Hungaria, Kroacia dhe Bullgaria konfirmuan zyrtarisht njohjen e Republikës së Kosovës

March 20, 2008   | Rajoni / Region

fatmir_sejdiuPrishtinë, 20 mars 2008 – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti në një takim të përbashkët, z. Zoltan Imec, shef i Zyrës së Hungarisë në Prishtinë, z. Davor Vidish, shef i Zyrës së Kroacisë, dhe z. Nikolay Kolev, shef i Zyrës së Bullgarisë në Prishtinë, të cilët konfirmuan zyrtarisht njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e tyre.
Presidenti Sejdiu i falënderoi të tri vendet për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe përkushtimin e tyre që kanë pasur dhe që kanë për të ndihmuar Kosovën.
“Kosova do të jetë një shtet sovran dhe i pavarur i të gjithë qytetarëve, me demokraci të avancuar perëndimore, dhe që dëshiron shumë shpejt të ecë në proceset e integrimeve, në Bashkimin Evropian dhe në NATO, tha Presidenti Sejdiu , i cili njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e rajonit e cilësoi si shumë të rëndësishme.

Gjithashtu, Presidenti i falënderoi Japoninë, Kanadanë dhe Principatën e Monakos për njohjen zyrtarë të Republikës së Kosovës.

Shefi i Zyrës Hungareze, z. Zoltan Imec, njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga vendi i tij e vlerësoi si shumë të rëndësishme për sigurinë e rajonit dhe shfaqi shpresën se marrëdhëniet në mes të dy vendeve do të zhvillohen shumë shpejt.

“Hungaria do të jetë një vend mik i shtetit të ri të Kosovës dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me qeverinë dhe shtetin e ri të Kosovës”, tha z. Zoltan Imec.

Shefi i Zyrës Bullgare në Kosovë, z. Nikolay Kolev u angazhua për stabilitet dhe integrim të shpejt të Kosovës në strukturat euroatlantike.

Ndërsa, shefi i Zyrës së Kroacisë , z.Davor Vidish duke bërë të ditur se qeveria e vendit të tij, dje ka miratuar vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës tha: “Kosovës i dëshirojmë, paqe, stabilitet, prosperitet ekonomik, marrëdhënie të mira me fqinjët e saj dhe suksese në integrimet euroatlantike”.