përmbyllur, në të cilin nëpër sekuenca kuadrosh i përcjell rrëfimi i njeriut për njeriun që lëviz nëpër një botë, mbase të pasigurtë ndjenjash të brëndshme. Kontrastet bardhë e zi, përplasjet e hapësirave të zbrazëta dhe atyre të plota dhe pothuaj vazhdimisht hudhja tepër e lirë e ngjyrës së zezë, me stërpikje të kontrolluar, të themi në stilin e ashtuquajtur dripping painting të Pollokut, formojnë tërësinë në të cilën paraqiten profilet psikologjike të individit nëpër sekuenca kadrovike. Dhe nëpër këto sekuenca figurash njerëzore, lëvizja trupore bëhet akt motorik me domethënie gjithherë të veçanta, here-herë i ngrirë në momentin që shlyen njërën skenë dhe paralajmëron skenën tjetër, që shlyen një ndjenjë momentale dhe paralajmëron një përjetim tjetër, që shlyen trishtimin, klithjen, brengën, dhembjen, meditimin, për t`iu rikthyer të njëjtat emocione sekuencave në vazhdim.
Andaj, vizatimet e piktorit të ri Koçoviq, që në shikim të parë na duken si të njëjta, mund t`i përjetojmë si klonim të figurës njerëzore, duke e rikrijuar atë, por çdoherë me formë, lëvizje, shprehje dhe ndjenjë të brendshme tërësisht tjetër.
Vizatimet me tush të Jozo Koçoviqit, si variacione sensibile të fytyrës dhe figurës njerëzore, në formën vizatimore, gjithsesi më të pasur se një vizatim kroki, janë definuar me një numër të reduktuar potezash ritmike të vijës vitale dhe shumë të theksuar me maje të penelit e cila fuqishëm formëson një dhe vetëm një figurë të vetmuar njerëzore të vendosur mbi një ideogram psikologjik, simbol subjektiv ky i përjetuar si lojë që çdo njeriu ia servon jeta. Këto paraqesin regjistrime ndiesore të autorit duke i shpërndarë nëpër 25 sekuenca vargore të veçanta të lindura në një moment frymëzimi të caktuar shpirtëror. Pra, është ky një meditim bardhë e zi i autorit, ashtu siç bënë edhe shumë piktorë, ashtu siç bëri edhe Edvard Munk, në pikturën e tij “Vallëzimi i jetës” për të simbolizuar njëkohësisht një rini dhe një pleqëri, një lindje dhe një vdekje, një fillim dhe një mbarim.
Më në fund duhet thënë se arti i mirëfilltë fillon aty ku përfundon zanati. Shpresoj se piktori Koçoviq tani më zanatin e ka mësuar mirë, andaj uroj që përkushtimi i tij në rrugën e pafund të artit të jetë i paluhatshëm dhe tejet i frytshëm.
Qazim Muja
Koha javore