Qëndrimet e LD në MZ në lidhje me zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi

March 30, 2008   | Lajmet / Vijesti, Politika

Nr. 40 (32-2) / 08LDMZ
Tuz, më 25. 03. 2008
K u m t e s ë


QËNDRIMET E LD në MZ NË LIDHJE ME ZGJEDHJET PRESIDENCIALE NË MZ

Kryesia e Lidhjes Demokraktoke në Mal të Zi, në mbledhjen e vet të mbajtur, në Tuz, më 22. 03. 2008, në mes të tjerave shqyrtoi edhe situatën politike pas shpalljes së zgjedhjeve për Kryetar të Malit të Zi , të caktuara më 6 prill 2008, konkretisht pas verifikimit të kandidaturave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe renditjes së tyre në listën e përbashkët zgjedhore

( 1. Nebojsha Medojeviq, PZP / Partia për Ndryshime,2. Andrija Mandiq, SL / Lista Serbe,

3. Srgjan Miliq, SNP / Partia Popullore Socialiste dhe 4. Filip Vujanoviq, DPS / Partia Demokratike e Socialistëve) dhe qëndrimin e Lidhjes Dempokratike në lidhje me këto zgjedhje, gjegjësisht kandidatët për kryetar.

Fakti se as në këto zgjedhje Presideciale nuk kemi asnjë kandidaturë nga radhët e shqiptarëve, tregon më së miri për nivelin e demokracisë në Mal të Zi. Megjithatë Lidhja Demokratike, subjekti i parë politik dhe përfaqësuesja e denjë e autentike e interesave të shqiptarëve në Mal të Zi, nuk është aspak indiferente se kush do të jetë Kryetar i Malit të Zi, përkundrazi jemi shumë të interesuar që Presidenti të jetë personalitet me cilësi të larta morale, demokrat në orientimet e veta politike, njeri që nesër president nuk do të heshtë as të përkrahë korrupcionin e kriminalitetin e organizuar, nepotizmin, privilegjet e kupollës shtetërore, diskriminimin në sferat e ndryshme, si atë nacional e racial, sidomos atë të klaneve mafioze në organet e administratën shtetërore e lokale … që po i hasim kudo e në çdo kohë, por që me figurën e tij, përgatitjen profesionale, orientimet e drejta politike, vullnetin e mirë dhe guximin qytetar e njerëzor dhe mandator nga funksioni i lartë i Presidentit të Shtetit, të jetë shembull në dekretimin e zbatimin e ligjeve, vendimeve demokratike të bazuara në përvojën e standardet e larta të demokracisë evropiane e amerikane, funksionimin e shtetit të së drejtës i gatshëm për ndërtimin dhe zbatimin e plotë të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të drejtave të pakicave nacionale.

Kryesia e LD-së vlerëson se kandidatët janë figura tashmë të njohura mediatike dhe me një pervojë të konsiderueshme politike të nevojshme për momentin dhe vendin për të cilin garojnë. Varësisht nga programet e tyre zgjedhore dhe partiake, kandidatë të cilave subjekte politike janë, shohim në skenën parazgjedhore orientimet dhe përcaktimet e tyre.
Ne si subjekt politik i shqiptarëve dhe si qytetarë, disa përcaktime të tyre na gëzojnë, disa na lënë indiferentë, po disa edhe na shqetësojnë. Sidoqoftë duke u nisur nga programet e tyre të bëra publike gjatë fushatës, që kemi pas rast e mundësi t’i shohim në media të shkruara a elektronike, nga programet e partive të tyre politike, kandidatë të cilave janë dhe nga ativiteti, puna e angazhimi i deritashëm i tyre në sferën politike në parlament e në funksionet e larta shtetërore, varësisht se kush ku ka qenë dhe ende është, kryesia e Lidhjes Demokratike, bazuar në programin e vet politik konstaton edhe këto:
2
Deri sot, më 22.03.2008, me asnjë prej kandidatëve nuk është zhvillua ndonjë bisedë zyrtare.
Lidhja Demokratike ka qenë gjithnjë e hapur.
Lidhja Demokratike, megjithë deklaratat dhe përcaktimet demokratike e joshëse të kandidatëve në fushatë, nuk është e gatshme të përkrahë kandidatët të cilët, qoftë ata, qoftë subjektet e tyre politike, ishin përkrahës, propagandues, arkitektë apo pjesëmarrës në luftat hegjemoniste, okupuese (serbe) të Beogradit kundër fqinjve, kundër Kroacisë (Konavles e Dubrovnikut), luftës genocidiane në Bosnje e Hercegovinë, kundër Kosovës, masakrave e genocidit dhe dëbimit me dhunë e gjak të 1 mil. shqiptarëve nga vatrat stërgjyshore. Nuk mund të përkrahim kandidatët që nuk pranojnë realitetin, ekzistencën e shqiptarëve, barazinë dhe lirinë e plotë dhe realizimin e të drejtave të plota të tyre, ata që nuk pranojnë pavarësinë e Kosovës, realitetin e ri që është faktor stabiliteti dhe paqe afatgjate në Ballkan dhe Evropë.

