Në Ulqin u kremtua 7 marsi – dita e mësuesit

March 18, 2008   | Kulturë / Kultura

7 MARSI  DITË E MËSUESITRrugëtim plot sakrifica
Në emër të mësuesve pensionistë, pjesëmarrësit i përshëndeti Xhemal Milla, i cili tha se arsimimi i popullit është si mesha më e lartë e të gjitha besimeve dhe e të gjithë popujve në botë. Ai porositi që të mos harrohet kontributi i të gjithë punëtorëve të arsimit te ne, pa të cilët, sipas tij, arsimi shqip nuk do të ishte këtu ku është sot.
Shkollat e Ulqinit me mbështetjen e Komunës së Ulqinit kremtuan të enjten 7 Marsin – Ditën e Mësuesit me një manifestim të veçantë të mbajtur në Qendrën e Kulturës së këtij qyteti.
Për historikun e shkollës dhe arsimit shqip ndër vite foli mësimdhënësja në pension, Syme Kokaj.
Ajo tha se Dita e Mësuesit është simbolika e përpjekjeve të vazhdueshme plot sakrifica për ta pasur atë që na takon dhe për ta ruajtur përjetësisht shkollën shqipe, e cila pati një rrugëtim të vështirë dhe të gjatë.
“Kjo datë shënon një ditë të veçantë dhe të rëndësishme për popullin tonë e që na bën të kujtojmë shumë viktima dhe të na shërbejë për të na nxitur e motivuar për punë gjithnjë më të mirë e për përgjegjësi më të mëdha ndaj atyre me të cilët punojmë – nxënësve, në mënyrë që mos t`i mësojmë mbrapsht e të vuajnë nga gabimet tona”, tha ajo.
Duke folur për arsimin shqip sot, Kokaj tha se mund të krenohemi që vetëdija dhe ndërgjegja janë zgjuar dhe se breza e breza janë shkolluar e po shkollohen gjithnjë.
“Sigurisht se intelektuali nuk krijohet për një ditë, as për një vit, por është dashur dhe duhet shumë punë që në kolonën e gjatë të kemi intelektualë të profesioneve të ndryshme e deri me tituj shkencorë, që janë të aftë të ecin paralel me ata europianë”, theksoi ajo.
Në emër të mësuesve pensionistë pjesëmarrësit i përshëndeti Xhemal Milla. Ai tha se arsimimi i popullit është si mesha më e lartë e të gjitha besimeve dhe e të gjithë popujve në botë. Milla vlerësoi lart kontributin që kanë dhënë brezat e mësuesve ndër vite duke porositur që ai të mos harrohet.
“Nuk duhet harruar të gjithë punëtorët e arsimit që kanë dhënë kontributin te ne. Pa ata, arsimi shqip nuk do të ishte këtu ku është sot”, tha ai.
Ndërsa kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, me mbështetjen e të cilit u realizua aktiviteti, tha se ka respekt të veçantë për çdo mësues.
“Ju keni qenë jo thjesht profesionistë të arsimit, por në radhë të parë keni qenë njerëz të emancipuar, humanë dhe artistë të fushave të ndryshme. Jam më se i bindur se çdonjëri prej nesh ka në zemër protretin e mësuesit të tij të preferuar”, tha ndër të tjera ai.
Në programin e shfaqur me këtë rast morën pjesë nxënës të shkollave të Ulqinit të cilët u prezantuan para publikut me recitime, pjesë koreografike, pjesë humoristike, etj. Në program mori pjesë po ashtu edhe sopranoja e re Maida Resulbegu, nën përcjelljen e pianistes Merita Subashiq.
i.k.

6