Lidhja Demokratike, nuk është e gatshme të përkrahë as kandidatët të cilët, qoftë ata qoftë subjektet e tyre politike, asnjëherë deri tash, megjithë autoritetin e tyre, funksionet që mbulonin, partinë që i përkisnin obligimet që i kishin… nuk u angazhuan të organizojnë as nuk realizuan deri sot zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nuk mund të përkrahë atë kandidat, partia politike nga e cila vjen, çdo herë keqpërdori organet e pushtetit qendror e lokal, pa kursyer asgjë, aty ku pati mundësi, për “të fituar”, ruajtur pushtetin, imponuar e vendosur monopolin në qeverisje e sfera të tjera të jetës së qytetarëve. Ata që me anë të keqpërdorimeve dhe manipulimeve të votës së lirë të qytetarëve instaluan pushtetin marionetë në komunën e Ulqinit e disa komuna të tjera, për të shitur e dorëzuar edhe atë pasuri që kanë mbetur pa e tjetërsuar.

Lidhja nuk mund të përkrahë atë kandidat, e partinë nga e cila vjen, i cili edhe pse ishte në të gjitha funksionet më të larta shtetërore, nuk bëri asgjë për të ndaluar privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, që përfshinin hapësira të gjëra toke shumë atraktive, që ishin grabitje e plaçkitje e pastër me të gjitha karakteristikat e një kriminaliteti të organizuar dhe me pasoja e rezultat të një kolonizimi e ekupimi, madje as nuk inicoi ndonjë rishqyrtim të këtyre “privatizimeve” që janë me pasoja shumë të dëmshme për qytetarët (shembull Kriporja e Ulqinit me 15 milionë metra katrorë, u “shit” me 5 a 6 cent për 1 m katror!?). Ata që na dërguan “ekspertë” nga veriu i Malit të Zi që të administrojnë e “shesin” pronat tona pa na pyetur fare (rasti me hotelet e Rivierës së Ulqinit etj.) etj. etj. E gjithë kjo u bë kur kryetari i Qeverisë ishte dhe kryetar i Këshillit për Privatizim. (Këshilli ishte edhe sot është “i pastër” pa asnjë anëtar shqiptar!?)…

Lidhja nuk mund të përkrahë atë kandidat, e partinë nga e cila vjen, që nuk respektoi marrëveshje e dakordime, madje as ato të nënshkruara, siç ishte Marrëveshja për Minimumin e Parimeve për Zhvillimin e Infrastrukturës Demokratike në Malin e Zi (Sporazum o minimumu principa za razvoj demokratske infrastrukture u Crnoj Gori), Podgoricë (vila “Gorica” 01. 09. 1997, atë ditë doli numri i parë i të përditshmes “VIJESTI”) me të cilën, ndër të tjera garantohej formimi i komunës së plotë të Tuzit; garantohej që “pasuria të cilën e ka shfryrëzuar ish Lidhja Komuniste dhe subjektet e tjerë politikë nga ajo kohë…, do t’ kthehen shtetit që në mënyrë të drejtë dhe racionale ta shfrytëzojnë subjektet politike e shoqërore…, garantohej decentralizimi, avancimi dhe respektimi i të drejtave të pakicave dhe realizimi i pozitës së barabartë të popujve pakicë…” etj.

Lidhja nuk mund të përkrahë atë kandidat, e partinë nga e cila vjen, i cili nuk ndërmori asnjë iniciativë, përkundër kërkesave nga individë, politikanë, shoqata, subjektet demokratike e dëshmive të drejtpërdrejta e të tërthorta etj. për të hetuar torturën e paparë që u ushtrua me rastin e
3
aksionit të policisë malazeze, më 09. 09. 2006, në ditën e formimit të Lidhjes Demokratike dhe një ditë para zgjedhjeve shumëpartiake, me rastin e arrestimit të qytetarëve shqiptarë në Malësi (Tuz e rrethinë), ndaj tyre dhe familjarëve të të arrestuarve, madje dhe plakut tetëdhjetë e sa vjeçar, fëmijëve dhe grave, të cilët pësuan tortura fizike e psikike, fyerjet më të rënda madje në baza nacionale e fetare, në shtëpiat gjatë bastisjeve, gjatë rrugës për në polici dhe në lokalet e policisë, në Podgoricë, në birucat e paraburgimit, gjatë rrugës për në gjyq dhe në lokalet e ndërtesës së gjyqit , ku të arrestuarit merreshin në pyetje…

Lidhja nuk mund të përkrahë atë kandidat, e partinë nga e cila vjen, të cilët votuan Planin Hapsinor të Malit të Zi deri më 2020, i cili ligjëson”…kompanitë e ndërtimit të ndërtojnë në mënyrë joligjore (që të ketë sa më pak zona të mbrojtuna në bregdet…), që hapësirën e madhe tokësore të Kriporës së Ulqinit ta shndërrojnë në tokë ndërtimore… (të ndërtojnë rrokaqiej me çka do të krijohen kushtet për ndryshimin e strukturës demografike të popullsisë), të ndërtojnë objekte energjetike, pa marrë parasyshë shkatërrimin e hapësirës jetësore etj.”.

Lidhja nuk mund të përkrahë atë kandidat, e partinë nga e cila vjen, që afër dy të tretat e territorit të komunës së Plavës, e aprovuan ta shndërrojnë në park nacional “Prokletije” me çka kërcënohet realisht pasuria e qytetarëve dhe shfrytëzimi i lirë i saj, e cila në një pjesë më të madhe përfshinë tokat e shqiptarëve. Me këtë mënyrë të re, kinse të mbrojtjes së mjedisit, qeverisja malazeze vazhdon planet e vjetra, presion ndaj popullatës …

Lidhja nuk mund të përkrahë atë kandidat, e partinë nga e cila vjen, që nuk po realizon restituimin, kthimin e pasurisë qytetarëve, që regjimet e mëparshme, iu morën në forma e baza të ndryshme. Kthimin e pronave ish pronarëve në gjiun më të bukur Valdanos, që ishin marrë mbi 18 mijë rrënjë ullinj, e që qeverisja qendrore e lokale e kanë bërë akt të kryer! Lidhja Demokratike nuk do të pajtohet asnjëherë me këtë rrembim. Kthimin e pronave pronarëve, të tokave në Shtoj, në Anë të Malit, pronat në Malësi dhe pyjet në Plavë e Rozhajë, janë përcaktim yni.

Lidhja nuk mund të përkrahë atë kandidat, e partinë nga e cila vjen, që po vazhdojnë të mbajnë në komunën e Ulqinit komplet udhëheqjen në Polici, që nga kryeshefi e më poshtë, në gjyqe e në prokurori të gjithë joshqiptarë, kuadro të sjellë nga jashtë Ulqinit. Të theksojmë faktin që nga 1945, për herë të parë u emrua një kryeshef shqiptar i Policisë më 01.10. 2001 që punoi deri në daljen në pension, më 03. 11. 2006, nga e cila datë vazhdon përsëri të jetë struktura udhëheqëse pa shqiptarë.

Lidhja nuk mund të përkrahë atë kandidat, e partinë nga e cila vjen, që nuk bëri asgjë për të çliruar ishujt në liqenin e Shkodrës dhe majen e malit Rumi dhe mbetjet kulturo-historike të Shën Mrisë së Krajës nga tentativat për përvetësim nga ana e Kishës Pravosllave Serbe.

Kryesia e LD-së vlerësoi se këto fakte janë dëshmi e gjallë që anëtarët, simpatizuesit dhe qytetarët e tjerë lehtë t’i hetojnë përcaktimet dhe orientimet jodemokratike e joligjore të atyre kandidatëve, të cilat fare lehtë do t’u tregojnë rrugën e përcaktimit të tyre në ditën e zgjedhjeve.

KËSHILLI PËR INFORMIM